Barroso: Integrimi është detyrë kombëtare dhe në Shqipëri duhet parë si konsensus
Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, deklaroi sot në Tiranë se “KE do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të arritur objektivin strategjik dhe historik, atë të integrimit në Bashkimin Europian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Presidenti i KE-së, Barroso theksoi se “jam shumë i lumtur që gjendem këtu sot t’u uroj juve z Kryeministër, por edhe të gjithë shqiptarët për vendimin e Bashkimit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”.
“Dhënia e statusit të vendit kandidat, të cilën Komisioni Europian e kishte rekomanduar dhe pranuar në mënyrë unanime nga qeveritë e vendeve të BE-së dhe konfirmuar në Këshillin e fundit Europian në takimin e krerëve të shteteve e qeverive të vendeve anëtare të BE-së është një sukses i madh për Shqipërinë. Ky ishte një lajm i mirë për të gjithë rajonin e Europës Juglindore dhe tregon që procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe dinamik. Po ashtu, që BE i mban anagzhimet e veta strategjike me ecjen përpara kur vendet tona partnere japin rezultate”.
Presidenti Barroso shprehu falenderime ndaj Kryeministrit Rama, “për fjalët tuaja ndaj meje, ju thatë që unë jam mik i Shqipërisë, po ashtu edhe kolegu im në Komision, Stefan Fule, por edhe të gjithë në Komisionin Europian kemi qenë gjithmonë në anën tuaj dhe mendoj se do të vazhdojmë të jemi në anën tuaj. E mbaj mend kur ju keni ardhur për vizitë në shtator, kur ju prita ne Bruksel, unë ju thashë atëherë se unë besoj se ishte e mundur të arrihej objektivi i statusit të vendit kandidat me kusht që Shqipëria të ndërmerrte hapat e duhura dhe sot ju i keni ndërmarrë këto hapa”.
Duke ururar qeverinë, të gjitha palët, forcat politike, që kanë kontribuar për këtë moment të rëndësishëm, por mbi të gjitha popullin shqiptar, Barroso tha se “ky është suksesi juaj i përbashkët, pra statusi i vendit kandidat do të thotë që njihet angazhimi dhe hapat konkrete te ndërmarra nga qeveria kohët e fundit në mënyrë që të çohet më tej procesi i reformave për BE-në, për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për reformën në drejtësi”.
Presidenti Barroso u shpreh se “dua t’u falënderoj ju z Kryeministër se ju e keni thenë më të drejtë se kjo është një detyrë kombëtare, por në demokraci partitë janë shumë të rëndësishme, unë besoj se kjo detyrë e integrimit europian ka një dimension historik dhe këtë dimension që ka në Shqipëri duhet parë si konsensus, pra edhe përtej partive të ndryshme politike që natyrisht mund të japin kontributin e tyre të vërtetë në këtë proces modernizimi të vendit”.
“Kam besim se ky kapitull i ri do t’i japë një shtysë tjetër Shqipërisë për të trajtuar këto sfida me vendosmëri e energji. Për të ecur më tej në rrugëtimin drejt BE-së, Shqipëria lypset të vazhdojë të intensifikojë qasjen sistematike për reformat duke u përqendruar tek prioritetet kyçe në mënyrë të veçantë, në respektimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, reformën në gjyqësor dhe jam shumë i kënaqur që shoh që qeveria i ka këto prioritete”, deklaroi ai.
Presidenti Barroso nënvizoi se për të pasur sukses, integrimi europian duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me operacion në Lazart Barroso tha se “t’u pëergjigjem haptazi kjo ka qenë një çështje shqetësimi për shumë nga kryeqyetet eruopiane, problemi i prodhimit të drogës dhe trafikut në Shqipëri ka qenë i njohur dhe serioz. Ne i kemi njohur veprimet pozitive edhe në raportin e qëershorit që bëmë dhe kjo është ilustruar akoma më mirë nga operacionet policore në plantacionet e fshatit Lazarat dhe unë e kam uruar kryeministrin për këtë operacion të suksesshëm në atë zonë. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi i jep besueshmëri dhe kredibilitet përpjekjeve për të luftuar kundër prodhimit të drogës dhe trafikimit”.
“Shqipëria duhet të kalojë përtej këtyre përpjekjeve dhe duhet që në mënyrë efikase të sekuestrojë astet, të ketë natyrisht bashkëpunim, siç është edhe anagazhimi me Europol . Lufta kundër narkotikëve duhet të jetë një përpjekje kombëtare dhe politizimi i saj duhet të shmanget. Agjencitë e zbatimti të ligjit duhet të bëjnë detyrat e tyre dhe është shumë e rëndësishme të ketë konsensus në Shqipëri për t’i dhënë fund kultivimt dhe trafikimit të drogës”, theksoi Barroso duke shtuar se ky angazhim të vazhdojë edhe në ardhmen.