Kronika

Banesat sociale, lista miratohet në fund të tetorit

Bashkia e Tiranës: Kreditë e buta pritet të zhbllokohen në muajin mars

Nga Shpresa Mezini

banesa socialeLista e parë me emrat e përfituesve të banesave sociale pritet të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak në fund të muajit tetor. Por, deri atëherë, mësohet se gjatë këtyre ditëve, kjo listë do të kalojë nëpër disa filtra të tjerë pranë komisioneve të Bashkisë së Tiranës, për t’u votuar më pas në Këshillin Bashkiak nga këshilltarët e majtë dhe të djathtë. Lajmi bëhet i ditur nga drejtoresha e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, Aljona Mancaku, e cila thekson se 385 apartamentet në zonën e Shkozës janë gati prej disa muajsh, në pritje të banorëve të rinj, ndërsa Këshilli Bashkiak ka miratuar tanimë edhe qiratë në varësi të sipërfaqes së apartamentit, çmime që variojnë nga 4-18 mijë lekë në muaj.

“Brenda muajit tetor, lista e parë e qytetarëve që konsiderohen përfitues për banesat sociale me qira në Shkozë do të jetë e gatshme për miratim pranë Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës. Nëse do të kemi një numër përfituesish më të vogël se numri i apartamenteve që kemi në dispozicion, sigurisht që ne jemi të hapur për ta përpunuar këtë dokumentacion, duke vlerësuar kërkesat e qytetarëve dhe për të paraqitur hap pas hapi në Këshillin Bashkiak kërkesa të reja”, tregon drejtoresha e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës. Sipas saj, përfitues dhe të favorizuarit nga ky program social i Bashkisë së Tiranës, në ndihmë të familjeve në nevojë, janë edhe ato familje që u prekën nga akti normativ i qeverisë. “Në bazë të akteve nënligjore të hartuara nga Bashkia e Tiranës, këta persona kanë prioritet dhe favorizohen nëpërmjet një pikë avarazhi të caktuar për të përfituar nga ky program”, thekson Mancaku. 385 apartamentet që ndodhen në zonën e Shkozës, janë banesat sociale, pronë e Bashkisë së Tiranës, që do t’u jepen në përdorim familjeve të pastreha apo edhe atyre që janë në nevojë, për shkak se jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Burime zyrtare në Bashkinë e Tiranës bëjnë me dije se në një banesë të tillë familja në nevojë mund të qëndrojë për vite me radhë derisa ajo të rimëkëmbet ekonomikisht, pra jo përgjithmonë. Blloku i banesave në Shkozë shtrihet në një sipërfaqe prej 3 mijë metrash katrorë, ku është parashikuar të jetojnë deri në 1 mijë e 400 persona. Ndërkohë, burime në bashki thonë për gazetën “Shqip”, se kreditë e buta, të bllokuara në fillim të këtij viti, do të riçelen në muajin mars të vitit të ardhshëm. Shkak për këtë, sipas burimeve zyrtare në Entin Kombëtar të Banesave, është hartimi i skemës së re, e cila do të shoqërohet edhe me ndryshime të normës së interesit, në varësi të nivelit ekonomik dhe aftësisë përballuese të çdo familjeje, që aplikon për të përfituar nga kjo skemë. Referuar të dhënave zyrtare, mësohet se nuk do të ketë ndryshime në ligj, por vetëm në udhëzimin numër 6257, që përcakton specifikisht kriteret për marrjen e një kredie të lehtësuar nga Bashkia e Tiranës. Kjo do të thotë që norma e interesit nuk do të jetë më fikse, 3%, por e luhatshme, në varësi të aftësisë përballuese të çdo individi. Pra, nëse një individ ka mundësi të përballojë një interes më shumë se 3%, atëherë interesi për këtë person mund të shkojë 4, 5 apo 6%. E kundërta do të ndodhë me ato familje, të cilat nuk mund të përballojnë as normën e interesit në masën 3%, për të cilët do të ofrohet normë interesi më e vogël se 3%. Mësohet se dosjet e familjeve, të cilat janë shpallur fituese për periudhën nëntor-dhjetor 2013, do të inspektohen nga e para prej Entit Kombëtar të Banesave, për të riverifikuar dokumentacionin përkatës të secilës prej tyre. Familjet që grumbullojnë në muaj 31 618 lekë, përfitojnë 52 684 lekë (për familjet të përbëra nga 1-2 persona); ata që kanë të ardhura mujore prej 42 593 lekësh, përfitojnë 67 672 lekë (për familjet të përbëra nga 2-3 persona); familjarët që kanë 55 055 lekë në muaj në total, përfitojnë 86 153 lekë (për familjet të përbëra nga 3-4 nga persona); ndërsa familjet që grumbullojnë 69 748 lekë në muaj, Bashkia e Tiranës ofron 109 875 lekë (për familjet të përbëra nga 4-6 persona).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button