Ekonomia

Bankat duan të japin hua për individët e SME-të, “penalizojnë” bizneset e mëdha

Vrojtimi i Aktivitetit Kreditues i Bankës së Shqipërisë tregon për lehtësim të standardeve të kreditimit të bizneseve, edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Gjithashtu, ka vijuar prirja lehtësuese e standardeve të kredisë dhënë individëve, e shfaqur për disa tremujorë radhazi. Zhvillimet pozitive në standardet e kredisë dhënë bizneseve, u shënuan si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha. Për kredinë për individë, bankat vijuan të lehtësojnë standardet si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë konsumatore.

Faktorët kryesorë që ndikuan në lehtësimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve dhe individëve, vijojnë të mbeten: konkurrenca në sistemin bankar, mjaftueshmëria e kapitalit dhe vendimet e Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, niveli i likuiditetit të bankave është gjithashtu ndër faktorët më të rëndësishëm për kredinë dhënë individëve.

Kërkesa e bizneseve u rrit, sipas raportimeve të ekspertëve të bankave. Kjo rritje u ndikua kryesisht nga kërkesa e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërsa kërkesa e ndërmarrjeve të mëdha vlerësohet në rënie. Për sa i takon kërkesës së individëve, bankat raportuan rënie të kërkesës përkundër pritshmërive pozitive për të, si për kredinë për blerje banese dhe për atë konsumatore, ndikuar nga rënia e besimit konsumator dhe situata në tregun e pasurive të paluajtshme. Bankat presin që standardet e kredisë për bizneset e mëdha të shtrëngohen dhe të jenë më të lehtësuara për segmentin e SME2-ve, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2016. Ato u shprehën se standardet e kredisë së akorduar individëve, si për financimin e blerjes së banesës, ashtu edhe për financimin e konsumit, do të vazhdojnë të mbeten në kahun lehtësues. Kërkesa për kredi, në tremujorin e dytë të vitit 2016, pritet të shënojë rritje si për bizneset e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për individët.

Kredia për bizneset

Standardet e kredisë. Standardet e kredisë dhënë bizneseve kanë vijuar prirjen lehtësuese, të shfaqur në tremujorin paraardhës. Lehtësimi i standardeve rezultoi si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha. Prirja lehtësuese pritet të vijojë edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2016, për kredinë dhënë ndërmarrjeve të vogla e të mesme, ndërsa standardet për kredinë dhënë ndërmarrjeve të mëdha pritet të shtrëngohen. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë nga bizneset, bankat kanë lehtësuar standardet e kredisë dhënë si për investime, ashtu edhe për kapital qarkullues.

Faktorët me ndikimin kryesor në lehtësimin e standardeve, në tremujorin e parë, janë konkurrenca në sistemin bankar, mjaftueshmëria e kapitalit, vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe situata e likuiditetit. Nga ana tjetër, faktorët që lidhen me problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, gjendja e kredive me probleme dhe situata makroekonomike, vijojnë të ndikojnë në kahun shtrëngues te standardet e bankave. Kontributi negativ i kredive me probleme është ulur në krahasim me tremujorin e kaluar. Faktori që lidhet me problemet specifike të sektorit ka rritur kontributin negativ, ndërsa situata makroekonomike perceptohet me ndikim të ngjashëm si një tremujor më parë. Bankat zbatuan një politikë lehtësuese në tremujorin e parë të vitit 2016, nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë, uljes së komisioneve me të cilat është akorduar kredia, si dhe nëpërmjet rritjes së madhësisë së kredisë së akorduar. Kushtet si kërkesat për kolateral dhe maturiteti i kredisë raportohen të shtrënguara, ndërsa marzhi për kreditë me rrezik nuk ka patur efekt.

Kërkesa për kredi. Kërkesa për kredi është rritur në tremujorin e parë të vitit 2016. Kjo rritje është ndikuar nga kërkesa për kredi e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, ndërsa kërkesa nga ndërmarrjet e mëdha raportohet me rënie. Kërkesa e rritur e bizneseve në tremujorin e parë, sipas perceptimit të ekspertëve bankarë, ka qenë kryesisht për kredi për investime dhe, në një masë më të ulët, për kredi për kapital qarkullues (grafiku 4). Bankat presin rritje të kërkesës edhe në tremujorin e dytë të vitit 2016, të gjeneruar nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërsa presin rënie të kërkesës nga ndërmarrjet e mëdha. Faktorët që kanë ndikuar kërkesën. Bankat raportojnë se kërkesa e bizneseve për kredi është nxitur si nga nevoja për financimin e investimeve, ashtu edhe nga ajo për financimin e kapitalit qarkullues. Vendimet e Bankës  së Shqipërisë dhe situata makroekonomike në vend rezultojnë faktorë me ndikim pozitiv në rritjen e kërkesës së bizneseve për kredi.

Kredia për individë

Standardet e kredisë. Bankat vijuan të lehtësojnë standardet e kredive të akorduara individëve, në tremujorin e parë të vitit 2016. Sipas bankave, standardet rezultuan të lehtësuara si për kreditë për blerje banese, ashtu edhe për kreditë konsumatore (balanca neto vlerësohet për të dyja qëllimet në 7.7%). Bankat u shprehën se standardet e kredisë për individë si për financimin e blerjes së banesës, ashtu edhe për financimin e konsumit, do të vazhdojnë të mbeten në kahun lehtësues, edhe në tremujorin e dytë të vitit 2016. Kushtet për miratimin e kredisë. Politika lehtësuese e bankave ndaj kredive për individët, gjatë tremujorit të parë të vitit 2016, u zbatua kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë. Bankat u shprehën se zvogëlimi i komisioneve, madhësia e kredisë dhe maturiteti maksimal i kredisë ndikuan në kahun lehtësues të standardeve. Në të kundërt, kushtet e tjera si forcimi i kërkesave për kolateral në raport me madhësinë e kredisë, zgjerimi i marzhit për kreditë me rrezik dhe rritja e raportit të këstit ndaj ardhurave kontribuan në kahun shtrëngues gjatë këtij tremujori.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button