Ekonomia

Bankat trefishojnë fitimet, rriten transferimet jashtë

Në qershor 2014, dërgimi i parave në banka të tjera nga filialet vendase arriti në 184 miliardë lekë

Depozitat – Në total, depozitat në sistemin bankar janë rritur me rreth 1.1% në fund të gjashtëmujorit të parë 2014, në raport me fundin e 2013-s.

banka_para-euroBankat e mbyllën 6-mujorin e parë të vitit 2014 me fitime që u rritëm 3.5 herë krahasuar me vitin e kaluar, ndërkohë që theksohet fenomeni i investimit të parave të tyre jashtë shtetit.

Fitimet

Sipas të dhënave të Shoqatës Shqiptare të Bankave, sistemi regjistroi fitimin prej 5.4 miliardë lekësh. Rritja e fitimeve ka ardhur kryesisht si pasojë e stabilizimit të kredive me probleme dhe uljes drastike të shpenzimeve për provigjione (fonde për mbulimin e kredive me probleme), të cilat janë pozicionuar në kuotën më të ulët. Niveli i kredive me probleme është stabilizuar në 24%, pra një shkallë thuajse sa viti i kaluar. Në gjysmën e parë të vitit, 12 banka deklaruan aktivitet me fitim, vetëm tre me humbje, ndërsa një prej tyre ende nuk i ka publikuar rezultatet e tremujorit të dytë.

Transferimet

Bankat vazhdojnë të qëndrojnë të ngurta në kreditimin e ekonomisë dhe vijojnë t’ i kanalizojnë kursimet e depozituesve në letrat me vlerë të qeverisë ose i transferojnë në banka të tjera. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, zëri “Marrëdhënie me bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare”, u rrit me 4% në 184 miliardë lekë, në qershor 2014, në krahasim me dhjetorin 2013. Të dhënat më të detajuara nga Shoqata e Bankave bëjnë të ditur se njëra nga bankat që ka mbajtur peshën kryesore në vendosjen e parave jashtë vendit e ka rritur këtë zë me 11.3 miliardë lekë, apo 35%. Bankat kanë aktive dhe në pjesëmarrjen në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë. Zëri i  “Bono thesari dhe bono të tjera të pranueshme për rifinancim nga BQ” u rrit me rreth 8% në fund të qershorit 2014 në raport me dhjetorin e vitit të kaluar, në 105.1 miliardë lekë. Zëri “Veprime me letrat me vlerë” u zgjerua me 3.6% për të njëjtën periudhë, në 313 miliardë lekë, sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë. Bankat kanë vlerësuar blerjet e bonove të thesarit apo obligacioneve si alternativën më të mirë për momentin, për investimin e parave të tyre të lira. Lidhur me kreditimin, vetëm tri banka kanë rritur dukshëm aktivitetin e tyre. Megjithëse depozitimet e qytetarëve janë rritur në banka, kreditimi ka ardhur në ulje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button