Kronika

Atentati në Elbasan/ Kush është i plagosuri Bledar Muça, miku i Çapjes

37 vjeçari Bledar Muça që mbeti i plagosur sot në Elbasan nuk është emër i panjohur. Ai është akuzuar 3 vite më parë për vrasjen e biznesmenit Ilir Rexhepi. Akuza që ai i ka mohuar. Sakaq në masakrën e 3 Shkurtit në Elbasan, ku mbetën të vrarë 3 persona nga fisi Capja dhe disa të plagosur ishte edhe Bledar Muça. Në shkurt ai mori plagë të lehta dhe la lokalin të nesmen e atentatit.

Bledar Muça, me origjinë nga Peshkopia, është i lindur dhe i rritur në Elbasan. Ai është vëllai i Ferit Muçës, 42-vjeçarit që u plagos rëndë në të njëjtin atentat.

Emri i tij është i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi, vrasje të ndodhura në kohë të ndryshme në qytetin e Elbasanit, por që asnjëherë nuk iu provuan nga policia dhe nga prokuroria. Madje emri i tij u shpall edhe në kërkim ndërkombëtar për vrasjen dy vite më vonë, të vëllait të Roland Rexhepit, ish-efektivi i policisë që njihej me pseudonimin “Doda”.

Por Bledar Muça nisi në drejtim të medieve aso kohe një letër shpjegimi ku hidhte poshtë të gjitha pretendimet e Policisë së Shtetit, e cila kishte vënë në pranga pikërisht një punonjës të policisë së kufirit meqë sipas tyre kishte lënë të kalonte jashtë kufijve pikërisht të mbijetuarin e masakrës së pak ditëve më parë në Elbasan.

Policia saktëson se në fakt 37-vjeçari është i dyshuar për një mori ngjarjesh që kanë ndodhur më parë në Elbasan, por policia ende nuk i ka marrë një dëshmi njeriut që u akuzua për një krim të rëndë që ai mohoi kategorikisht të kishte bërë.

Vrasja e “Dodës”

Ishte mëngjesi i 22 korrikut të vitit 2009, kur Elbasani do të tronditej nga një ekzekutim në afërsi të Universitetit. Ekzekutimi bëhet nga dy persona me motor të cilët qëllojnë me breshëri kallashnikovi mbi mjetin me të cilin udhëtonte Roland Rexhepi, ish-efektiv policie, që kishte punuar edhe në seksionin e anti-drogës.

Ekzekutimi i tij u bë në mes të dhjetëra kalimtarëve, ndërsa polici-viktimë u tha se për shumë kohë ishte identifikuar si krahu i djathtë i ish-drejtuesit të “hekurt” të policisë Edmond Koseni. Atentatorët u zhdukën në mes të turmës duke e lënë të vdekur në makinë Roland Rexhepin, ndërsa policia arriti të shoqëronte me dhjetëra e dhjetëra persona.

Më në fund, katër ditë pas atentatit, policia aso kohe njoftoi se ka arrestuar si të dyshuar për këtë krim Armando Llakajn, 31 vjeç, me precedentë të mëparshëm penal dhe Marjus Tafa. Mësohet se Llakaj ishte njeri i afërt i fisit Çapja, ndërsa viktima, më vonë do të kosnideorhej edhe si kushëriri i Fadil Memës të ekzekutuar në Torino.

Vrasja e Ilir Rexhepit, dy vite pas Rolandit

Ishte fundi i vitit 2011, kur në orët e mbrëmjes do të ekzekutohe j me dy plumba biznesmeni Ilir Rexhepi. Viktima kishte një polici private dhe sipas policisë dhe prokurorisë së asaj kohe, 41-vjeçari, baba i dy fëmijëve nuk kishte asnjë precedent penal.

Ekzekutimi ndodhi pikërisht në kohën kur prokuroria kërkoi 48 vjet burg për dy të dyshuarit për vrasjen e vëllait të tij në korrikun e 2009-ës. Policia kreu sërish një mori shoqërimesh dhe si përfundim për krimin u konsiderua fajtor pikërisht Bledar Muça, i cili kishte mundur të kalonte kufirin pa u prekur nga askush.

