Ekonomia

Banka Botërore: Nëse kriza politike do të përshkallëzohet atëherë rrezikohet projeksioni ekonomik

Banka Botërore parashikon që rritja mesatare ekonomike e Shqipërisë do të mund të jetë në nivelin 3.5-3.6% në tre vitet e ardhshme. Por, ky projeksion mund të cenohet për shkak të tensioneve politike të brendshme që ekonomistët e Bankës Botërore i shohin si i vetmi rrezik për ecurinë e ekonomisë.
Hilda Shijaku, ekonomiste e BB-së tha se “ Tensionet politike mund të ndikojnë në klimën e biznesit dhe të ngadalësojnë progresin e reformave strukturore dhe konsolidimin fiskal”.

Sipas znj. Shijaku, nëse kriza politike përshkallëzohet atëherë projeksioni i rritjes ekonomike për Shqipërinë mund të ndryshojë. Ajo tha se kriza politike ndikon në ecurinë e reformave, ngadalëson zbatimin e tyre dhe nëse s’ka vullnet, primet e rreziqeve reale mund të shtohen.

Ndërsa Galllina Vincelette, menaxhere e sektorit makroekonomik dhe menaxhimin fiskal për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore tha se duhet ta shohim situatën në një këndvështrim tjetër, pasi krizat politike dhe proceset zgjedhore janë të pranishme kudo dhe ndaj është e udhës që të kuptohet se situata që është aktualisht në Shqipëri në tërësi është pozitive.

Kjo u tha gjatë prezantimit të Raportit më të fundit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore, ku u theksua fakti se ekonomia është rritur me ritme të forta dhe kjo ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të vendeve të punës, por ende papunësia mbetet e lartë veçanërisht tek të rinjtë.

Sipas Bankës Botërore, ajo nuk ka një studim tërësisht të pavarur mbi këtë treg dhe se për statistikat i referohet INSTAT-it, por vëren se rritja ekonomike që ka aktualisht Shqipëria nuk është e mjaftueshme për të reduktuar nivelin e papunësisë e se për këtë duhen politika të dedikuara.
Sipas Bankës Botërore, aksioni kundër informalitetit ka dhënë ndikim te punësimi dhe se tregu i punës duhet të përdoret me efikasitet.

Ndër mesazhet kryesore që BB-ja dha për ekonominë shqiptare për vitin 2016 ishin:

-Në 2016-n, varfëria u ul dhe rritja ekonomike u përshpejtua (kjo kryesisht nga rritja e investimeve të huaja, TAP dhe Devolli, por edhe nga rritja e konsumit privat)
-Tregjet e punës reaguan pozitivisht ndaj dinamikave të rritjes ekonomike
-Konsolidimi fiskal çoi në stabilizim të borxhit publik
-Rritja ekonomike pritet të forcohet, por ecuria e saj kushtëzohet nga progresi në reformat e ndërmarra në fusha kyçe si stabilizimi dhe efikasiteti i shpenzimeve publike, forcimi i sistemit financiar dhe përmirësimi i klimës së biznesit.

Por, Banka Botërore la edhe disa ‘detyra shtëpie’ për qeverinë shqiptare të cilat do të ndihmonin në riorientimin drejt rritjes më të qëndrueshme ekonomike:

-Sigurimi i qëndrueshmërisë fiskale, rritje e shpenzimeve publike
-Përmirësimi i klimës së biznesit dhe qeverisjes
-Rritje e efikasitetit të shërbimeve publike
-Thellimi i integrimit global
-Sigurimi i përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe mjedisit

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button