Belind Këlliçi zbulon dokumentin: Sali Berisha po arrestohet për firmën e Edi Ramës
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka zbuluar në studion e A2CNN një dokument që është pjesë e dosjes me mbi 200 faqe të SPAK për çështjen “Partizani”, e cila do të çojë në arrestimin e kryedemokratit Sali Berisha, por mban firmën e Edi Ramës.
Ky dokument përmban vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit për bashkinë e Tiranës të vitit 2006 për transformimin e terrenit sportiv “Partizani” në terren ndërtimi, firmosur nga Edi Rama, asokohe kryetar i Bashkisë së kryeqytetit.
“Një nga shkeljet e vetme në ato 200 e ca faqe që ka gjetur SPAK-u është ndryshimi i destinacionit të truallit, nga terren sportiv në terren ndërtimi. Këtë vendim nuk e ka marrë zoti Berisha por kryetari i atëhershëm i bashkisë, Edi Rama, i cili në këtë shkresë ka firmën. Në pikë j të saj është edhe vendimi për rrugën “Frosina Plaku” dhe terrenin sportiv Partizani. Ky dokument është dokument zyrtar i Edi Ramës si kryetar i Bashkisë Tiranës dhe mbi të gjitha kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës. Është administruar si provë në dosje, tre herë përmendet kryetari i bashkisë së athershme dhe vendimi i vitit 2006 por kanë frikë t’i përmendin emrin Edi Ramës. Me firmë dhe me vulë dhe s’ka guxim Prokuroria e Posaçme ti përmend emrin Edi Ramës. Është e çuditshme se në të treja herët përmendet vendimi i Kryetarit të Bashkisë me titull, thua sikur nuk ka emër. Këtu ke të bësh me drejtësi me dy standarde. Kjo është një tentativë e përsëritur e organeve të reja të drejtësisë për të goditur opozitën.”
Këlliçi më tej shtoi se SPAK është duke bërë goditje politike dhe Berisha do të arrestohet duke mos pasur asnjë akuzë që rëndon mbi të.
“Për herë të parë në këtë vend po dënohet një lider politik për shkak se ka mbajtur premtimet e programit të tij elektoral me të cilat ka ardhur në pushtet. Në vitin 2005 zoti Berisha ka pasur një ndër pikat e programit të tij kthimin e pronave dhe kompensimin e familjeve pronare. Për mua një kambanë alarmi shumë e madhe si qytetar në radhë t parë është që ditën e martë do të arrestohet një ish-President, një ish-kryeministër, pak rëndësi ka e ka emrin Sali Berisha nesër mund të jetë Edi Rama, pa asnjë akuzë. Zoti Berisha sot që flasim nuk ka asnjë akuzë të ngritur mbi shpinën e tij. Sepse SPAK-u po bën një goditje politike. Zoti Berisha ka zero akuza dhe ka tre masa mbi kurriz. Nuk ka asnjë akuzë, sot Berisha po hetohet. Po gjykohet për një çështje, për të cilën akuzohet dhëndri i tij, që ka marrë pronën e familjes së tij, familjes Begeja.”