Policia e shpalli në kërkim Muçën ndërsa vuri në pranga vetëm një punonjës të policisë kufitare. Bled Muça iku dhe nga Greqia nisi të përgënjeshtronte versionin e policisë ndërsa në momentin që mbërriti në Belgjikë ai nis në drejtim të medieve në Shqipëri një reagim që gjeti hapësirën e duhur për të hedhur poshtë akuzat e policisë.

Letra

Në letër ai sqaronte se: “Dua t’ju bëj me dije se në lidhje me atë çfarë më akuzon policia, jam krejtësisht i gatshëm të përballem në çdo kohë dhe në çdo moment, kur të kthehem sërish në Shqipëri, kur të marr disa ditë pushime nga pronari im në Londër. Kërkoj nga ana juaj që të paktën këtë herë të tregoheni realistë dhe të vëmendshëm me akuzën e ngritur ndaj meje, sepse duke bërë të kundërtën, ju dëmtoni rëndë shëndetin e familjes sime dhe e njollosni atë duke ia quajtur djalin kriminel.

Unë kam kaluar në pikën kufitare të Kapshticës si çdo qytetar i kësaj bote, pa kurrë farë problemi, e duke ndenjur në radhët e gjata të pikës kufitare greke, por s’kam pasur qoftë edhe problemin më të vogël në asnjë moment. Shumë shpejt avokati im do t’ju vendosë në dispozicion edhe filmimet e kamerave të sigurisë, të momentit kur ka ndodhur vrasja në të cilën unë akuzohem, pasi kam qenë në shoqërinë e dy miqve të mi në ambientet e një lokali në periferi të qytetit.

Kam ardhur në drejtim të qendrës së qytetit pas orës 21, ç`ka konfirmon saktë dhe drejtë se ku ndodhesha unë në momentin e ngjarjes për të cilën më akuzon policia. Duke shpresuar e besuar në mirëkuptimin tuaj, përzemërsisht Bledar Muça, i akuzuar për vrasje nga Policia e Elbasanit”.

Kështu akuzat ndaj të riut që kishte kaluar në vendin ku edhe jetonte, pra Angli, ranë dhe çështja, si një mori çështjesh të tjera u pezullua pa autor. Kështu vrasja e biznesmenit, sot e asaj dite nuk njeh asnjë emër personi të vënë nën akuzë për të, ndërsa Bledi Muça ridel sërish në skenë në prani të njerëzve të tij, mbrëmjen  e masakrës ku ai bashkë me të vëllanë Ferit Muçën morën plagë, por që Bledi është larguar, ndërsa Feriti ndodhet ende në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Dosjet e të shënjestruarve

Sipas të dhënave të policisë bëhet me dije se po punohet intensivisht mbi dosjet e të gjithë personave që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes natën që ata u sulmuan me armë. Policia bën me dije se ende nuk është bërë e mundur që të merret një dëshmi fikse mbi gjithçka është fiksuar prej ndonjërit prej tyre në vendin e ngjarjes, ndërsa vijohet të punohet për të mësuar nëse personat që u qëlluan me breshëri kallashnikovi kishin ndonjë konflikt të kohëve të fundit.

Policia beson se shënjestra ka qenë pikërisht djemtë e fisit Çapja, ndërsa grupi hetimor ka pranuar se të gjithë personat që u shënjestruan për tu vrarë kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe se në një mori ngjarjesh dhe atentatesh që kanë mbetur pa autor, gjithnjë kanë qenë të dyshuar, por që asnjëherë  policia dhe prokuroria nuk i kanë mbledhur provat dhe faktet e duhura për t`i lënë pas hekurave.

Kështu janë një mori të dhënash që lidhen me emrat e Florenc Çapjas dhe të Bledar Muçës ndërsa atentatet e shumta që kanë tronditur Elbasanin, gjithnjë është thënë se vrasjet bëhen për hakmarrje mes dy fiseve. Palët, sipas policisë, kanë arritur të ekzekutojnë dhe kushërinj, njerëz të fisit por edhe miq familjeje, ndërsa policia, prokuroria dhe gjykata, asnjëherë nuk arritën të vënë para drejtësisë me fakte dhe prova si duhet autorin e një rasti të vetëm. Kulmi i barbarisë ndodhi pikërisht një javë më parë, kur katër persona kërkojnë vrasjen e të gjithë të pranishmëve në lokal.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button