Balluku: Në 2 korrik dorëzojmë tunelin e Skërficës, 3 muaj para afatit
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku iu përgjigj sot nga foltorja e Kuvendit, deklaratave të opozitës, që sipas saj, anatemon çdo vepër infrastrukturore kur ajo është gati për dorëzim.
Balluku tha se rruga Kardhiq-Delvinë, së cilës iu referuan deputetët e opozitës, është një nga veprat më të rëndësishme jo vetëm sa i përket infrastrukturës, por edhe turizmit, pasi lidh dy zona të rëndësishme, Gjirokastrën me bregdetin e jugut dhe Sarandën.
“Loti i parë i Kardhiq-Delvinë ka nisur në dhjetor 2007. Nga dhjetori 2007 deri në shtator 2013 nuk e di se çfarë keni bërë ju që nuk e dorëzuat, por u desh të pritej të dorëzohej nga PS. Gjithashtu edhe loti i dytë ka nisur në dhjetor 2007, por e kemi përfunduar ne, sepse juve nuk ju dolën 6 vite për ta mbaruar. Kështu vazhdon me radhë edhe loti i tretë që e filluat 1 vit më vonë, në 2008, por e përfunduam ne. Ndërkohë që lotet që ne kemi hapur janë dorëzuar brenda afatit. Hapëm në 2008 lotet 4, 5 dhe 6 dhe i dorëzuam në vitin 2021. Këto janë vite që flasin. Ne morëm punët tuaja të lëna rrugëve dhe i përfunduam në kohë rekord, madje hapëm edhe punët tona dhe i mbaruam ashtu si duhej për 3 vite”, tha ajo.
Balluku theksoi se “tani do të dorëzohet edhe tuneli i Skërficës, 3 muaj para afatit.
“Afati i dorëzimit të tunelit të Skërficës është fundi i shtatorit 2022 dhe dorëzohet në 2 korrik 2022. Ne jo vetëm dimë t’i dorëzojmë, por edhe i bëjmë para afatit, sepse e dimë shumë mirë se infrastruktura është nxitësi kryesor i ekonomisë, sidomos i turizmit”, shtoi ministrja.
Ndërkohë ajo tha se rritja prej 20 % e shifrave në këto projekte është e lejuar nga ligji për punime të paparashikuara.
“Ajo rritje shkon për ato të loteve tuaja që i keni bërë pa studim gjeologjik, pa projektim dhe na i është dashur t’i bëjmë skarpatet edhe një herë nga fillimi, pasi kishin ardhur të gjitha në tokë dhe kanë zënë trasenë, si çdo punë që keni bërë. Ashtu si Tiranë-Elbasan, apo si bajpasi i Fierit për vite të tëra, i hapur me kompani që falimentonin njëra pas tjetrës, pa studim, me bllokime të lumenjve e shtrateve të përrenjve, që i kemi parë vetëm nga ju”, tha Balluku.
Për rrugën Qukës-Qafë Plloçë, ministrja theksoi se është në 70 % të realizimit të punimeve.
“Ndryshe nga sa e latë ju me një këmbë ure që lëvizte në disnivel 17 metra, për Qukës-Qafë Plloçë është miratuar pjesa tjetër e kredisë dhe ashtu siç janë mbyllur të gjitha punët që latë ju rrugëve, ashtu do të mbyllet dhe ajo”, shtoi Balluku.
Në vijim, ajo theksoi se “vetëm për 6 muaj në tunelin e Llogorasë janë hapur 2.5 km nga 5.9 km në total”.
Ndërkohë, Balluku theksoi se kjo qeveri ka treguar se di t’i menaxhojë krizat.
“Çmimi i energjisë nuk ka lëvizur. Po ashtu, bordet kanë vendosur një çmim tavan mbi të cilin nuk lejohet të tregtohet në Shqipëri. U fol këtu për kartelet e naftës, gazit, miellit etj. Këto kartele kanë qenë edhe në kohën tuaj, apo kur punojnë me ju janë burra të mirë? Ata janë miqtë tuaj, ju jeni ulur me ta, keni bërë me ta marrëveshje nga më të ndryshmet, ndërkohë që ne po zbatojmë ligjin. Ju kërkoni gjilpërën në kashtë, ndërkohë që flitet për një krizë botërore”, iu drejtua Balluku deputetëve të opozitës në Kuvend.