Opinion

BE-ja po ndjek një politikë favorizuese ndaj Serbisë

alfred_moisiu
Alfred Moisiu, Ish President i Republikës së Shqipërisë

Historikisht Ballkani është i njohur për të shkuarën e tij të turbullt dhe shumë problematike, sa që i është ngjitur edhe nofka e trashëguar „Fuçi Baruti“. Kohërat kanë ndryshuar, nuk janë si në të shkuarën, edhe pse gjurmët e së kaluarës ende mbahen gjallë, ndaj patjetër duhet që të mos hiqet vëmendja nga puna dhe përpjekjet për të punuar sa më shumë dhe më mirë për ruajtjen dhe forcimin e paqes në rajon. Pikërisht, kjo që sapo thashë e bën të rëndësishme Konferencën e FBP që po zhvillojmë sot këtu në Tiranë.

Lufta që i dha fund shpërbërjes së Jugosllavisë, pavarësisht se ka afro16 vjet që ka përfunduar, prap se prap plagët dhe kujtimet e saj janë ende të freskëta. Kjo na imponon të tërëve për të qenë të kujdesshëm qëçfarë duhet të bëjmë më mirë,me qëllim që plagët dhe shkëndijat e mbetura ende të pashuara të shërohen e zhduken sa më parë.

Ndryshe, po menduam se ato mund të shuhen vetvetiu gabojmë,sepse ato jo vetëm që kërkojnë një kohë shumë të gjatë, por kanë rrezik që të gjallërohen e ta rindezin klimën e tërbuar të luftës. Dihet se në rajonin tonë ka ende politikanë që janë të brumosur me idera nacionaliste dhe të hakmarrjes, ndaj qëllimisht për këtë kërkojnë shkaqe nga më të ndryshmet për të rindezur zjarrin. Atyre as që u bëhet vonë se mund të vriten njerëz apo bëhen shkatërrime të reja, mjafton që të jenë në krye dhe të arrijnë pikësynimet e tyre të çmendura. Kështu ka ndodhur edhe më parë.Ndaj të mos harrojmë se koka të nxehta ka pasur dhe do të ketëpërherë. Në botë nuk janë popujt apo njerëzit e thjeshtë që kërkojnë luftën dhe sherret. Janë pikërisht këta politikanë që përmenda dhe interesat e tyre dashakeqëse, të cilët nxisin ndjenjat e egra. Dhe për fat të keqnë ditët e sotmenë Ballkan nuk mungojnë mjeshtrat e këtyre bëmave.

Federata e Paqës Botërore ka bërë shumë mirë që ka menduar për të biseduar mbi këtë temëdhe nxjerrë detyra për të ardhmen, në mënyrë që njerëzit të jetojnë nëpaqe dhe të qetë,duke i shikuargjërat me syrin e kohës së re, pavarësisht nga ngjarjet e të kaluarës. Dhe ka bërë mirë që këtë po e organizon në Tiranë, pasi ne shqiptarët jemi populli më i goditur dhe më i vuajtur nga politikat e luftrave të zhvilluara në rajon. Dihet që historia e copëtimit dhe zhdukjes të popullit tonë ka filluar që në vitin 1878, në Kongresin e Berlinit, ka vazhduar mëpas me Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 dhe mandej më tej.

Ne shqiptarët e kemi treguar me shembuj konkret se jemi për t’i lënë prapa ato që kanë ndodhur, por ama jo të gjithë të tjerët janë të gatshëm për këtë. Edith Durham në librin e saj „Brengat e Ballkanit“(në vitin 1905) , në lidhje me sa thashë më sipër tregon se: “ Kombet e interesuara nuk qenë të gjithë të kënaqur me kufijtë e rinj, sepse është shumë e vështirë për çdo grup diplomatësh të hartojë harta popujsh për të cilët ata kanë pak ose aspak njohuri personale, në një vend që ata nuk e kishin shkelur kurrë me këmbë. Përveç kësaj, ata qenë ngarkuar të merreshin me një çështje ku kishin të bënin jo vetëm me interesat e popujve të Ballkanit, por dhe të interesave të tyre”. Ajo po në atë libër vazhdon se:”Pikëpamja që ekziston tani për t’i njohur Shqipërisë si të drejtat e saj vetëm një rrip toke malore për gjatë bregdetit, do të sjellë fatkeqësi të madhe.”

Por ja që për fat të keq ka ende në rajon politikanë që duan të mbyllin sytë para realiteteve të reja. Ata me ngulm kërkojnë të nxisin dhe të mbajnë gjallë sa më gjatë që të jetë e mundur atmosferën e urrejtjes dhe ndarjes midis popujve. Pasi një atmosferë e tillë helmuese është sipas tyre shumë e përshtatshme për t’i mbajtur sa më gjatë në politikë.

