Ekonomia

BERZH dhe Bashkia Tiranë, bashkëpunim për përmirësimin e infrastrukturës së kryeqytetit

Bashkia e Tiranës dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë rënë dakord të punojnë së bashku për të përmirësuar infrastrukturën e kryeqytetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tij.

Një Memorandum Mirëkuptimi u nënshkrua sot në Tiranë nga Zëvendëspresidenti i parë i BERZH, Phil Bennett dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Palët bien dakort të bashkëpunojnë në fushën e transportit urban, infrastrukturës rrugore urbane, sistemet e ujit dhe shërbimet e kanalizimit, menaxhimin e mbeturinave të ngurta, dritat e rrugës dhe përmirësimet e përgjithshme në efikasitetin e energjisë.

Përveç kësaj, BERZH dhe komuniteti synojnë të punojnë për një plan veprimi që do të adresojë sfidat globale të ndryshimeve klimaterike. Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u shpreh se “ky është një hap shumë i rëndësishëm për qytetin tonë”. “Ne jemi të kënaqur që të kemi mbështetjen e BERZH-it në këtë ndërmarrje të rëndësishme. Zbatimi i projekteve të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin do të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të besueshëm dhe të qëndrueshëm komunal, që do të stimulojë rritjen ekonomike të kryeqytetit, do të përmirësojë kushtet e jetesës për shumë qytetarë të Tiranës dhe do të ketë një kontribut pozitiv në ekonominë e gjelbër”, tha ai.

Ndërsa zëvendëspresidenti i parë i BERZH-it Phil Bennett tha se “ne besojmë se infrastruktura e qëndrueshme komunale është një parakusht për zhvillimin urban klimës miqësore, e cila është në qendër të qasjes sonë së ekonomisë së gjelbër”. “Së bashku me qytetin e Tiranës ne kemi identifikuar fushat kyçe ku ekspertiza e BERZH-it mund të kontribuojë në zbatimin efikas dhe të qëndrueshëm të projekteve komunale”, tha ai.

Në veçanti, BERZH do të mbështesë përgatitjen e projekteve, zhvillimin institucional përmes trajnimit si dhe do të japë asistencë në zbatimin e projekteve dhe të prokurimit, si dhe auditimeve të energjisë për të mbështetur vlerësimin e efikasitetit energjetik të ndriçimit rrugor dhe ndërtimit në kryeqytetin shqiptar.

Që nga fillimi i operacioneve të saj në Shqipëri, BERZH ka investuar pothuajse 1 miliard euro në mbi 70 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button