“Allum Enterprises” është kompania që po blen ARMO-n, një tjetër offshore në horizont
Në nëntor të vitit 2017, në QKB është depozituar marrëveshja siguruese, e lidhur midis “ALLUM ENTERPRISES LIMITED” (barrëdhënësi) dhe shoqërisë “BANKA CREDINS” sh.a, (barrëmarrësi), me objekt: Krijimi i një barre siguruese mbi pasuritë e luajtshme te barrëdhënësit, si garanci për huanë e akorduar nga “BANKA CREDINS” sh.a., mbi objektin e mëposhtëm: Barrëdhënësi shoqëria “ALLUM ENTERPRISES LIMITED”, vendos barrë mbi 100% të kuotave që zotëron në shoqërinë “ALLUM ENTERPRISES” sh.a.
Allum Enteprises sipas ekstraktit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit është krijuar në gusht në vitit 2017 dhe pronari i saj është ALLUM ENTERPRISES LIMITED, një kompani e regjistruar në Angli në qershor të vitit 2017. Aktiviteti i saj është “agjentë të përfshirë në shitjen e karburanteve, metaleve dhe produkteve kimike”. Aksionerët realë nuk bëhen të ditur në të dhënat e kompanisë, por vetëm për adresën e saj. Në internet për këtë kompani nuk gjendet asnjë informacion, duke qenë sërish në linjën e sipërmarrjeve offshore që kanë shfrytëzuar ARMO-n.
Administrator i Kompanisë është Jeton Bajrami.
Marrëveshja me bankën
Marrëveshja ndërmjet bankës Credins dhe Allum Enteprises krijon një barrë siguruese mbi pasuritë e luajtshme të Barrëdhënësit si garanci për huanë e akorduar nga Banka Credins në bazë të kontratës së kredisë afatgjatë nr. 5828 me kredimarrës shoqërinë tregtare Allum Enteprises në shumën 2,267,000,000.
Shoqëria tregtare Allum Enterprises Limited vendos barrë siguruese në mbi 100 për qind të aksioneve dhe të drejtave që lidhen shoqëria ALLUM zotëron. Barrëdhënësi siguron Allum Enteprises së lidhur me pronësinë e kolateralet se, nuk ka pretendime nga palë të treta.
Barrëdhënësi siguron:
1-Pagimin e detyrimit të ardhshëm sipas kontratë së huasë
2-Shlyerjen e të gjitha detyrimeve të tjera që sipas ndonjë shtojce të kësaj marrëveshje apo ndonjë marrëveshje të mëvonshme që lidhen me kontratën.
3-Kryerjen e të gjitha veprimeve ligjore që burojnë nga aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë këtë marrëdhënie.
Në rast të mospërmbushje të detyrimit, barrëmarrësi i drejtohet gjykatës dhe zyrës së përmbarimit për sekuestrimin e kolateralit objekt i kësaj marrëveshje dhe ekzekutimin e barrës siguruese (titull ekzekutiv). Sipas marrëveshjes, barrëdhënësi ka të drejtë të ndryshojë apo të krijojë të drejta pronësie ose të drejta reale mbi kolateralin, ta përdorë atë si kolateral për detyrime të tjera të tashme apo të ardhme, të tijat apo të tretëve pa marrë pëlqimin me shkrim të barrëmarrësit. Mosmarrëveshjet që lindin ndërmjet palëve si rezultat i kësaj marrëveshje zgjidhen me mirëkuptim, në rast të kundërt kompetente do të jetë Gjykata e Tiranës.
Braktisja e ARMO nga IRTC
ARMO u kthye së fundmi në vëmendjen e publikut, pasi IRTC, që e shfrytëzoi rafinerinë e naftës deri në nëntor 2017 u largua duke lënë punonjësit pa punë (të cilët filluan protestat), ndërsa rezultoi që IRTC nuk kishte paguar as taksat. Sipas burimeve zyrtare të tatimeve, të publikuara nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, detyrimi fiskal i ITRC i krijuar në 2017 ishte rreth 4.7 miliardë lekë (rreth 35 milionë euro), kryesisht taksë qarkullimi. Në total, detyrimi tatimor i krijuar në vite nga ARMO është rreth 260 milionë euro (pa llogaritur fshirjet e detyrimit të para vitit 2010 për shkak të amnistisë fiskale).
Përveç detyrimeve ndaj furnitorëve dhe Albpetrol, ARMO kishte rreth 53 milionë euro kredi në bankat vendase, duke qenë dhe kreditori më i madh i keq në vend. Por, këto kredi tashmë janë ristrukturuar dhe pronat janë shitur dhe ARMO nuk është më në listën e kreditorëve të këqinj të Bankës së Shqipërisë.
Në janar të këtij viti, rafineria tjetër e ARMO-s, ajo e prodhimit të bitumit, e cila ndodhet në Fier, u shit në ankand 5 milionë dollarë. Blerësi ishte AL.Global Oil, një kompani e krijuar në vitin 2016, e cila kishte në bordin mbikëqyrës dy sipërmarrës të njohur në fushën e naftës, Shefqet Kastrati i grupit më të madh të naftës në vend, “Kastrati” dhe Frident Kuqi i “Europetrol Durrës Albania”, operatori i dytë më i madh i naftës në vend.
Historia e komplikuar e abuzimeve me ARMO
Në vitin 2008, ARMO u privatizua nga grupi Taçi Oil, që mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro. Grupi Taçi është tashmë i falimentuar.
Në vitin 2013, azerët e Heaney Assets Corporation blenë paketën e aksioneve të AMRA Oil. Azerët e përdorën për pak kohë kompaninë dhe më pas u tërhoqën. Në 2014-2015, përmes qiradhënies ARMO-n e shfrytëzuan Deveron Oil Albania, TPD-Trading Petrol & Drilling. Pas një periudhe disamujore ku aktiviteti mbeti pezull në shtator 2016 erdhi ITRC, që e mbylli si gjithë të tjetër, me një fund pa lavdi.
15% të aksioneve të ARMO-s janë ende në pronësi të shtetit, por nga institucionet shtetërore historikisht ka munguar transparenca se çfarë po ndodh me një nga kompanitë më të rëndësishme në vend.
Ekspertë të tregut pohojnë se me ARMO-n është abuzuar sistematikisht. Kompanitë që e marrin atë në përdorim nëpërmjet qirasë apo marrëveshjeve me bankat e shfrytëzojnë dhe ndërkohë nuk shlyejnë detyrimet ndaj shtetit. Në fund të gjithë largohen, duke lënë pas një mal me detyrime.