Ekonomia

AMF-ja të monitorojë shoqëritë e sigurimit për pagimin e dëmeve

treguAdministrimi i rreziqeve të fondeve të investimeve, veçanërisht rrezikut të likuiditetit; Amendime ligjore për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike; nxitja e sigurimeve vullnetare, janë disa nga angazhimet e tjera që Kuvendi i kërkon AMF-së

Kuvendi I Shqipërisë ka miratuar rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2014. Kuvendi ka vlerësuar veprimtarinë e Autoritetit në drejtim të: Forcimit të rolit mbikëqyrës dhe rregullator të AMF-së në përmbushje të objektivave të saj, nëpërmjet forcimit të pavarësisë, llogaridhënies dhe të përgjegjshmërisë; Përmirësimit të vazhdueshëm të kuadrit ligjor dhe nënligjor, në përputhje me parimet ndërkombëtare dhe direktivat europiane; Mbrojtjes së interesave të konsumatorëve dhe investitorëve, duke garantuar në të njëjtën kohë zhvillimin dhe sigurinë e operatorëve të mbikëqyrur; Hartimit të metodologjisë së mbikëqyrjes me fokus riskun për tregun e sigurimeve dhe krijimin e platformës bazë për të bërë të mundur tarifimin me bazë riskun; Plotësimit të detyrimeve të shoqërive të sigurimit ndaj Byrosë për financimin e Fondit të Kompensimit për pagesat e prapambetura.
Për vitin 2015, Kuvendi ka kërkuar që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të angazhohet në monitoronin shoqëritë e sigurimit për pagimin e dëmeve, administrimin e rreziqeve të fondeve të investimeve, veçanërisht rrezikut të likuiditetit, amendimet ligjore për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike etj.Kërkesat e Kuvendit për AMF
– Të ndërmarrë ndryshime strukturore dhe organizative të nevojshme për t’iu përshtatur prirjeve të zhvillimit të tregjeve nën mbikëqyrje dhe sfidave që shtrohen për mbikëqyrjen dhe rregullimin e tyre.
– Të paraqesë, brenda muajit shtator 2015, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, amendimet ligjore për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike, si dhe të vijojë zbatimin e masave stabilizuese në tregun e sigurimeve dhe vendosjes së standardeve të mirëpërcaktuara, në lidhje me rezervat minimale, nivelin e likuiditetit, mjaftueshmërisë së kapitalit, praktikave të provigjonimit dhe sidomos përmirësimin e raportit dëme/prime.
– Të forcojë kapacitetet mbikëqyrëse, duke specializuar aftësitë në funksion të një mbikëqyrjeje efektive që i përgjigjet në kohë dhe në cilësi kompleksitetit dhe zhvillimit të tregjeve.
– Të plotësojë kuadrin rregullator për të përmirësuar administrimin e rreziqeve të fondeve të investimeve, veçanërisht rrezikut të likuiditetit, vlerësimit të aseteve të tyre, sipas praktikave ndërkombëtare, si dhe të forcojë edukimin e investitorëve në skemat e investimeve kolektive.
– Të sigurojë që kompanitë të kenë politikat e tyre të menaxhimit të rrezikut dhe veprimtaria rregulluese dhe mbikëqyrëse e Autoritetit të riformatohet për t’iu përshtatur ndryshimit të profilit të rreziqeve të tyre.
– Të hartojë politika mbështetëse për zgjerimin e gamës së produkteve në fushën e sigurimeve vullnetare të jetës dhe jojetës, si dhe në fushën e pensioneve vullnetare, duke rritur ndërkohë edhe vetëdijësimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve për të përdorur produktet që ofron tregu.
– Të rrisë ndërgjegjësimin e publikut, në bashkëpunim me kompanitë e sigurimit, në lidhje me produktet e sigurimit në sektorin e bujqësisë, sidomos për sigurimin nga ndikimi i motit.
– Të vazhdojë përmirësimet për të optimizuar funksionimin e faqes zyrtare online.
– Të monitorojë plotësimin e detyrimeve të shoqërive të sigurimit ndaj Byrosë, për financimin e Fondit të Kompensimit dhe ndjekjen e zbatimit të vendimeve për kryerjen e pagesave të dëmeve, objekt i këtij Fondi, në kohën e duhur.
– Të monitorojë dhe të auditojë procedurat e ndjekura nga shoqëritë e sigurimit për trajtimin e dëmeve të paguara dhe atyre të mbetura pezull, kryesisht dëmet në proces gjyqësor dhe dëmet e refuzuara.
– Të inkurajojë dhe të rrisë besimin e konsumatorit në rolin e AMF-së, nëpërmjet ngritjes së një kuadri bazë për parandalimin e abuzimeve në treg, dhe rritjes së efektshmërisë së funksioneve të AMF-së.
– Të kontribuojë në rritjen e qëndrueshmërisë financiare, nëpërmjet hartimit të kuadrit të masave për administrimin e situatave problematike në sistemin financiar në vend, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button