Kronika

AP: Dhuna ndaj grave, ende problem i përhapur në shoqëri

Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar lidhur me ngjarjet që tronditën opinionin publik, ku një grua mbeti e vrarë në Fier për shkak të dhunës nga bashkëshorti dhe dy gra të tjera u dhunuan në Dibër.

avokati-i-popullit-610x382Me anë të një deklarate për shtyp, Avokati i Popullit dënon këto akte dhe thekson se duhen marrë masat e nevoshme për t’i parandaluar.

“Opinion publik u trondit sërish sot nga vrasja e një gruaje në Fier dhe dhunimi i dy grave të tjera në Dibër. Kjo situatë është tregues i qartë se dhuna ndaj grave në familje, vazhdon të mbetet një fenomen mjaft i përhapur dhe problematik për shoqërinë tonë”, deklaron Avokati i Popullit.

“Institucioni i Avokatit të Popullit e ka pasur gjithnjë në vëmendje të punës së tij problematikën e dhunës ndaj grave. Avokati i Popullit ka evidentuar problematika dhe sugjeruar ide për zbatimin nga të gjitha autoritetet shtetërore përgjegjëse apo edhe organet e drejtësisë, të parashikimeve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Në Kuvendin e Shqipërisë prej datës 24.07.2012 është depozituar një raport i veçantë për dhunën ndaj grave, i cili ende nuk është shqyrtuar”, thuhet në deklaratë.

Nëpërmjet rekomandimeve të tij, Avokati i Popullit ka kërkuar që integrimi gjinor duhet të jetë pjesë e gjithë politikave sociale, ekonomike dhe politike në Shqipëri për të pasur arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm nëpërmjet shfrytëzimit të potencialit të plotë njerëzor të vendit, sikurse dhe garantimit të gëzimit të këtyre arritjeve nga të gjitha grupet shoqërore.

Gjithashtu kërkohet zbatimi i masave të parashikuara në Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe asaj në Familje 2011-2015, të cilat kërkojnë krijimin e procedurave dhe mundësive për nënkontraktimin e OJF-ve, për të ofruar shërbimet përkatëse për viktimat e kësaj dhune.

Kërkohet edhe aplikimi i politikave lidhur me pjesëmarrjen e grave dhe vajzave nga skemat e mbështetjes me të ardhura, në programe aktive punësimi, formimi profesional dhe ritrajnimi, me synim përmirësimin e gjendjes ekonomike të grave.

AP rekomandon gjthashtu rritjen e punës së organeve të policisë dhe drejtësisë, me qëllim identifikimin e autorëve të veprave penale të dhunës ndaj grave dhe dënimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër.

Nga AP është rekomanduar edhe ngritja dhe forcimi i mekanizmave për barazinë gjinore në nivel qendror dhe vendor, veçanërisht shpejtimin e procesit për emërimin e nëpunësve gjinorë në strukturat e ministrive dhe të nëpunësve vendorë për çështjet gjinore në bashkitë e vendit.

“Dhuna në familje është një fenomen mjaft i përhapur në shoqërinë shqiptare dhe si rrjedhojë, është përgjegjësia e shtetit, komunitetit dhe individëve të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ta ndaluar atë, në mënyrë që nesër listës së viktimave të mos u shtohen emra të tjerë”, përfundon deklaratën e tij AP.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button