Ekonomia

ALUIZNI: Ja dokumentacioni për hipotekimin e apartamenteve në bregdet

Personat e stimuluar, subjektet e interesuar, të cilët kërkojnë kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësisë së ndërtuar, në përputhje me ligjin “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t, Tirana (4), brenda 60 ditësh dokumentacionin e nevojshëm, njoftoi të mërkurën Agjencia e Legalizimit të Zonave Informale.

Plazh-roje-bregdetareQeveria hapi dritën jeshile për hipotekimin e rreth 5000 apartamenteve në pallate të ndërtuara me leje ndërtimi në zonat bregdetare, në troje shteterore në fillim të kësaj jave.

Deri me tani qytetarët të cilët kanë blere këto apartamente nuk kanë mundur t’i hipotekojnë ato, pasi ndërtuesi nuk kishte blerë truallin. Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame javën që shkoi në një konferencë për shtyp bëri të ditur se për procesin e vetdeklarimit qytetarët kanë afat kohor 60 ditor.

“Nga evidentimi faktik, rezulton se deri më tani kanë aplikuar pranë nesh 91 subjekte për rreth 1200 apartamente të përfshira në këtë kategori. Janë 1200 apartamente që kanë blerë qytetarët. Janë disa qindra subjekte të tjera me rreth 4 deri në 5 mijë apartamente të shitura qytetarëve, të cilët nuk mund t’i regjistrojnë këto prona, pasi nuk kanë mundur të deklarojnë me ligjin e 2009″, tha Lame.

Procesi i vetëdeklarimit për apartamentet në zonat bregdetare fillon në 23 shkurt dhe përfundon në 24 prill. Sipas kreut te ALUIZNI-t të tilla objekte janë identifikuar në Gjirin e Lalëzit, Golem, Shkëmbi i Kavajës e të tjera. Lidhur me dokumentacionin që nevojtet për të bërë vetëdeklarimin e tyre, në faqen zyrtare të Agjensise Kombëtare te Turizmit bëhen publike edhe dokumentacioni i nevojshëm.

A. Kur kërkesa bëhet nga Subjekti i Interesuar

Kërkesën për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin, të plotësuar sipas formularit tip të miratuar nga ministri përgjegjës;
Kontratën e lidhur me personin e stimuluar për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtuar;
Planimetrinë dhe sipërfaqen në m² të njësisë së ndërtuar;
Dokumentet e pronësisë për njësinë e ndërtuar, nëse ka;
Kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.

B. Kur kërkesa bëhet nga Personi i Stimuluar

Kërkesën për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin, sipas formularit tip të miratuar nga ministri përgjegjës;
Marrëveshjen e qirasë apo të zhvillimit, të lidhur ndërmjet personit të stimuluar dhe qiradhënësit, nëse është lidhur një marrëveshje e tillë;
Lejen e ndërtimit dhe/ose lejen e sheshit të ndërtimit;
Projektin arkitektonik të miratuar;
Dokumentet e pronësisë për njësinë e ndërtuar, nëse ka;
Kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar;
Vërtetim nga Agjencia Kombëtare e Turizmit për detyrimet e marrëveshjes së qirasë, të llogaritura deri në momentin e zgjidhjes së marrëveshjeve.
Vendimin e organeve kompetente për dhënien e titullit person i stimuluar, nëse nuk kanë lidhur marrveshje zhvillimi.

Tarifa e aplikimit është 2 500 lekë, pagesa mund të shlyhet pranë çdo banke të nivelit të dytë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button