Avioni i rrëzuar, 80 fëmijë mes viktimave. Përgjimet telefonike fajësojnë Rusinë
Qeveria amerikane kërkoi një pushim të menjëhershëm të zjarrit për “të lejuar një hetim të qartë mbi rrëzimin e avionit në Ukrainë të Boingut malajzian”, ku në bord ishin 298 persona dhe nuk mbijetoi asnjë. “U kërkojmë të gjitha palëve të përfshira – Rusisë, separatistëve rusisht folës dhe Ukrainës – të lejojnë një korridor të sigurt mbi vendin e aksidentit nga ana e hetuesve”, – ka thënë zëdhënësi i shtëpisë së bardhë.
Menjëherë separatistët rusë kanë vendosur një armëpushim 4-ditor ku do të lejojnë nisjen e hetimeve nga ekspertë vendës dhe ndëkombëtarë dhe marrjen e trupave.
Sipas hetuesve është gjendur njëra nga kutitë e zeza të avionit, nga ku mësohet se mund të zbardhen detaje të shumta të rrëzimit të tij në lindje të Ukrainës.
Ndërkohë konfirmohet që në bordin e avionit që dyshohet se është qëlluar me raketë tokë-ajër ndodheshin 298 persona, mes të cilëve duket se 80 kanë qenë fëmijë.
Nga ana tjetër, mediet shkruajnë që është rritur numri i holandezëve të vdekur nga tragjedinë ajrore malajziane. Sipas gazetës “De Telegraaf” shtetasit holandezë në avion ishin 173 dhe se shumica e tyre shkonin me pushime.
Po ashtu, Ukraina ka zbardhur përgjimet telefonike që përfshijnë Rusinë me rrëzimin e avionit.
Përgjimet ukrainase që fajësojnë Rusinë
Publikohen bisedat telefonike mes separatistëve pas rrëzimit të avionit
Fluturimi MH17 i “Malaysia Airlines” me shumë mundësi është rrëzuar nga një raketë e lëshuar nga një grup militantësh kozakë të mbështetur nga Rusia.
Autoritetet ukrainase publikuan dy biseda telefonike të zhvilluar mes udhëheqësve të militantëve pak momente pas rrëzimit të avionit. Telefonata e parë është regjistruar në orën 16:40 me orën lokale, 20 minuta pas rrëzimit të avionit mes Igor Bezler, që për shërbimin sekret ukrainas është një oficer i inteligjencës ruse dhe një ndër drejtuesit kryesor të të vetshpallurës Republika Popullore e Donetskut dhe Vasili Geranin, i cili po sipas inteligjencës ukrainase është kolonel në departamentin e forcave të armatosura të Rusisë.
Transkriptimi i plotë i telefonatës së parë
Igor Bezler: Sapo kemi rrëzuar një avion. Ra në rrethinat e Yenakievo-s
Vasili Geranin: Pilotët? Ku janë pilotët?
Igor Bezler: Jemi nisur për në zonë, të fotografojmë avionin dhe të kërkojmë. Po del shumë tym.
Vasili Geranin: Para sa minutash?
Igor Bezler: Rreth 30 minuta më parë.
Shërbimi inteligjent ukrainas thotë se pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe pasi kishin kuptuar se cfarë kishin rrëzuar kapet telefonata e dytë mes dy separatistëve, njëri i identifikuar si “Majori” dhe tjetri si “Greku”.
Majori: Janë shokët Chernukhin ata që rrëzuan avionin. Janë ata të posto-bllokut të Chernukhin-it, ata kozakët e Chernukhin-it.
Greku: Po, Major.
Majori: Avioni është coptuar në ajër në afërsi të minierës Petropavlovskaya. Kemi gjetur 200 të parët (referuar personave të vdekur). Civilë.
Greku: Cfarë kemi tjetër?
Majori: Shkurt, me 100 përqind bëhet fjalë për një avion pasagjerësh, avion civil.
Greku: Sa njerëz?
Majori: Dreq! Tymi i avionit përfundoi tek shtëpitë.
Greku: Cfarë lloj avioni?
Majori: Akoma nuk kam mbërritur në zonën e përplasjes. Jam në vendin ku kanë rënë trupat e parë. Ka mbetje trupore, të ulëseve dhe të tjera.
Greku: A ka ndonjë armë?
Majori: Asgjë! Vetëm gjëra civile, pajisje mjekësore, letër higjenike…
Greku: A ka dokumente?
Majori: Po, njëra është e një studenti indonezian i Universitetit të Thompson-it.
Në bisedë ndërhyjnë edhe dy militantë të tjerë.
Militanti 1: Avioni ra në afërsi të Grabove-s. Ka shumë trupa grash dhe fëmijës. Kozakët janë atje për të parë cfarë ka ndodhur. Në televizor po thonë që është një avion transporti AN-26 i shkruajtur “Malaysia Airlines”. Cfarë bënte ky avion në territorin ukrainas?
Nikolai Kozitsin, një tjetër militant: Kjo do të thotë që po transportonte spiunë. Ata nuk duhet të fluturonin në këtë zonë. Këtu po bëhet një luftë.