Kronika
Arrestohet Fatos Tushe dhe 10 zyrtarë/: Dëmi ekonomik 24 mln lekë, falsifikuan dokumentet për të fituar tenderin
Kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe u arrestua sot si rezultat i një operacioni të SPAK, pasi akuzohet për korrupsion në një tender me vlerë 24 milionë lekë, për ndërtimin e kanalit vaditës në rrethinat e Lushnjes. Mësohet se hetimet për këtë aferë kanë nisur në korrik 2020.
Ndërsa të arrestuarit e tjerë janë: Flamur Peqini, Ibrahim Lami, Bujar Murati, Gazmend Çela, Bektash Nexha, Blerta Turku, Xhemal Hasko, Margarita Gjermëni, Andi Musho, Ani Simoni. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar më vendim nr.50 datë 05.07.202 ka caktuar masat e sigurimit arrest me burg për shtetasit: Fatos Tushe, Flamur Peqini, Ibrahim Lami, Bujar Murati, Gazmend Çela, Bektash Nexha, Blerta Turku. Gjithashtu me vendimin nr.50 datë 05.07.202 ka caktuar masat e sigurimit arrest shtëpie për shtetasit: Xhemal Hasko, Margarita Gjermëni, Andi Musho, Ani Simoni.
Mes 11 të arrestuarve, sëbashku me kryebashkiakun Fatos Tushe janë edhe dy administratorë kompanish. Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti shpk dhe Bujar Murati, administrator i kompanisë Euro Alb shpk. Ata akuzohen për falsifikim dokumentesh.
Komapnia Euro Alb ka fituar në tetor 2020, tenderin për “Rehabilitimi i kanalit ujitës U3-27, V-1/1, në fshatin Bishqethem dhe Bitaj, Nja Kolonjë”, me vlerë 24 milionë lekë. Së bashku me ‘Euro-Alb’ kanë qenë edhe dy kompani të tjera në garë, por duke qenë se ajo ka futur dokumente të falsifikuara për favorizim në këtë garë, ka arritur ta fitojë.
“Fatos Tushe dyshohet për shpërdorim detyre në kuadër të një hetimi të nisur në korrik 2020 për shkelje të barazisë në tendera. Por hetimi përfshin gjithashtu edhe 10 persona të tjerë që shumica e tyre janë zyrtarë të ndërmarrjes së pasurisë publike në Bashkinë Lushnje, ku përfshihet si i arrestuar edhe drejtori i kësaj ndërmarrje Flamur Peqini, i dyshuar edhe ky për shpërdorim detyre dhe për shkelje të barazisë të pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike.
Të arrestuar për këtë çështje janë edhe dy administratorë të kompanive private ‘Euro’ e ‘Loti’, shtetasit Ibrahim Lami e Bujar Murati, të cilët dyshohet se kanë vendosur dokumente të falsifikuara në një dosje që më pas i ka shpallur ata fitues në një tender të shpallur nga Bashkia Lushnje në 2020. Ndërkohë SPAK nuk ka evidentuar në njoftimin zyrtar se sa është dëmi ekonomik, megjithëse jo zyrtarisht thuhet se bëhet fjalë për një dëm 24 milionë lekë”.