Politika

Bashkëpunimi me Francën në një fazë të re. Shqipëria në BE me rezultate në çdo aspekt

Shqipëria është një vend që aspiron të jetë pjesë e BE dhe këtë aspiratë do ta mbrojë me rezultate në çdo aspekt .

Kryeministri Edi Rama u shpreh në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Brendshme të Francës, Gerard Collomb se Franca është një nga shtyllat e BE dhe një pikë shumë e rëndësishme referimi për Shqipërinë.

“Me ministrin biseduam për vullnetin dhe dëshirën që mes Shqipërisë dhe Francës marrëdhëniet të forcohen në vijimësi dhe bashkëpunimi të thellohet hap pas hapi””, tha Rama duke theksuar, “dinamikën e re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës dhe për cilësinë e re që këto marrëdhënie kanë marrë në fushën e rendit dhe të sigurisë publike gjë që e tregojnë dhe vizitat e ndërsjella muajt e fundit”.

Rama shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për mbështetjen që Franca i ka ofruar Shqipërisë në një sërë sektorësh shumë të rëndësishëm, por theksoi ai, “padyshim dhe për mbështetjen që ju dhe dikasteri juaj ka ofruar për të plotësuar angazhime të rëndësishme të vendit tonë lidhur me çështje të rëndësishme si lufta kundër krimit të organizuar, por dhe frenimi i fenomenit të migracionit të paligjshëm”.

Rama u shpreh se ka informuar ministrin francez lidhur me “zhvillimet në Shqipëri, sfidat që përballemi, ecurinë e reformës themelore në drejtësi, rezultatet e prekshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe për pritshmërinë që në 6 mujorin e ardhshëm Shqipëria të marrë një rekomandim të pakushtëzuar nga KE dhe të çelë negociatat për anëtarësim”.

“Ministri është njohur dhe me platformën kundër krimit të organizuar , operacionin ‘Forca e ligjit’, vetingun në polici dhe me reformat për ta ngritur Policinë e Shtetit në nivelin e kërkuar. Kemi shpallur ambicien që në fund të mandatit Policia e Shtetit të jetë polici e standardeve evropiane dhe të hyjë në mesataren e policisë të BE për të gjitha të dhënat”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për temën e migracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit, ku theksoi ai, “së bashku kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë, jo vetëm me masat e marra, por dhe për të vazhduar që t’ia bëjmë të qartë, qytetarëve shqiptarë që rruga e azilkërkimit, jo vetëm përbën një rrugë të paligjshme, por dhe një rrugë pa krye, pasi siç dëshmojnë vet ata që në fund të kësaj rrugë janë detyruar të rikthehen, përkthehet në kosto individuale dhe financiare”.

Rama theksoi se përkushtimi është i plotë dhe procesi i rikthimit do të vazhdojë deri në fund.

Ndërsa ministri i Brendshëm francez Gerard Collomb, theksoi se kur sheh të gjithë progresin dhe rezultatet e arritura muajt e fundit, shpreh besim lidhur me vullnetin për të patur sukses në rrugën e nisur drejt BE.

“Jam i lumtur që sot ndodhem në Tiranë. Me ministrin e Brendshëm zhvilluam një takim të gjatë për dy problematika atë të azilkërkuesve shqiptarë, që është e rëndësishme për ne, pasi në vendet për azilkërkuesit 20% i zënë shqiptarët dhe po mundohemi të punojmë së bashku dhe autoritetet shqiptare kanë treguar shumë kurajo për këtë çështje”, tha Collomb.

Duke folur për krimin e organizuar, Collomb shtoi se rrjetet kriminale janë botërore dhe bashkëpunimi i vendeve është i domosdoshëm, sepse krimi i organizuar është global dhe ne duhet të kemi bashkëpunim që të arrijmë rezultate.

Ministri francez foli për një frymë të re në Evropë dhe për rolin pozitiv që luajti presidenti i Francës Macron, për të qetësuar tensionet në zona të ndryshme të botës.

Duke folur për reformat e Shqipërisë ai tha se, “qeveria juaj është qeveri reformash dhe po punoni për të reformuar institucionet tuaja”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button