Arrestohet Guvernatori Ardian Fullani dhe kryeinspektorja Golemi
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe inspektorja e përgjithshme e këtij institucioni, Elivar Golemi janë vënë në pranga mbrëmjen e së premtes nga agjentët e policisë së Tiranës.
Sipas informacioneve paraprake, guvernatori Fullani dhe Golemi janë arrestuar pas një urdhër-arresti të lëshuar ndaj tyre nga Prokuroria e Qarkut Tiranë.
Mësohet se Fullani edhe bashkëpunëtorja e tij, Golemi, akuzohen për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Arrestimi i dy zyrtarëve të lartë vjen pasi gjatë paradites në Prokurori u morën në pyetje zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi, Ela Golemi dhe Teuta Baleta.
Prokurori Ramadan Troçi e çeli këtë proces proçedurial me marrjen në pyetje të ish-inspektores së pergjithshme përgjatë 2006-2011, Teuta Baleta.
Ajo u pyet nga ora 8.30 deri në orën 10 dhe mësohet të ketë dhënë shpjegime për detyrat funksionale të inspektorit të përgjithshëm, e për t’i dhënë përgjigje pyetjes nëse është detyrë e tij për të audituar Departamentin e Emisionit, i cili rezulton se është lënë pa audit për dy vjet.
Pas saj është pyetur anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës, Ermelinda Meksi, që foli para prokurorëve për mbi 2 orë. Në dalje nga prokuroria, zonja Meksi zgjodhi të heshtte për të respektuar sekretin hetimor. “Në respekt të sekretit hetimor nuk mund të flas”, tha ajo.
Por burime jozyrtare thonë se zonja Meksi ka shpjeguar nëse Departamenti i Emisionit ku ndodhi supervjedhja e 713 milionëve në fakt funksiononte me një rregullore, zbatimi i të cilës sipas saj nuk verifikohej nga Bordi Mbikëqyrës, por ishte detyrë e Departamentit të Kontrollit.
Meksi është shprehur se ka kërkuar shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani menjëherë pas skandalit të vjedhjes, ndërkohë që ka shtuar se guvernatori ka pushtet të pakufizuar. Të dhënat e tjera konsiderohen sekrete për publikun.
Anëtarja tjetër, Ela Golemi është pyetur për aktet nënligjore dhe rregulloret e Departamentit të Emisionit, ndërkohë që edhe ajo ka heshtur në dalje të prokurorisë.
Fusha: Hetimet drejt fundit
Ndërkohë, kryeprokurori i qarkut të Tiranës, Petrit Fusha deklaroi për mediat se hetimeve do t’u shkohet deri në fund.
“Për momentin nuk kemi persona nën hetim, por do thërrasim të gjithë personat që janë në dijeni. Hetimet po vazhdojnë dhe në përfundim do të vendosim. Ato do të përfundojnë së shpejti”, tha Fusha.
Të hënën pritet të thirren katër anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës, Ardian Civici, Petraq Milo, Elisabeta Gjoni dhe Dhori Kule, përmes të cilëve prokuroria shpreson të mësoje se cili është kuadri ligjor i nxjerrë nga bordi për Departamentin X në Linzë dhe cilët janë përgjegjësit për mos zbatimin e tij.
MIRE JA BEJNE DERRIT