Politika

Balla: Referendumi i 9 prillit një tjetër standard dhe leksion demokracie i PS

Një ditë para mbajtjes së referendumit, nënkryetari i grupit parlamentar socialist, njëherësh edhe drejtues politik i Rajonit Elbasan – Korçë, Taulant Balla, ftoi të gjithë anëtarësinë të marrë pjesë masivisht në votime.

Duke deklaruar se çdo gjë është gati për ditën e shtunë, Balla tha se referendumi i 9 prillit që zhvillohet për herë të parë në një parti politike është një tjetër standard dhe leksion demokracie i Partisë Socialiste.

“Për ditën e nesërme, 9 Prill, për Referendumin e PS, për një çështje shumë të rëndësishme të cilën Kongresi ia delegoi anëtarësisë së partisë, për të vendosur dhe për të dhënë verdiktin përfundimtar, gjithçka është gati. Listat e zgjedhësve në çdo qendër votimi janë shpallur prej disa ditësh. Gjithashtu të gjitha komisionet e votimit kanë marrë dokumentacionin, fletët e votimit dhe procesverbalet. Është bërë një punë e shkëlqyer përsa i përket njoftimit të të gjithë anëtarësisë”, tha Balla.

“Apeli im sot për çdo anëtar të PS të qarkut Elbasan, qarkut Korçë dhe të të gjithë Shqipërisë është që në këtë ushtrim demokratik brenda PS, çdo anëtar duhet të marrë pjesë”, u shpreh nënkryetari i grupit parlamentar socialist.

Për ne, tha Balla, “nuk është i rëndësishëm rezultati se si do të shprehet anëtarësia në këtë Referendum por e rëndësishme është pjesëmarrja e çdo socialisti për të treguar që ky Referendum i parë në një parti politike shqiptare në këto 25 vjet, është një shprehje e demokratizimit të PS”.

“Ky referendum është një shprehje se PS, si e vetmja forcë udhëheqëse në këtë vend, ka transferuar pjesën më të rëndësishme të vendimmarrjes nga institucionet drejtuese tek anëtari i thjeshtë. Ky është një hap i madh për të gjithë shoqërinë shqiptare sepse duke u demokratizuar partitë politike, demokratizohet edhe shoqëria shqiptare. Pra, ky Referendum është një zhvillim i rëndësishëm për PS, e cila është partia më e madhe e të gjithë shqiptarëve, por edhe një zhvillim shumë i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri, në tërësi”, përfundoi Balla.

Në referendumin e 9 prillit baza socialiste do t’i përgjigjet me pohim ose mohim pyetjes në fletën e referendumit: “A e konfirmoni nenin që ka të bëjë me modalitetet për zgjedhjen e kryetarit?”. Votimi i jep rrugë çështjes së mandatit të Ramës në krye të partisë.

Idenë e referendumit Rama e hodhi gjatë Asamblesë së PS-së, në përgjigje të sfidës së Blushit për çeljen e zgjedhjeve për kreun e partisë. Më pas ishte Kongresi ai që vendosi mbajtjen e referendumit, duke caktuar për të datën 9 prill.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button