Ekspozita

Anri Sala, në një bisedë për kujtimet e trupit

Artisti i njohur bashkëkohor do të jetë në një bashkëbisedim mbi artin më 7 korrik në Art House në Shkodër

Sa mund ta kuptojmë atë çfarë ndodh sot me shoqërinë dhe individin përmes gjuhës së trupit? A mundet arti të hulumtojë këtë gjuhë kaq të mistershme dhe njëkohësisht shprehëse? Anri Sala, një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor, do të vijë më 7 korrik në Art House në qytetin e Shkodrës, në një bashkëbisedim për këtë komunikim, dhënë përmes vizionit të një artisti që gjithnjë sheh përmes veprave të tij përtej. Pas një karriere ndërkombëtare, kjo është hera e parë që Sala vjen në Shqipëri për të prezantuar para publikut një grup punimesh që ka krijuar gjatë veprimtarisë së tij artistike dhe për të diskutuar mbi motivet që e shtyjnë në krijimtarinë e tij. “Në krijimtarinë time kam ndeshur një interes të veçantë për gjestin, qoftë kur ai që shfaqet si reagim fizik ndaj një situate apo rrethane imediate, apo si një element komunikues – ndonëse jo gjuhësor apo verbal – nëpërmjet të cilit trupi ‘mban mend’ dhe kultivon një aftësi të veçantë për të kujtuar një periudhë të caktuar në kohë. Trupi mishëron nëpërmjet gjestit, lëvizjeve apo shprehive të tij koreografike memorien e tij, duke përcjellë të shkuarën, impaktin, mbresat dhe gjurmët e saj në të tashmen. Në këtë kuptim, gjestet janë gjurmë të së shkuarës, të cilat nuk janë prezervuar nga procese natyrore sikurse fosilet apo gjetjet arkeologjike, por nga aftësia e qenies sociale nëpërmjet trupit të saj për të kujtuar dhe për të mos harruar”, thotë Sala. Sipas tij, “natyra e këtyre gjesteve, shprehive koreografike apo lëvizjeve trupore merr një kuptim edhe më të plote në situata tranzicioni kur zhvillime politike apo sociale provokojnë një thyerje në besim apo ideologji, duke nxjerrë nga binarët shtyllat e botëkuptimit (common-sense) të shoqërisë dhe duke ndërprerë rrjedhën familjare të gjërave apo sistemin ekzistues të vlerave. Duke tejkaluar limitet e gjuhës, trupi i individit dhe i shoqërisë gjen nëpërmjet gjesteve, lëvizjeve dhe shprehive koreografike, aftësinë që të procedojë, memorizojë dhe kapërcejë këto momente thyerjesh, pështjellimi politik dhe çrregullimi social, duke krijuar rrugë alternative për të trashëguar historinë e vet”.

Anri Sala lindi në Tiranë, në vitin 1974. Aktualisht jeton dhe punon në Berlin. Ndër ekspozitat personale mund të veçojmë: në vitin 2016 Neë Museum, Nju Jork “Anri Sala: Answer Me”. Në vitin 2014 Haus der Kunst “The present moment”, Mynih, Gjermani. Në 2013-n, La Biennale di Venezia ku ka përfaqësuar Francën me “Ravel Ravel Unravel”. Në vitin 2011, Museé d’Art Contemporain Montreal, Quebec, Kanada. Në 2005-n, Fondazione Nico – la Trussardi “Long Sorrow” Milano, Itali.
Ndër ekspozitat e shumta kolektive mund të përmendim: në 2015-n “12th Havana Biennial” Havana; në 2014-n, Fondazione Prada “Art or Sound” Venecia, Itali; në vitin 2013, “The National Museum of Modern Art” Reading Cinema, finding works: Art after Marcel Broodthaers”, Kioto, Japoni; në vitin 2011 National Museum of Contemporary Art “Art of Communication” Seul, Kore; në vitin 2010, Jeu de Paume “Faux Amis/An Ephemeral, Video Library” Paris, Francë; në 2007 Museé National d’Art Moderne, Centre Pompidou “Airs de Paris” Paris, Francë.
Është fitues i disa çmimeve si: në vitin 2014 The Vincent Award 2014, The Hague, The Netherlandas; në vitin 2001 La Biennale di Venezia “Young Artist Prize” Venezia, Itali.
Në bisedën e tij në Art House, ai do të përqendrohet në interesin për gjestin, shprehitë koreografike dhe lëvizjet trupore. Gjatë prezantimit, do të shfaqen pjesë nga punët e tij: Intervista, Nocturnes, Uomoduomo, Naturalmystic, Time after Time, Long Sorrow, 1395 Days without Red, Ravel Ravel dhe Unravel.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button