Arroganca dhe vetëdija e Shkëlzen Berishës për t’iu fshehur drejtësisë
Mero Baze
Për një vilë të tillë çmimi fillon nga 10 mijë euro në muaj. Një miku im që e ka më pak se gjysma e kësaj sipërfaqe, e ka dhënë ndërkohë për 7 mijë euro në muaj. Të tjerë i kanë çmimet nga 6, në 16 mijë euro.
Shkëlzen Berisha është përpjekur ta fshehë këtë marrëdhënie me Ilir Shtufin, ndërtuesin formal të kullës dhe nuk ka bërë kontratë direkt në emër të vet për vilën. Ka bërë një kontratë në emër të partneres së tij Armina Mevlani, me një qira simbolike 2 mijë euro.
Këtë e ka bërë të shmangë detyrimin për ta deklaruar në formularin e deklarimit të pasurive të babait të tij, Sali Berisha.
Por kjo nuk ndryshon gjë. Përkundrazi kjo e forcon dyshimin për raportin e fortë që ai ka me ndërtuesin e vilës, dhe përpjekjet e tij te qëllimshme, për të fshehur raportet me të. Qiraja formale për partneren e tij në vlerë gati sa një e pesta e çmimit real, është një fakt më i rëndë, se sa të mos pasurit fare kontratë. Fakti që nuk e ka vënë kontratën në emër të vet, tregon qëllimin e tij për t’iu fshehur detyrimeve ndaj drejtësisë.
Por po të kemi parasysh se investigimet e fundit të SPAK për gjurmime pasurie ministrash, janë bërë duke pyetur dhe marangozë dhe pllakaxhi, nuk është vështirë të gjesh kosotot e çdo prone të tij nga ato që jep me qira dhe këto që merr me qira, që të duket i pastrehë. Kam frikë se atij më shumë i ka kushtuar rregullimi i vilës me qira, se sa e ka blerë atë.
Mos të them pastaj që instagrami i Arminës, mund t’i bëjë varrin dhe miliardierëve të botës dhe jo më Shkëlzenit, që merr vila luksoze me qira se nuk jeton dot në apartamente luksoze që ka në pronësi. Nuk po e ngatërrojmë zotin Shtufi në këto llogari, se ndoshta nuk e di fare ku është kjo vila në emër të tij.
Nga ana tjetër arroganca me të cilën Shkëlzeni përpiqet të sqarojë se ishte me qira dhe se kishte 17 vite që jetonte me qira, bie ndesh me përuljen që ai duhet të ketë para drejtësisë, nëse përballet me listën e pasurisë së tij, me apartamentin tek hyrja e Liqenit mbi Gardë, të cilin e përfitoi pasi bllokoi ndërtuesin për 4 vjetë të mos ndërtonte dhe befas u bënë pronar bashke me Flamur Nokën, është po ashtu pronar apartamenti tek ETC dhe tek pallati ku banon babai i tij.
Nëse ke kaq shumë apartamente luksoze, nuk e kuptoj çdo të thotë të mburresh që jeton me qira. Me qira jeton një hallexhi që s’ka prona, jo një që nuk di ku të jetojë më parë. Më lehtë e ka pasur të thotë e kam hobi të partneres, se asaj i besohet çdo gjë.
Por fakti që ai është arrogant, tregon se ja ka pirë lëngun drejtësisë së vjetër e të re dhe mendon se ato i takojnë si djali i Sali Berishës, të cilin nuk e prek dot askush. Nuk është hera e parë që e bën këtë.
Shikoni si mbrohet nga krimi i Gërdecit dhe gjurmët që ka lënë gjithandej. Me gënjeshtra të trasha para fakteve kokëforta, pa ju trembur syri fare.
Shikoni si justifikon faktin pse del pronar me shokët e vet në çdo familje të madhe të Shqipërisë. Gati të thotë që familjet e mëdha të Shqipërisë kanë lënë amanet që djalit të Saliut t’i japin te gjitha nga 30 hektarë si pasardhës.
Përpjekja e tij për t’u gëzuar “se ne e akuzuam për kullën dhe mezi i gjetëm një vilë me qira”, tregon se ky njeri e di mirë çfarë ka dhe çfarë bën, por thjesht bëhet nervoz kur ne ja kërkojmë t’i thotë. Dhe në këtë rast, ai mendon se duke pranuar që fle në vilën e Ilir Shtufit, duke zbuluar që kontratën e ka bërë në emër të partneres me çmim qesharak, dhe akoma më keq, duke na thëne se ka 17 vjet që jeton me qira, na mbush mendjen që nuk ka gisht tek kulla.
Në fakt të gjitha këto janë detaje të një profili mafioz, të metodave se si një mafioz që vjen nga politika dhe lidhjet me krimin, fsheh pasuritë dhe mbi të gjitha, se si ndjehet i paprekshëm nga ligji dhe shtypi, pas gjithë kësaj, duke u përpjekur t’i trajtojë të gjithë si ata budallenjtë që ka rrotull vetes, zyra e babait.
Sot panorama është dhe më e thjeshtë. Katër ditë përpara thoshin na gjeni një lidhje me pronarin e kullës dhe e pranojmë. Tani kemi gjetur që Shkëlzeni jeton tek një shtëpi me emrin e pronarit të kullës dhe ka bërë kontrata me partneren e tij me qira simbolike.
Nesër mund t’i dalin lidhje dhe më të rënda, në raportet mes tyre. E vetmja mënyrë të mbrohet është të thotë që nuk është vila e Ilir Shtufit, por e imja, dhe se ai vetëm sa ka emrin. Këtë e besojmë se mund të jetë e vërtetë. Por edhe kjo tregon që Shtufi është i punësuar i tij. Ose i emëruari i tij për t’u quajtur pronar gjithandej. Dhe tek kulla gjithashtu.