Ekonomia

AIDA dhe biznesi shqiptar për herë të tretë pjesëmarrës në panairin ndërkombëtar “CICGF Ningbo 2016”

Në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar në panairin e produkteve të vendeve Lindore dhe Jug-Lindore ‘NINGBO 2016’ të Nismës 16+1, Agjencia e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) zhvilloi një takim me 18 sipërmarrësit, të cilët do të jenë pjesëmarrës në event.

Sipas burimeve nga AIDA, Panairi i Prodhimeve Karakteristike të Vendeve të EQL-së zhvillohet në kuadrin e konferencës ministeriale të nxitjes së ekonomisë e tregtisë midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) në qytetin Ningbo, Kinë nga data 8 -12 qershor 2016. Në panair, thanë burimet, marrin pjesë edhe shumë ndërmarrje shqiptare dhe prodhime nga Shqipëria që sipas tyre, po tërheqin nga viti në vit vëmendjen e ndërmarrjeve kineze dhe të konsumatorëve.

Nisur nga vlerësimi dhe impakti pozitiv që pati ekspozimi i produkteve shqiptare në tregun kinez një vit më parë, me synimin e krijimit të një tradite pjesëmarrje dhe përfaqësimi në tregun e madh kinez, edhe këtë vit, AIDA po organizon pjesëmarrjen në Panairin Ndërkombëtar Kinez të mallrave të konsumit ( CICGF) Ningbo, të rreth 18 kompanive shqiptare, 10 nga të cilat do mbështeten direkt nga fondet grant të AIDA-s.

“Ky aktivitet po paraprihet nga një punë përgatitore e AIDA-s”, thanë burimet, duke shtuar se në zyrat e reja të Agjencisë pranë TBP u zhvillua një takim ndërmjet stafit organizator te AIDA me përfaqësues të kompanive shqiptare të biznesit, të cilat kanë shprehur interesimin të jenë pjesë e tij.

Gjate takimit drejtori i Ndërmarrjeve të Vogla, të Mesme dhe Eksporteve, Daniel Guçi, informoi kompanitë pjesëmarrëse me rëndësinë e përgatitjes për një përfaqësim sa më dinjitoz, mundësitë që ofron ky event për partneritet, si dhe detajet specifike të procedurave të pjesëmarrjes në të. Ne takim ishin të pranishëm dhe morën fjalën edhe drejtori i AKT-së, Ardit Çollaku si dhe përfaqësuesja e ministrisë së Punëve të Jashtme, Silvana Leskaj.

Produktet shqiptare u prezantuan për herë të parë me konsumatorin kinez në panairin e Ningbo të Kinës nga data 7- 11 qershor 2014 ku pjesëmarrësit shqiptarë në panair, përveç ekspozimit të prodhimeve vendëse, patën shumë kontakte me partnerë tregtarë. Pjesëmarrja e bizneseve shqiptare është mbështetje e veçantë në përpjekjet e qeverisë shqiptare, nëpërmjet AIDA, për të nxitur biznesin vendas dhe veçanërisht atë eksportues .

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button