Lubomir Simoviq, shkrimtar dhe akademik serb, në një bisedë për të përditshmen serbe “Blic”, ka thënë se edhe nëse Serbisë ia kthejnë Kosovën, çfarë do të bënte me të. “Nëse tani, SHBA apo Bashkimi Evropian, do t’ua kthente Kosovën, si do ta integronit atë në Serbi? A do të ishte i mundur ai integrim, pas gjithçkaje që ka ndodhur?”, pyet akademiku serb.
Kujtojmë se kohë më parë, edhe akademiku tjetër serb, Dushan Teodoroviq, kishte dalë kundër idesë se ‘Kosova është zemra e Serbisë’.
Ai ishte shumë i ashpër me kritikat e tij ndaj qeverisë në Serbi, por nuk e kursen as opozitën.
Në një bisedë për “Al Jazeera” muajin e kaluar, ai foli për momentin aktual të Serbisë, për gjithëpranimin politik të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa theksoi se “Kosova më nuk është zemra e Serbisë, por ajo zemër është në Amerikë, Gjermani, Kanada e Suedi”.
“Njëherë pata thënë se zemra e Serbisë është në Amerikë, Gjermani, Suedi, Kanada, diasporë… Atje tani janë të rinjtë më të mirë e më të guximshëm të Serbisë, të cilët kanë pasur aftësinë që Serbinë ta çojnë në shoqërinë e vendeve kompetente evropiane”, kishte deklaruar Teodoroviq, transmeton Koha.net.
Ndërkaq, për sa i përket figurës së presidentit Vuçiq, akademiku serb tha se ai udhëheq fushata jo-fer politike, manipulon zgjedhjet, keqpërdor mediat elektronike me frekuenca nacionale si dhe shkel çdo ditë Kushtetutën.
“Shumë shpesh, ai paraqitet në televizionet ‘Pink’ dhe ‘Happy’, të cilat janë nën kontrollin e tij, sigurojnë çdo njeri normal që Serbia u fundos plotësisht në sistemin autokrat të qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit. Veç këtyre, nuk duhet harruar asnjëherë se Vuçiq në vitet e ’90-ta ka qenë sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe, një prej kriminelëve kryesorë të luftërave në Ballkan dhe ministër i informimit, të cilat e kanë çuar Serbinë në terr informativ”, kishte deklaruar akademiku serb, Dushan Teodoroviq.
Kritiku Teodoroviq thoshte se Vuçiq, si gjithnjë, edhe kësaj radhe po tenton t’ia hedh çdo përgjegjësi dikujt tjetër, duke iu referuar thirrjes për dialog të brendshëm për Kosovën.
“Aleksandar Vuçiq, si gjithmonë, dëshiron ta hedh tërë përgjegjësinë për çdo veprim eventual në të ardhmen në të gjithë akterët e skenës politike dhe në të gjithë qytetarët e Serbisë. Ka ftuar qytetarët e Serbisë për ‘dialog të brendshëm’ për Kosovën. Nëse zotëri Vuçiqi ka menduar që partitë politike dhe qytetarët duhet të tregojnë se çfarë mendojnë për mënyrat e zgjidhjes së problemit të Kosovës, është detyrë qytetare dhe njëfarë rendi që ai, si president i Republikës së Serbisë, të paraqes qëndrimet e tij. Vuçiqi na ka ftuar dhe tani hesht i frikësuar, në mënyrë që të mos humb ndonjë poen politik rastësish”, ishte shprehur akademiku serb.
Ai thoshte se vetëm njerëz të rinj, të panjollosur në vitet e ’90-ta, të cilët nuk janë të arsimuar në idetë nacionaliste, mund ta bëjnë një Ballkan Perëndimor më të mirë.
“Patjetër se pastaj do të kishte përzierje shumë të vogla në punët e fqinjëve. Disa ndoshta janë më shumë, e disa më pak të përzier, por në përgjithësi të gjithë janë të përzier [në punët e njëri tjetër në Ballkan]”, kishte shtuar ai, transmeton Koha.net.
Teodoroviq thoshte se dikur është menduar se edhe Sllobodan Millosheviqi është i pamposhtur, por “në fund fituam”, duke theksuar se opozita lufton çdo ditë kundër regjimit të Vuçiqit.
“Duhet të mësojmë nga gabimet që janë bërë pas rrëzimit të Millosheviqit nga pushteti”, theksonte akademiku i njohur serb. “Gjëja e parë drejt thyerjes së regjimit të Aleksandar Vuçiqit është lustrimi për të gjithë ata që me vite të tëra kanë vrarë të vërtetën për qytetarët e Serbisë dhe kanë penguar përfshirjen e Serbisë në shoqëri të shteteve të zhvilluara dhe moderne”.