BB mbështet marrëveshjen me CEZ-in, i jep qeverisë 150 milionë dollarë
Banka Botërore (BB) mbështet qeverinë për marrëveshjen e arritur me CEZ-in dhe me këtë rast i jep një hua 150 milionë dollarë për energjetikën. Në një deklaratë për shtyp, BB njoftoi dje se, “përfunduan me sukses negociatat për një program prej 150 milionë dollarësh për Rimëkëmbjen e Sektorit Energjetik”. “Zgjidhja e shpejtë dhe e drejtë e mosmarrëveshjes tregtare në lidhje me kompaninë e shpërndarjes, bën të mundur që Shqipëria të shpjerë përpara këto reforma vendimtare si dhe kryerjen e investimeve shumë të nevojshme në sistem”, tha Ellen Goldstein, drejtore e Bankës Botërore për Europën Juglindore.
Projekti
Projekti i propozuar që do të financohet nga Banka Botërore, do të mbështesë përmirësimin në vijimësi të furnizimit me energji elektrike dhe qëndrueshmërinë financiare të sektorit. Financime të konsiderueshme në kuadër të projektit do të mbështesin investime të rëndësishme në infrastrukturë që lidhen me shpërndarjen e energjisë elektrike dhe përmirësimin e sistemit të transmetimit. “Ndër reformat më të rëndësishme e të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të rivendosur ekuilibrin fiskalë në Shqipëri janë besueshmëria dhe qëndrueshmëria financiare më e madhe e sektorit të energjisë”, shprehet Ellen Goldstein, drejtore e BB për Europën Juglindore
Ulja e humbjeve
Programi i saponegociuar, sipas opinionit të BB-së, do të sjellë përmirësime të rëndësishme në shërbimet e energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë, shumë prej të cilëve i paguajnë faturat e tyre, ndërkohë që të tjerë nuk i paguajnë duke e konsumuar energjinë në mënyrë të paligjshme.“Projekti që do të financohet nga Banka është hapi i parë i nevojshëm për të ndihmuar përpjekjet e qeverisë në përmirësimin e cilësisë së shërbimit për konsumatorët, uljen e humbjeve në shpërndarjen e energjisë nga niveli aktual prej 42% në rreth 20% në vitin 2018 dhe zbatimin e reformave prioritare në këtë sektor në përputhje me legjislacionin e BE-së”, tha Salvador Rivera, drejtor i programit.
Nga Zamir Alushi
Reagimi
Rama dhe Basha përplasen në Facebook për CEZ-in
Kryeministri Rama dhe kryetari i PD-së, Basha replikojnë në Facebook për marrëveshjen me CEZ-in. Rama duke komentuar dje deklaratën e BB-së, e quan të drejtë marrëveshjen me CEZ. “Banka Botërore bën publike mbështetjen e plotë dhe vlerësimin për marrëveshjen me CEZ! Apo edhe BB dëshmitare e rreme si FMN? Vaj medet PD”. Edhe Basha ka zgjedhur Facebook për të reaguar. Sipas Bashës, marrëveshja me CEZ është vjedhja e shekullit që i bëhet shqiptarëve. “Nuk ka patericë që e shpëton dyshen Rama-Meta nga transparenca për vjedhjen e shekullit! Çdo shqiptar paguan 1,1 milionë lekë nga marrëveshja e paligjshme dhe antikushtetuese me CEZ! Orën e së vërtetës nuk ka forcë mbi tokë ta ndalë”, shkruan Basha.
Ndihma
Rivera: Në planin afatshkurtër, mbështetje importit
Një pjesë e huas së akorduar nga Banka Botërore do të mbulojë importin e energjisë që është i nevojshëm për shkak të humbjeve dhe kërkesës së brendshme. Programi, sipas shpjegimit të Salvador Riverës, drejtor në BB, gjithashtu do të ofrojë mbështetje në planin afatshkurtër për financimin e importeve të energjisë gjatë periudhave të thatësirës.Projekti i saponegociuar do të mbështesë edhe reformat në menaxhimin e sektorit, ristrukturimin institucional dhe zbatimin e një plani afatmesëm dhe afatgjatë për qëndrueshmërinë financiare të sektorit.