Me këtë rast,nuk mund të rri pa thënë se edhe BE-ja po bën një politikë me dy standarde ndaj Kosovës. Serbisë po i bëhen lëshime, që deri në një farë mase janë pranuar nga shqiptarët e Kosovës, ndërsa në anën tjetër politikanët serbë po ndjekin një politikë shtrënguese dhe bllokuese ndaj Republikës së Kosovës. Shembulli më i freskët është pengimi i saj për t’u pranuar në UNESKO. Pa folur se në Luginën e Preshevës, kushtet konkrete të shqiptarëve atje janë shumë larg atyre qëu janë siguruar serbëve të Mitrovicës së Veriut. Kam mendimin se një politikë e tillë nuk ndihmon në shërimin e plagëve dhe armiqësive të vjetra në rajon, prandaj duhen gjetur dhe përdorur mënyra të reja detyruese, për të rritur seriozitetin e klasave politike që të punojnë jo për veten e tyre por dhe për pakicat e të njëjtës kombësi si dhe paqen në Ballkan.

Një zgjidhje më e drejtë dhe më e plotë, që do të ndihmonte popujt e këtij rajoni, për të mos u marrë më me të kaluarën, do të ishte integrimi në Bashkimin Europian, që domosdoshmërisht nuk duhet zgjatur shumë. Shpreh habi kur vë re se në Europë vitet e fundit ka shpërthyer një valë skepticizmi ndaj zgjerimit. Do të sugjeroja që këto vende duhet ta kuptojnë se po të ketë probleme Ballkani, edhe ata nuk do të mbeten pa u përfshirë në problemet dhe pasojat që do të krijohen më pas.

Gjykoj se, ne si ambasadorë të paqes nuk mund të ndikojmë në sferat e larta të politikës europiane, përveç fjalëve me tone të forta, me besim se mund dhe të na dëgjojnë. Në të njëjtën kohë e kemi për detyrë të punojmë fort, me masat e gjëra të njerëzve për t’i sqaruar dhe bindur, se vetëm duke u përpjekur për të krijuar një klimë më të qëndrueshme mirëbesimi dhe mirëkuptimi midis tyre do të mundemi ta ruajmë dhe ta forcojmë paqen në rajonin tonë.

Në këtë drejtim një rol të rëndësishëm po luan dhe Këshilli Shqiptar i Paqes, i cili po punon pikërisht për të siguruar arritje për problemet e mësipërme, punë e cila duhet intensifikuar në vazhdimësi.

Aktualisht në botë ka tendenca të rrezikshme, për të përfshirë në sferën e kontradiktave edhe ndasitë fetare. Duhet thënë se në disa rajone, si në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore, këto kontradikta janë transformuar në ndeshje të egra luftarake, duke sjellë viktima si dhe shpërngulje të miliona njerëzve, të cilat po trondisin paqen dhe qetësinë edhe në Europë. I tillë është akti terrorist që kërcenoi Francën me datë 13 Nëntor ku humbën jetën një numër i konsiderueshëm personash, si dhe u plagosën shumë të tjerë. Këto akte barbare terroriste dhe ektremiste që synojnë të trembin dhe terrorizojnë mbarë botën e qytetëruar dhe demokratike, duhet të na bëjnë edhe më të ndërgjegjshëm e më solidarë për intensifikimin e luftës sonë të përbashkët kundër terrorizmit.

Aktualisht po vërtetohen parashikimet e Hantigtonit, i cili ka thënë se:“ndonëse mosha e ideologjisë ka përfunduar, edhe bota u rikthye në një gjendje normale të punëve, përsëri shihet se është e karakterizuar nga konflikti kulturor”.Ai argumentoi se boshti kryesor i konfliktit në të ardhmen do të jetë në vija kulturore dhe fetare. Edhe në këtë drejtim në rajonin tonë ka pasur tendenca për të prishur harmoninë fetare. Megjithëse tek ne shqiptarët është për t’u marrë shembull bashkë ekzistenca fetare, por po nuk u treguam të kujdesshëm ajo edhe mund të dëmtohet, gjë për të cilën lutemi që të mos ndodhë kurrë.

Them se të gjitha këto ndodhi bazën e kanë jo vetëm tek varfëria e njerëzve por dhe në kulturën e pamjaftueshme të tyre. Për rrjedhojë duhet që qeveritë vendore të rrisin vëmendjen në maksimum për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe uljen e papunësisë. Në të njejtën kohë,është më se e nevojshme që të kthehet seriozisht vëmendja ndaj zhvilimit të arsimit cilësor dhe të ringjalljes së jetës kulturore, të cilat do të ndihmojnë së tepërmi në përshpejtimin e mbushjes së boshllëqeve kulturore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button