Ekonomia

Bien çmimet e banesave, rriten qiratë

Indeksi

real-estate-shtepi-pro_opt

Vijon rënia e çmimit të banesave, ndërsa rriten vlerat e qirasë. Indeksi i çmimit të banesave, sipas INSTAT-it, regjistroi një rënie vjetore prej 3.4% në terma realë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014. Rënia e IÇB-së gjatë këtij tremujori, pason rënien me 1.8% në tremujorin e parë dhe me 4.7% gjatë vitit të kaluar. Nga ana tjetër, zhvillimet më të fundit në indeksin e qirasë (IQB) tregojnë për vijim të normave rritëse të tij. Në tremujorin e dytë, i rregulluar për normën e inflacionit, ndryshimi i IQB është 5.1%. Ky është tremujori i katër rresht gjatë, të cilit indeksi i qirasë shënon rritje vjetore. Raporti i indeksit të çmimit ndaj indeksit të qirasë është në nivelin 2.1, rreth 0.2 pikë më i ulët krahasuar me një vit më parë. Pavarësisht luhatjeve tremujore të këtij raporti, niveli i tij qëndron shumë afër mesatares së pesë viteve të fundit. Sinjalet që vijnë nga ky raport, i cili përdoret për të parë nëse banesat janë të mbiçmuara, mbështesin një stabilizim të çmimit të banesave gjatë pesë viteve të fundit. Ndërkaq, numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa banimi dhe ndërtesa të tjera përfaqëson një tregues paraprirës të zhvillimeve në sektorin e ndërtimit. Lejet e akorduara u rritën gradualisht gjatë 2013-s, por qëndruan nën numrin e lejeve të miratuara në vite. Në tremujorin e parë të vitit u akorduan rreth 58 leje ndërtimi, një numër më i lartë krahasuar me tremujorët e parë të viteve 2012 dhe 2013, por ndjeshëm nën vëllimin historik

Inventari

Gati lista me 1760 objekte shtetërore do të privatizohen

Gati për privatizim shumë ndërmarrje dhe objekte shtetërore që nuk janë në aktivitet. Nga të dhënat e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, janë evidentuar për efekt shfrytëzimi dhe privatizimi rreth 1760 objekte që nuk përdoren, si dhe të shërbimeve të ndryshme të ministrive të Brendshme, Mbrojtjes, Bujqësisë, Turizmit, Shëndetësisë, Arsimit etj., të cilat janë pjesë e inventarit të shtetit. Për këtë grup objektesh tashmë janë saktësuar vendndodhjet, sipërfaqja, statusi i tyre privat ose shtetëror, ka ose jo vendim për kthim dhe kompensim nga AKKP-ja, mes të cilave edhe 25 ndërmarrje sh.a. dhe 24 të tjera sh.p.k. Për secilin objekt, ministria ka bërë përcaktimin me harta, gentplane, gjendjen fizike dhe amortizimin.

Turizmi

Niko Peleshi inspekton ndërtimin e rrugës së Valbonës

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi inspekton punimet në rrugën Bajram Curri–Valbonë, e cila zgjidh një nga pengesat më të mëdha që kanë penguar zhvillimin e turizmit. Numri dy i qeverisë bëri një ndalesë edhe në Qendrën e Zhvillimit të Turizmit në Valbonë, ku bisedoi me banorë dhe drejtues lokalë për perspektivën e zhvillimit të zonës. “Plani ynë për zonën e Tropojës është një plan integral. Ne nuk do të mjaftohemi vetëm me përfundimin e një cope rrugë apo të një ujësjellësi. Ne duam që të përfundojmë një plan zhvillimor që i ka të gjithë komponentët brenda, që nga infrastruktura, ujësjellësit, kanalizimet, shërbimet, zhvillimin e turizmit”, tha Peleshi. Zëvendëskryeministri nënvizoi potencialin e madh turistik të Valbonës dhe suksesin e saj në tërheqjen e turistëve të huaj, ndërkohë që për shqiptarët ajo vazhdon të mbetet e panjohur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button