Arvizu takon deputetët e PD-së: Reforma në gjyqësor urgjente dhe gjithëpërfshirëse
Debati i ndezur politik i ditëve të fundit mbi reformën në drejtësi, ka përfshirë pa dyshim edhe ambasadorin amerikan në vendin tonë, Aleksandër Arvizu.
Pas një takimi në selinë e Partisë Demokratike me deputetët Bylykbashi, Halimi dhe Ristani, ambasadori amerikan ka theksuar se reforma në gjyqësor duhet të ketë një përparësi urgjente në Shqipëri.
“Jam takuar me zotin Halimin, Bylykbashi dhe Ristani dhe fokusi kryesor i takimit ishte reforma gjyqësore, – pranoi Arvizu para medieve pas takimit. – Këndvështrimi amerikan për këtë çështje ka qenë konsekuent dhe reforma gjyqësore është një përparësi urgjente për vendin. Përmend KLD-në, pasi del shpesh në lajme. Folëm edhe për KLD, duke parë performancën jo të barabartë të saj, por KLD duhet të jetë pjesë e këtij diskutimi”.
Arvizu bëri thirrje se pjesëmarrja e plotë në Kuvend do të sillte një debat më gjithëpërfshirës: “ Pikëpamja e SHBA-ve, është se qasja më efektive është ajo gjithëpërfshirëse, ku njerëzit marrin kohën e duhur dhe mënyra më e mirë është pjesëmarrja e plotë në parlament, si dhe konsultime të plota me të gjithë aktorët. Kjo përfshin aktorët e brendshëm, por edhe ndërkombëtarët, siç është Komisioni i Venecias, EURALIUS, OSBE-ja. Dhe pozita jonë është shumë e ngjashme me atë të delegacionit të BE dhe praninë e OSBE-së”, – përfundoi Arvizu.