AShK Shkodër shqyrton në terren 3400 aplikime për shtëpitë e vjetra dhe oborret në përdorim
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (AShK) ka shtuar punën në terren për trajtimin e aplikimeve që lidhen me shtëpitë e vjetra dhe oborret në përdorim në qytetin e Shkodrës.
AShK bën me dije se specialistët po shqyrtojnë rreth 3400 kërkesa në të gjithë territorin e kësaj bashkie.
Procesi është përqendruar në lagjet historike të qytetit, ku ekipet teknike po kryejnë matjet e detajuara për çdo objekt.
Ky hap sipas AShK-së Shkodër synon dokumentimin e saktë teknik, që do t’i hapë rrugë finalizimit të procesit të regjistrimit të pronave.
AShK Shkodër njofton se është pranë banorëve në lagjet e vjetra shkodrane, ku po kryhen matjen e çdo shtëpie, me qëllim dokumentimin e saktë dhe avancimin e procesit të regjistrimit.
Bëhet fjalë për lagjet Toptan, Xhabije, Ndocej, Rus, Dërgut, Gjuhadol, Tom Kola, Skënderbeg, Perash, Arra e Madhe dhe Draçin.
Kadastra Shqiptare ka njoftuar më herët qytetarët që kanë ndërtuar banesa para vitit 1991 dhe nuk zotërojnë ende një titull pronësie, që mund ta përfitojnë këtë të drejtë përmes një aplikimi të thjeshtë online në portalin “e-Albania”.
Për të nisur procesin, mjafton të zgjidhet shërbimi “Kalimi në pronësi i objektit pa titull / truallit funksional / oborrit në përdorim”, dhe të plotësohet kërkesa elektronike me të dhënat përkatëse.
Pas dorëzimit të aplikimit, Drejtoria Vendore e ASHK e shqyrton dokumentacionin dhe nëse aplikimi është i saktë, qytetarit i jepet titulli i pronësisë, i cili më pas mund të regjistrohet zyrtarisht.
/e.i/ /a.g/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.