Ekonomia

Borxhi i ish-ushtarakëve, si do bëhet verifikimi

Nga Pranvera Kola

Nis verifikimi i dokumentacioneve dhe listave zyrtare për mijëra ish-ushtarakë në të gjithë vendin që do të përfitojnë nga falja e borxheve të krijuara nga procesi i rillogaritje së pensioneve nga organet e sigurimeve shoqërore.

Falja e detyrimeve nis që me pagesat e rillogaritura gjatë 2009-ës, e në vijim. Për të rikuperuar detyrimet e prapambetura nga rillogaritja këtyre përfituesve u mbahej nga pagesa mujore deri në 25 për qind të përfitimit.

Por, me vendimin e zbardhur gjatë ditës së djeshme Fletoren Zyrtare të Qeverisë, nis zyrtarisht procedura e faljes së këtyre detyrimeve, çka do të thotë se ish-ushtarakëve nuk do u mbahet më asnjë pjesë e përfitimit mujor. Efektet e faljes së këtyre detyrimeve të papaguara nga përfituesit përfshijnë periudhën nga 2009, e do të vijojnë deri në datën 1 qershor të 2016-ës.

Ndërsa shtresave që u janë mbajtur një pjesë e këtyre borxheve, organet e sigurimeve shoqërore pasi të bëjnë verifikimet përkatëse do të kthejnë të gjitha shumat që i korrespondojnë secilit përfitues. Për çdo ish-ushtarak debitor, po evidentohet veçmas shuma përkatëse e borxhit, sipas numrit dhe kodit informatik të përfitimit.

Ky document do të nënshkruhet nga nëpunësi autorizues dhe nëpunësi zbatues i njësisë shpenzuese, të cilët do të bëjnë edhe zyrtarizimin e gjendjes së debitorit në dokumentet kontabile, si dhe në sistemin informatik të përfitimeve të sistemit të sigurimeve shoqërore.

Sipas afateve të përcaktuara në vendimin që hyri dje në fuqi, deri në mbyllje të muajit tetor, Organet e Sigurimeve Shoqërore duhet të dërgojnë pranë strukturave përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme listat emërore të përditësuara të personave që duhet t’ju plotësohet dokumentacioni.

Pas zyrtarizimit të listës së përfituesve, këta të fundit duhet të paraqiten pranë strukturave të ISSH-s, për të përmbyllur dhe dorëzuar dokumentacionet e nevojshme që do të shërbejnë për faljen e këtyre detyrimeve. Njoftimi i tyre do të bëhet më anë të Postës Shqiptare.

“Personat e interesuar, që janë përfitues nga sistemi i sigurimeve suplementare dhe strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri në datën 31 dhjetor duhet të paraqesin në Institutin e Sigurimeve Shoqërore modelarin 03 që ka të bëjë me vërtetimin për vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese.

Nëse ky vërtetim nuk dorëzohet Brenda kësaj date, falja e detyrimeve nuk do të jetë më e mundur për këta përfitues. Kjo sepse pas kësaj date, detyrimet e llogaritura me efekt financiar nga data 1.7.2009 e në vazhdim, nuk falen, ndërkohë që deri në plotësimin e dokumentacionit, përfitimi mujor përllogaritet në nivelin e pensionit minimal në shkallë vendi.

Në rillogaritjet me datë fillimi nga data 1 qershori I 2016,  nuk do të përfshihen diferencat që rrjedhin nga rillogaritja për afatet që i përkasin periudhës 1 korrik 2009,deri më 1.6.2016. Efektet financiare për kthimin e shumave të detyrimeve të paguara nga përfituesit, të cilat përllogariten në shumën 369 milionë lekë, ndahen për pagesë: 180 milionë lekë gjatë këtij viti, dhe në 189 milionë lekë në vitin 2017.

Shuma e fondeve të përcaktuara për të ndarë gjatë këtij viti do të përballohet nga fondi i miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ndërsa shuma e fondeve të vitit 2017 të parashikohet në buxhetin e sigurimeve shoqërore të vitit të ardhshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button