Basha: Nuk mund të ulemi në tryezë me Ramën pa zbatuar vendimet e Kushtetueses
Një ditë pas takimit me komisionerin e Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn, kreu i opozitës Lulzim Basha ka folur lidhur me këto zhvillime në emisionin “Top Story”. Basha ka folur për krizën e krijuar nga protestat tek Parku i Liqenit, krizën në Parlament, dekriminalizimin, pistoletën e Strazimirit, ofertën e Ramës, marrëveshjen e Amerikës që u prish në Tiranë, reformën në drejtësi dhe për programin e opozitës.
Le të flasim për letrën me të cilën i jeni përgjigjur zotit Rama. Është një përgjigje pozitive ndaj dialogut?
Në fakt është letra e zotit Rama që është një përgjigje ndaj kërkesës sime për të nxjerrë vendin nga kriza politike dhe hapat që duhen ndërmarrë. Kemi humbur dy vite kohë që nga hera e parë që e kam bërë këtë kërkesë. Ka qenë qëllimi im për të bërë një politikë të re, ku kundërshtari politik mbetet, por dialogu politik ekziston pa zig zage, pa prekur shtyllat e parlamentarizmit dhe institucioneve të pavarura në vend, që do të thotë proces i menaxhuar për qytetarët dhe i kontrolluar nga qytetarët. Nga ajo ditë kemi pasur përdorim të pushtetit politik për një revansh kundër kushtetutës dhe shtetit ligjor, që e ka sjellë Shqipërinë në gjendjen ku jemi sot, kur çdo ditë del një lajm edhe më i zi. Kemi humbur 2 vite kohë dhe kjo ka patur një faturë jo për mua, por për qytetarët shqiptarë. Dialogu është dhe mbetet një vegël e patjetërsueshme, ndaj më mirë vonë se sa kurrë. Dialogu që kam propozuar unë nuk është fasadë, por dialog që të trajtojë problemet që hasin shqiptarët: varfërinë, krimin dhe korrupsionin, themelet e të cilëve gjenden në shkeljen e kushtetutës, të rregullave të shtetit ligjor dhe abuzimit me pushtetin. Pikërisht sepse janë shkelur garancitë kushtetutese. Dhe këtu kemi shumë probleme për të zgjidhur, dekriminalizimin, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pasi qeveria nuk mund t’i blejë votat ose t’i fitojë përmes kontigjentit kriminal, kemi reformën në drejtësi, që duhet t’i garantojë qytetarët shqiptarë se sistemi gjyqësor do të vendosë drejtësi për çështjet e tyre. Për zgjidhjen e këtyre problemeve ishte dhe kërkesa e opozitës. Kërkesa e Ramës është një përgjigje ndaj saj.
Por, më mirë vonë se kurrë…
Problemi i vetëm i letrës së zotit Rama, që shpresoj të ketë qenë një lapsus…
Për emrin…
Jo. Zoti Rama propozonte një dialog pa ndërkombëtarët për të mbajtur një dialog që të mos merremi vesh. Shqiptarët nuk kanë nevojë për këtë, që ne t’u themi ja ku jemi, por nuk merremi vesh. Kjo është shpërdorim i dialogut sepse delegjitimon një pjesë të avancimit të shoqërisë. Uroj që kjo të jetë një lapsus. Po të mos ishte lapsus do të ishte një tendencë e zotit Rama që nuk do t’u shërbente qytetarëve.
Duket se ju nuk keni lapsus në letrën tuaj, ku pas reformës në drejtësi i referoheni çështjeve të tjera, si ndryshimet kushtetuese, çfarë doni të thoni me këtë?
Do të thotë që pushtetet e dhëna me kushtetutë nga sovrani nuk po ushtrohen ashtu siç duhet. Pushteti ka zaptuar Gjykatën Kushtetuese dhe nuk po përfill vendimet e saj. Kemi një vullnet të mbrapsht politik. Vendimet e Kushtetueses nuk janë diskutuar. Opozita “dy dele ka për të ruajtur”, Kushtetutën dhe shtetin ligjor dhe këtë duhet ta bëjë duke treguar vjedhjen e votave në Korçë, që u tregua nga Top Channel, vjedhja nga serveri i tatimeve dhe shkarkimeve të paligjshme në administratë, duke sjellë persona të inkriminuar. Për këto ne kërkuam komisione parlamentare dhe kushtetuta shprehet qartë për këtë. Por për të mbuluar këto skandale të mëdha, Edi Rama urdhëroi mazhorancën që të votonte kundër, duke e rrëzuar. Gjykata tha se ishte një vendim antikushtetues i mazhorancës, të cilës ne i kërkuam të kthehej në binarët e Kushtetutës, por u refuzua. U desh të vinin zyrtarët europianë në Shqipëri që të arrihej marrëveshja e 24 dhjetorit. Mazhoranca e vuri veten në pozitën e një kaçaku i kapur me plaçkë në dorë dhe që duhet të vinin Uashingtoni dhe Brukseli, që të thoshin zbato Kushtetutën. Veç kësaj janë dhe mandatet e 2 deputetëve.
Zonja Leskaj e çoi mandatin e saj në Kushtetuese…
Kjo nuk varet nga zonja Leskaj. Të gjitha krizat këtu i bashkon një parim, që Rama e sheh veten mbi Kushtetutën. Edi Rama e ka vënë veten e tij dy herë mbi parimet e Kushtetutës, që janë të shenjta. Pse është e rëndësishme për shoqërinë tonë…
Për mua Kushtetuesja ka funksionuar gjithmonë shumë mirë. Ju e çoni çështjen, ajo merr vendimin…
Por nuk zbatohet. Është në kushtet e një krimi kushtetues. Republika është e rënë. Kushtetuta është trau i shoqërisë demokratike.
Pa harruar që vendimet e Kushtetueses janë interpretime dhe ajo mund të lërë shtigje për interpretime. Zoti Rama e interpreton sipas tij vendimin.
Jo, asnjëherë. E ke gabim. Nuk bëhet kështu sepse në këtë mënyrë mazhoranca mund ta zvarrisë vendimin interpretim pas interpretimi për 4 vjet sa ka mandatin. Zvarritjet vijnë pasi ata nuk dinë të dalin nga bataku ku kanë futur veten e tyre.