Berisha për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës: Një vendim i drejtë!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur sot në 17 mars vendimin e Bashkimit Europian për heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj Kosovës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha thekson se kjo është një arritje e rëndësishme për vendin dhe një goditje e merituar për “dyshen famëzeze të Ballkanit”, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç.
Sipas kreut demokrat, Rama e Vuçiç kanë mbajtur gjithmonë qëndrime armiqësore ndaj Kosovës.
Reagimi i Berishës:
Një vendim i drejtë i BE-së për Kosovën.
Të dashur miq, Bashkimi Europian hoqi të gjitha sanksonet për Kosovën. Partia Demokratike përshëndet Kosovën për këtë arritje të re e të rëndësishme.
PD shton se ky vendim është një goditje e rëndë dhe e merituar për dyshen famëzezë të Ballkanit Rama – Vuçiç dhe qëndrimet e tyre armiqësore ndaj Kosovës!
Gjatë ditës së sotme, Bashkimi Evropian ka hequr të gjitha masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, është bërë e ditur nga Komisioni Evropian.
Gjatë debatit që është zhvilluar për raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së, konfirmoi heqjen e masave financiare.
“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, u shpreh ai.
Gjatë diskutimit në Parlamentin Evropian është shprehur keqardhje për vitin e humbur në Kosovë, për shkak të ngërçit politik me të cilin u përball vendi gjatë gjithë vitit 2025. Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, tha se paraliza politike në të cilin ishte Kosova, kishte pasoja edhe në procesin reformues.
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat kishin të bënin me pezullim të financimit dhe të takimeve dypalëshe midis zyrtarëve evropianë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.