Arrestohen deputetet Mark Frroku dhe Tom Doshi
Pak më shumë se 3 orë pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë për lejimin e arrestimit të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit janë vënë në lëvizje për ekzekutimin e urdhër-ndalimeve për dy deputetët.
Urdhëri është lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme pak pas orës 15:00 dhe një korrier ka lënë ambientet e Prokurorisë së bashku me urdhër-ndalimin në orën 15:25, për të mbërritur 10 minuta më pas, në 15:35 në zyrat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Policisë së Tiranës i janë dashur vetëm pak minuta për të organizuar planin e ndalimit dhe zbatimin e dy urdhër-ndalimeve thuajse në të njëjtin interval kohor. Dy grupe të forcave “Shqiponja” të shoqëruar nga oficerët e Policisë Gjyqësore dhe prokurorët janë drejtuar, njëra për në biznesin e deputetit Mark Frroku dhe tjetra për në banesën e deputetit Tom Doshi.
Rreth orës 16:30 të dy grupet e efektivëve të policisë kanë qenë në të njëjtën kohë në të dy objektet për të ekzektuar urdhër- ndalimet. Më i lehtë ka qenë ekzekutimi i urdhërit të ndalimit për deputetin Mark Frroku, i cili ka qenë në ambientet e biznesit të tij në zonën e Kombinatit në prani të avokatëve Saimir Visha dhe Genc Gjokutaj.
Janë dashur vetëm pak minuta që prokurorët dhe efektivët e policisë t’i komunikojnë Frrokut akuzën e ngritur ndaj tij dhe më pas të prangosur e kanë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, rreth 30 minuta më vonë, ndërkohë që avokatët kanë qëndruar me oficerët e policisë për të zbatuar urdhërin e kontrollit të banesës.
Nuk ka qenë kaq e thjeshtë në banesën e deputetit Tom Doshi, pasi ky i fundit nuk ka pranuar të shoqërohet dhe as të kryhet kontrolli i banesës së tij pa ardhur më parë avokati i tij mbrojtës. Në orën që patrullat e policisë ndodheshin në banesën e Tom Doshit, avokati i tij Vladimir Meçi sapo kishte dalë nga zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme, ku nuk kishte mundur të takonte asnjë nga prokurorët.
Gjatë kësaj kohe, deri kur mbërriti avokati, deputeti Tom Doshi ka gjetur kohën për të postuar dhe një status në rrjetin e tij social Facebook, duke deklaruar se “gjendet në banesën e tij në pritje të përballjes me Prokurorinë në gjykatë.”
Pas më shumë se 50 minuta dhe pas mbërritjes në banesën e Doshit të avokatit të tij mbrojtës, rreth orës 17:25 minuta, efektivët e policisë kanë shoqëruar deputetin Tom Doshi dhe me një prej automjeteve të tyre, janë nisur në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.
Vetëm pak minuta pas mbërritjes së deputetit Doshi në polici është shfaqur dhe avokati i tij mbrojtës, Vladimir Meçi, i cili është shprehur se do kërkohet lirimi i menjëhershëm në Gjykatën e Lartë, pasi është shkelur Kushtetuta dhe vetë vendimi i Parlamentit.