Politika

Ambasadat mohojnë ndërmjetësimin, riaktivizohet reforma zgjedhore me dyshen Gjiknuri-Alibeaj

Pas më shumë se 9 muajsh inekzistencë Komisioni i Reformës Zgjedhore do të mblidhet të premten në orën 11:00 me drejtimin e dy bashkëkryetarëve, socialistit Damian Gjiknurit dhe demokratit Enkelejd Alibeaj.

Pavarësisht kërkesës së kreut të grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi për të ndryshuar përbërjen e këtij komisioni dhe për zëvendësimin e Alibeajt me Oerd Bylykbashin, socialistët kanë zgjedhur të vijojnë punën me njeriun që përfaqëson interesat e Lulzim Bashës.

Pas letrës së firmosur nga dyshja Alibeaj-Gjiknuri për të kërkuar asistencën e ODIHR, prezenca e OSBE-së në Tiranë zhvilloi takime të ndara me bashkëdrejtuesit në ambientet e kryesisë së Kuvendit.

Socialisti Damian Gjknuri me anë të një postimi në Facebook tregon edhe çështjet për të cilat mazhoranca kërkon t’i zgjidhë në përmjet komisionit të riaktivizuar.

“Diskutuam mbi procesin e reformës zgjedhore, rifillimin e punës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar me synim adresimin në ligjin elektoral të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, shkroi Gjiknuri.

Pak orë më vonë ishte Alibeaj që priti përfaqësuesit e prezencës së OSBE në Tiranë. Takimet vijnë një ditë pasi Lulzim Basha falënderoi SHBA-BE dhe Britaninë e Madhe për ndërmjetësimin e tyre në rikthimin e komisionit të reformës zgjedhore, deklaratë që detyroi selitë diplomatike në Tiranë – në përgjigje të interesimit nga A2 CNN – të mohojnë përfshirjen në ndërmjetësim mes palëve politike.

“Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshirë Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim”, tha ambasada amerikane.

Edhe zyra e delegacionit të BE në Tiranë nuk pozicionohet si ndërmjetësues në këtë proces, por i kërkon politikës që produkti të jetë i brendshëm i Parlamentit dhe gjithëpërfshirës. Qasje kjo që u nënvizua nga përfaqësuesi i Brukselit Silvio Gonzato në komunikim me mediat nga Gjirokastra. “Kjo është e shkruar si e zeza në të bardhë edhe në raportin tonë vjetor, për reformën zgjedhore duhet dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Nuk mund të jem më i qartë se kaq”, tha ai.

Ambasada britanike mohoi gjithashtu ndërmjetësimin. “Ndërsa nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe konstruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar”.

Reagimet e partnerëve detyruan Lulzim Bashën të korrigjojë veten, me një postim në mediat sociale ku tashmë nuk flet për ndërmjetësim por mbështetje të ndërkombëtarëve ndaj komisionit të reformës zgjedhore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button