Ekonomia

Banka e Shqipërisë: Kreditë e “fshira” arrijnë në 6.3 miliardë lekë

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, për tetë muajt e parë të vitit, vlera e kredive të fshira arriti në 6.3 miliardë lekë, nga bilanci i kredive me probleme.

Ulja e vlerës së kredive të fshira lidhet me një shterim të pjesshëm të këtij proçesi, pikërisht sepse pjesa më e madhe e kredive të humbura u fshinë vitin e kaluar. Fshirja më e pakët e kredive të humbura ka qenë e pamjaftueshme për të ulur më shumë nivelin e kredive të këqija gjatë këtij viti dhe në fund të shtatorit ky tregues arriti në 21.3%.

Megjithëse, BSH vlerëson se shuma e kredive që duhen fshirë në bilance ende është e konsiderueshme dhe pret që në muajt e fundit të vitit të ketë sërish një përshpejtim të pastrimit të bilanceve nga kreditë e humbura.

Përgjithësisht, ky proces është më i përqendruar në muajt e fundit të vitit, para se bankat mbyllin bilancin vjetor. Sipas ndryshimeve rregullatore që miratoi Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, bankat duhet të nxjerrin nga bilancet kreditë që janë kategorizuar për më shumë se tre vjetësh si të humbura.

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, deri në fund të muajit gusht vlera e kredive të humbura ishte rreth 61 miliardë lekë, megjithatë nuk ka një përllogaritje të saktë se sa prej tyre plotësojnë afatet e përcaktuara për t’u fshirë nga bilanci.

Sipas BSH-së, për të gjithë vitin 2015 bankat fshinë rreth 27 miliardë lekë kredi të humbura.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button