Ekonomia

Bankat, ristrukturim kredive të këqija të biznesit

bonka-320x213Publikohet rregullorja e re që hyn në fuqi në fund të vitit 2014

Banka e Shqipërisë publikon rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave” dhe formularët për raportimin. E reja pozitive për bizneset është se me këtë rregullore sanksionohet ristrukturimi i kredive të këqija të huamarrësve të mëdhenj. Sipas të dhënave të BSH-së, vlerësohet se 95% e totalit të kredisë së keqe është marrë nga 1000 kompani. Kjo rregullore përcakton se këshilli drejtues është përgjegjës, në veçanti, për vendimmarrjet në rastet e krijimit dhe ristrukturimit të ekspozimeve ndaj kredimarrësve të mëdhenj. Ky dokument që hyn në fuqi më 31 dhjetor 2014, shfuqizon rregullat e vendosura qysh në vitin 2008. Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i procedurave dhe kritereve për llogaritjen, mbikëqyrjen dhe raportimin e ekspozimeve të mëdha të bankës ndaj një klienti ose grupi personash të lidhur ndërmjet tyre ose me bankën, për qëllim të administrimit të rrezikut që rrjedh nga ekspozimi i përqendruar ndaj tyre. Këto ekspozime konsiderohen të mëdha kur vlera e tyre është e barabartë ose më e madhe se 10 për qind e kapitalit rregullator të saj. Në bazë të kësaj rregulloreje, bankat plotësojnë dhe dorëzojnë në fund të çdo tremujori, në Bankën e Shqipërisë pesë formularë që përshkruajnë çdo ekspozim. Ndërsa grupi bankar raporton mbi baza të konsoliduara për ekspozimet maksimale të lejueshme dhe marrëdhëniet me personat e lidhur, çdo 6-mujor. Bankat detyrohen të kryejnë analizën e rrezikut të ekspozimit ndaj kredimarrësve të mëdhenj në momentin e krijimit të ekspozimit dhe në vazhdimësi, duke u bazuar në pasqyrat financiare të audituara. Gjithashtu, bankat hartojnë plane të rimëkëmbjes dhe të zgjidhjes së kredimarrësve të mëdhenj dhe i rishikojnë ato me një frekuencë jo më të vogël se një herë në vit. Në rast të ekspozimit të kredimarrësve të mëdhenj në më shumë se një bankë, ato koordinojnë dhe marrin pjesë në punën për hartimin dhe rishikimin e planeve të përbashkëta të rimëkëmbjes.

Zamir Alushi

Huaja

Ulet niveli i kredive nënstandarde dhe të dyshimta

Ulet kredia nënstandarde dhe ajo e dyshimtë. Kredia me probleme ka mbetur e njëjtë, duke shënuar afro 24% të totalit të huave, por ka ndryshime sipas kategorive. Nga tabelat statistikore të BSH-së për gjashtëmujorin e parë të vitit 2014, ka përmirësime në dy kategoritë e para, kreditë që klasifikohen si nënstandarde dhe të dyshimta. Kreditë nënstandarde, që përfshijnë ato me vonesë në kthim mbi 90 ditë, në fund të qershorit kishin vlerën e 42 miliardë lekëve, në rënie me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe kategoria tjetër, ajo e kredive me vonesë mbi 180 ditë, ka rënë në vlerë me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button