Kosova

Bie numri i lëndëve të vjetra, mbetet sfidë numri i gjyqtarëve në Gjykatën Themelore

Viti 2016 për Gjykatën Themelore të Prishtinës ka qenë i suksesshëm pasi që është zvogëluar numri i lëndëve të vjetra për mbi 150 mijë.

Megjithatë, kjo gjykatë vazhdon të përballet me numër të madh të lëndëve të vjetërsuara për kokë gjyqtari.

Po ashtu, sfidë tjetër edhe në vitin që vije mbet numri i vogël i gjyqtarëve.

Këtë raport e ka publikuar kryetari i Gjykatës themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi në një konferencë përmbledhëse për periudhën janar-nëntor 2016.

Ibrahimi ka thënë se edhe pse gjykata që e drejton vazhdon të përballet me lëndë të vjetërsuara, vetëm gjatë këtij viti këto lëndë gati janë përgjysmuar.

“Në vitin 2016 kemi hyrë me një numër shumë të madh të lëndëve të trashëguara nga vitet e kaluara dhe ne kemi vazhduar të kemi ngarkesë me lëndë qysh nga vitet e 2004, 05, 06 etj. kështu që ishte një bagazh i trashëguar që po bartet nga viti në vit por që në fillim dua të them se e arritura jonë kryesore në këtë vit është zvogëlimi i numrit të lëndëve të vjetra dhe marrja në shqyrtim e lëndëve të vjetra kryesisht civile ku kemi treguar një rezultat shumë të mirë….ne në këtë periudhë kohore për të cilën po raportoj llogaritur nga çështjet me të thjeshta në gjykatë për të cilat një qytetar i vendit ka nevojë të adresohet e deri te çështjet më të rënda kishim në punë mbi 320 mijë raste, prej tyre ne kemi kryer mbi 159 mijë, prandaj numerikisht e shohim se me çka përballet regjioni i Prishtinës”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka shtuar se edhe këtë vit Gjykata Themelore është përballur me numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve dhe stafit administrativ, për çka është detyruar të angazhoj staf me kontratë mbi vepër.

Ndërsa, në Departamentin për Krime të Rënda, Ibrahimi u shpreh se gjatë këtij viti janë përballur me një numër shumë të madh të lëndëve duke e krahasuar me numrin e lëndëve në të gjitha gjykatat.

“Në departamentin për krime të rënda ne kemi një numër shumë të madh të lëndëve që ti procedojmë, kishim lëndë në punë 2 mijë e 878 që besoj sa krejt gjykatat në Kosovë nuk i kanë dhe kemi përfunduar 645 ndërsa kanë mbetur mbi 2 mijë e 200 lëndë. Këtë departament e ka përcjellë edhe mungesa e numrit të gjyqtarëve por edhe dukuria e mos kompletimit të trupës gjykuese për shkak se gjyqtarët kanë qenë të angazhuar edhe me gjyqtarët e UELEX-it dhe vet Kodi i Procedurës Penale për nga kompetenca parasheh përfshirjen e tre gjyqtarëve profesionistë dhe po shkaktohen vështirësi shumë në kuptimin kohor”, tha Ibrahimi.

Ndërkohë, i pyetur për shkëputjen e kontratës pas 14 viteve në krye të kësaj gjykate dhe emërimin e një gjyqtareje të re, Ibrahimi është shprehur se me mënyrën e emërimit të saj më së shumti është dëmtuar reputacioni i atyre që e kanë emëruar.

“Nëse kam diçka që kam arsye që të dal para opinionit dhe të krenohem mendoj që është principi i punës që të ndajmë drejtësi dhe të mos shesim drejtësi dhe jam munduar që të bëjë sa do pak që besimi i qytetarëve për drejtësi në këtë vend të kthehet ashtu që të jemi shërbëtorë në interes të qytetarëve të vendit. Ajo që ka ndodh në procedurë, ju e dini unë e kam dhënë një prononcim publik, mendoj që nuk iu bënë nder procedurave të zgjedhjes për asnjë rast, për asnjë funksion, por ka ndodh ajo që ka ndodh , ju e keni parë dhe ndoshta është një akt i cili mua personalisht më bënë nder sepse ka diçka që dihet edhe nuk kishin ditë më mirë me e dëmtuar reputacionin e vet se sa që e kanë dëmtuar me atë proces qysh e kanë bërë. Unë nuk do ta lakoj asnjë emër dua atë shpresoj dhe të besoj se gjykata duhet të jetë ajo që i duhet vendit dhe unë do ti gëzohem personalisht çdo suksesi që arrihet në të ardhmen”, tha ai.

Ibrahimi është shprehur se edhe këtë vit ka mbetur sfidë përfundimi i lëndëve në departamentin administrativ ku është shprehur se nuk është arritur të përfundojmë të gjitha lëndët.

Ai është shprehur se pikërisht në këtë departament bëjnë pjesë qytetarët të cilët kanë kërkesa për vende të punës ose pensione rastet e të cilëve duhet të përfundojnë deri në 90 ditë, e të cilat siç është shprehur ai në këtë gjykatë marrin kohë me vite, andaj kryetari Ibrahimi u ka kërkuar falje publike të gjithë atyre që kanë proceduar ndonjë rast të tillë.

Ibrahimi ka shtuar se edhe në divizionin penal vetëm këtë vit janë pranuar rreth 5 mijë lëndë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button