Bajrami: Shtyrja e projektit të Brezovicës edhe prej situatës politike
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka prezantuar punën e dikasterit që ajo drejton për vitin 2015, teksa bëri të ditur se është shtyrë afati i sjelljes së dokumentacionit për projektin e zhvillimit të kompleksit turistik “Brezovica” deri më 31 maj 2016.
“Komisioni ndërministror ka marrë vendimin, që kontrata dhe data e fundit për sjelljen e dokumentacionit, që dëshmojnë mobilizimin e financave, të jetë 31 maji i vitit 2016. Jemi marrë vesh gjithashtu, që të mos ketë shtyerje të tjera. Më 31 maj, nëse nuk i kemi të gjitha dëshmitë për mobilizimin e financave, Qeveria e Republikës së Kosovës do të ekzektutojë garancinë bankare, e cila është dyfishi i asaj që ka qenë. Garancia bankare për 6-mujorshin e ditëve të punës ka qenë 180 mijë, tashmë kemi 500 mijë euro”, tha Hykmete Bajrami, ministre e MTI-së.
Ministrja Bajrami tha se, një ndër arsyet që konsorciumi ka kërkuar shtyrjen e afatit është edhe situata politike e muajve të fundit, në veçanti ajo me gazin lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës.
“Besojmë se, situata politike dhe gazi lotsjellës në Kuvend kanë pasur një impakt. Në fakt, një nga arsyet e konsorciumit të Brezovicës, që ka kërkuar zgjatje të afatit, ka qenë edhe kjo, ndaj dhe kanë thënë se ka qenë e vështirë që të përmbyllen negociatat me kompani botërore. Ata nuk kanë pavarësi tërësore prej financuesve të tyre, por një prej faktorëve që kanë ndikuar në zgjatjen e këtyre negociatave, ka qenë edhe gazi lotsjellës dhe pamjet në Kuvend”, tha Hykmete Bajrami, ministre e MTI-së.
Ministrja Bajrami shtoi se, konsorciumi ka arritur të mobilizojë rreth 100 milionë euro dhe janë në negociata edhe me kompani të tjera, të cilat kanë kërkuar takime edhe me institucionet e Republikës së Kosovës.
Ministrja Hykmete Bajrami, duke folur për investimet e huaja të drejtpërdrejta tha se, vetëm në periudhën janar-shtator kanë qenë mbi 250 milionë, që sipas saj paraqet rritje të konsiderueshme në krahasim me 3 vitet e kaluara.
Ndër sukseset e këtij viti, ministrja theksoi funksionalizimin e zonave të lira ekonomike, riaktivizimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik të Kosovës, hapjen e tregut dhe integrimin e tregjeve rajonale dhe globale, përmirësimin e infrastrukturës ligjore, e të tjera.