Ambasadori i BE-së Luigi Soreca përshëndet super-operacionin në Shkodër
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, ka reaguar pas operacionit “Oaz”, gjatë të cilit u arrestuan 11 persona, si pjesë e bandës “Bajri” në Shkodër. Ambasadori Luigi Soreca, përshëndet këtë operacion dhe e cilëson si të rëndësishëm, pasi lufta ndaj krimit dhe drogës në Shqipëri është prioritet për vendin dhe BE-në.
“Përshëndes operacionin e rëndësishëm të zhvilluar në Shqipëri dhe Holandë nga Punët e Brendshme, task forca speciale në bashkëpunim me disa forca policie të BE-së. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të drogës është prioritet për Shqipërinë dhe BE-në”, thotë ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca.
***
Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, ka punuar prej vitesh në rangje të larta në Bruksel dhe ka qenë i angazhuar me Shqipërinë gjatë procesit të liberalizimit të vizave. Luigi Soreca ishte Drejtor i Sigurisë në Komisionin Evropian. Ai është njohës i mirë i çështje të sigurisë, i legjislacionit në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda, dhe ka punuar me EUROPOL dhe CEPOL.
Veç liberalizimit të vizave me Shqipërinë ai ka udhëhequr këtë proces edhe me Marokun, Tunizinë apo me Federatën Ruse. Ai ishte përgjegjës për menaxhimin e Qasjes Globale ndaj Migrimit dhe Lëvizshmërisë si dhe për të tjera aspekte ndërkombëtare të migracionit. Si njohës i mirë i ligjit, ai ka ardhur në Shqipëri në momentin e duhur, pasi sapo ka nisur zbatimi i Reformës në Drejtësi.