☁️
Tiranë 6°C · Vranët 22 March 2026
S&P 500 6,506 ▼1.51%
DOW 45,577 ▼0.96%
NASDAQ 21,648 ▼2.01%
NAFTA 98.23 ▲2.8%
ARI 4,575 ▼0.67%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1554 EUR/GBP 0.8656 EUR/CHF 0.9112 EUR/ALL 96.0700 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4680 EUR/TRY 51.2211 EUR/JPY 183.75 EUR/CAD 1.5855 EUR/USD 1.1554 EUR/GBP 0.8656 EUR/CHF 0.9112 EUR/ALL 96.0700 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4680 EUR/TRY 51.2211 EUR/JPY 183.75 EUR/CAD 1.5855
₿ CRYPTO
BTC $69,365 ▼ -1.81% ETH $2,119 ▼ -1.56% XRP $1.4210 ▼ -1.75% SOL $88.7100 ▼ -1.86%
S&P 500 6,506 ▼1.51 % DOW 45,577 ▼0.96 % NASDAQ 21,648 ▼2.01 % NAFTA 98.23 ▲2.8 % ARI 4,575 ▼0.67 % S&P 500 6,506 ▼1.51 % DOW 45,577 ▼0.96 % NASDAQ 21,648 ▼2.01 % NAFTA 98.23 ▲2.8 % ARI 4,575 ▼0.67 %
EUR/USD 1.1554 EUR/GBP 0.8656 EUR/CHF 0.9112 EUR/ALL 96.0700 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4680 EUR/TRY 51.2211 EUR/JPY 183.75 EUR/CAD 1.5855 EUR/USD 1.1554 EUR/GBP 0.8656 EUR/CHF 0.9112 EUR/ALL 96.0700 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4680 EUR/TRY 51.2211 EUR/JPY 183.75 EUR/CAD 1.5855
22 Mar 2026
Breaking
Opinion

Beteja e frikshme: Fjalë – Figurë! ( F-F )

