Ambasadori Melo viziton qytetin e Zadarit, interes për rritje të bashkëpunimit
Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Ilir Melo zhvilloi një vizitë zyrtare në Bashkinë e Zadarit, ku u prit në takim nga Kryebashkiaku i qytetit të Zadarit, Božidar Kalmeta, i cili ka origjinë arbanase, shqiptarët që u zhvendosën nga zona e Shkodrës në rrethinat e Zadarit, rreth 300 vjet më parë.
Në fillim të takimit, Ambasadori Melo shprehu mirënjohjen e tij për pritjen dhe tha se gjithmonë e kishte të kërkuar për të ardhur në Zadar duke ditur se në këtë qytet jeton komuniteti shqiptar i arbanaseve.
Në fjalën e tij, Ambasadori Melo nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe theksoi se kjo frymë duhet të shtrihet edhe në bashkëpunimin në qeverisjen lokale, nëpërmjet mekanizmave projekteve të përbashkëta, shkëmbime vizitash dhe ekspertësh, binjakëzimet, marrëdhëniet midis universiteteve dhe shkollave të mesme, etj.
Të dy bashkëbiseduesit folën për mundësitë e bashkëpunimit në ekonomi, arsim dhe turizëm duke folur për bashkëpunimin me Universitetin e Zadarit dhe shkëmbimin e mundshëm të nxënësve. Ambasadori Melo vuri në dukje se vendi ynë është i interesuar për përvojën e Kroacisë dhe Zadarit në thithjen e fondeve të BE-së dhe aplikimin në projekte të përbashkëta.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se mbetet e rëndësishme koordinimi për projekte të rëndësisë strategjike siç është Autostrada Adriatiko-Joniane dhe IAP. Gjithashtu një vend të veçantë në takim zuri diskutimi mbi bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe u ftuan agjencitë turistike te Zadar-it të marrin pjesë në vizita informuese për potencialet turistike të Shqipërisë.
Ambasdori Melo vizitë në Prefekturën e Zadarit
Gjatë vizitës ne qytetin e Zadarit, Ambasadori Melo zhvilloi një vizitë zyrtare në Prefekturën e Zadarit, ku u prit në takim nga Prefekti, Stipe Zrilić.
Ambasadori Melo pasi falënderoi prefektin për mikpritjen, shprehu kënaqësinë që ndodhet në qytetin e Zadarit duke ditur se në këtë qytet në të cilin jeton komuniteti shqiptar i arbanaseve, ka dhe një pakicë të konsiderueshme shqiptarësh. Në fjalën e tij, Ambasadori Melo vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe theksoi se qëllimi i vizitës në këtë prefekture është shtrirja e këtyre marrëdhënieve edhe në nivel lokal.
Në vijim Prefekti, Stipe Zrilić informoi ambasadorin mbi karakteristikat gjeografike, historike, kulturore dhe ekonomike të Qarkut Zadar, me theks në objektet turistike dhe lidhjet e transportit etj. Në këtë drejtim, theks i veçantë ju dha mundësisë së lidhjeve detare mes dy vendeve si pjesë e strategjisë Adriatiko-Joniane .
Gjithashtu midis bashkëbiseduesve u diskutua ne lidhje me projekte e përbashkëta për mbrojtjen e plotë të Adriatikut. Qarku Zadar deri tani ka përfunduar 24 projekte të financuara nga fondet e BE-së në vlerë prej 31,582,129.32 euro, dhe aktualisht janë 14 projekte në zbatim nga të cilat 6 janë në partneritet me Shqipërinë.
Në përfundim Ambasadori Melo deklaroi se Shqipëria ka interes në shkëmbimin e eksperiencës me qytete si Zadari veçanërisht në përvojën e përgatitjes së aplikimeve për fondet e BE. Ne këtë kontekst, Ambasadori Melo tha se, bashkëpunimi lokal është i rëndësishëm sepse preket drejtpërdrejt nga njerëzit duke përmendur se bashkëpunimi rajonal është në të mirë të gjitha vendeve.