E ndiej përditë. Jam i frikësuar, ndaj shkruaj e flas si i marrë

Nga SHEFQET MEKO

Brezi im, brezi tjetër dhe të gjithë midis, e shohin përditë. Beteja e shekullit është F-F (Fjalë-Figurë). Unë dhe ti, që u rritëm me fjalën. Ti dhe unë që mbajtëm fjalën. Tani mbaj “gishtin lart”. (Të keqen o grusht). Sa shumë trishtohem. Sepse unë nuk mbaj mend se çfarë figure pashë për herë të parë, sepse u linda kur nuk kishte shumë figura dhe “sajesa magjike”. Unë mbaj mend të kem thënë “mam” e “bab”. Sepse këto ishin shqiptimet e para të bijve të mi.
Unë, ti, ata që ikën dhe ata që janë mes nesh: u rritëm me fjalën. Ramë në gjumë duke dëgjuar përralla dhe fillonim jetën për “të mbajtur fjalën”. Po sot? Po nesër? Po shekulli që nuk ka ardhur akoma?…
Fjala që më mbajti gjallë. Fjala që nuk vdiq kurrë tek unë. Fjala që rrëfeu përralla, legjenda, heroizma dhe drama njerëzore, tash nën sulm. Në zhdukje. Në pakicë… Ne lexonim përshkrimet te “Lufta dhe Paqja”, te librat e Hygoit, Balzakut, Kroninit e sa e sa të tjerë dhe fjala na rrëmbente në mrekullinë e saj rrëfyese. Nuk kishim kamera, as ngjyra, as qelqe. Kishim mendjen tonë. Të pastër. Të freskët. Me plot lexime… Po sot? Po tani? Po nesër?…
I shkruan dikujt. I thua fjalë nga shpirti. I sjell një kujtim, një çast të bukur. Ai përgjigjet: “Me gisht e madh përpjetë…”(si kastravec i papjekur), ose të çon figura të bukura, magjike, ku ka çdo gjë mrekulli, por asnjë fjalë.
Lufta me e frikshme nuk është ajo që shihni. Lufta më e frikshme është Fjalë-Fugur. Fjala struket diku. Në ekran del figura: një përbindësh pa fjalë. Janë thënë të gjitha. Fjala fshihet se mos e “rrëmben tymi vrasës”. Fjala, magjia që e ka vetëm njeriu. Mrekullia e vetme për të cilën them “Zot, faleminderit”. Shpirti dhe gjaku ynë. Fjala – ajo që na bëri të ndiejmë emocionet e para. Puthjet e e bukura,(që ja përshkrunim vetes në heshtje), dashuritë që nuk harrohen. A ju kujtohet dashuria e parë? Sa fjalë sollët në mendje për ta thënë e shprehur atë ndjenjë të bukur. A nuk ishim “skllevër të lumtur” nga ato fjalë që nuk mund t’i thoshim?
Po sot, miqtë e mi? Po sot? Ku është fjala? Dashuria shprehet me “ngjyra në qelqe”. Ftohtë. Pa emocion. Pa “leqet që dridhen”, pa duart që “nuk gjejnë xhepat”, pa atë “Po” të bukur që kemi provuar të gjithë. Sot, unë ndiej të sikur jam “memec”. Përpëlit buzët. Flas me vete. Shkruaj për vete. Lexoj për vete. Fjala është “dashuria që vdes me mua”. Ne vdesim kur nuk flasim më. Ne, në fakt, po vdesim dalë nga dalë. Jo shumë larg, figura do ta mposhtë fjalën. Ne do të jemi “meme në qelqe”. Gjëra të pakuptimta. Gjuhët do zhduken. Fjala e çdo gjuhe do të arratiset dhe ne, nëse jemi gjallë, do të jemi thjesht “mumje memece” me gjuhën universale “të figurave”.
Fjala po humb “lëngun emocional”. Po bëhet “meme”, gjë e pakuptimtë, por që e “lexojnë” të gjithë njësoj. Bota kërcënohet. Ne do të varrosemi nga kompjuterë që “lëshojnë lotë” artificialë dhe nuk do të na mbajë mend kush, siç mban mend brezi im shkrimtarët e mëdhenj. Agolli, Kadareja, Arapi, Spahiu, Dokle, Hoxha e shumë shkrimtarë suksesi që ende jetojnë, mbahen mend nga fjalët që shkruan dhe përshkruanë aq magjishëm botën e shpirtin shqiptar. Mendimi që thurën. Përshkrimet që “thyejnë qelqet” me “pikat e shiut”…
Po nesër? Do të jemi pa emër. Do të jemi meme të ftohta. Fjala po varroset, si dikur faraonët e Egjiptit në piramidat e tyre. Por ata kishin emra. Ne do të mbetemi “meme koti”. Uroj shqipja jo. Uroj librat e shkruar shqip të mbeten diku dhe të lexohen nga ata që “do dinë të lexojnë”.
Brezi im, brezi yt dhe gjithë brezat midis: na lindi fjala dhe na rritën nanullat. Ne flinim duke dëgjuar përralla dhe ngriheshim të nesërmen të “gjurmonim” përrallat e bukura.
Fjala. Kam frikë se po vdes. Kam frikë se do të jetë “ikja” e madhe e shekullit tonë, si unë, “ikanaku” i shekullit që iku. Të mendojmë për fjalën sa nuk është vonë. Figura është bërë “superfuqi” e çmendur. A mund ta mundë “fjala që na bëri njerëz”?…
Fjalë. Të dua. Mos ik, ose, nëse dorëzohesh, më “merr dhe mua”, sepse nuk jetoj dot pa ty.
Dueli vijon. Pa britma. Pa “raketa në qiell”. Vijon si një “pushtim” i avashtë, pa kthim.
Kujt t’i drejtoj lutjen time? Kujt?..Zonjtë cicërojnë jashtë. Ata më duket me fat. Askush nuk ua “vjedh” dot cicërimën e bukur.

Shefqet Meko
Minneapolis, 20 mars 2026

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.