Ekonomia

Borxhi Italian 2.5 milionë euro konvertohet në 6 projekte

caniNë Ministrinë e Financave u zhvillua sot ceremonia e miratimit të financimit të gjashtë projekteve, për një vlerë totale financimi prej 2.5 milionë euro, pjesë e thirrjes e tretë në kuadrin e Marrëveshjes Italo-Shqiptare të konvertimit të borxhit për Zhvillim (IADSA), një iniciativë e Programit Aktual të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Italo-Shqiptar për të mbështetur zhvillimin social në Shqipëri.

Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani, përfitues të projektit: Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, zëvendësministrja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, znj. Brunilda Paskali, përfaqësues të lartë të ministrive fituese të projektit, drejtues dhe menaxherë të këtyre projekteve, etj.

Në fjalën e tij, në fillim të ceremonisë, ministri  Cani tha se “Programi Italo – Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA), të cilin kam kënaqësinë ta bashkudhëheq me Ambasadorin Gaiani, është një nga shembujt më konkret se si vullneti i mirë i dy qeverive mund të sjellë ndryshime reale”.

Ministri Cani e vlerësoi si “një nga programet me efikasitet më të lartë”, këtë program, duke shtuar se “ndryshe nga herët e tjera dhe, kryesisht për shkak të reformës territoriale, këtë herë thirrja ishte e hapur vetëm për ministritë dhe agjencitë qeveritare” dhe se “projektet e financuara i përgjigjen nevojave konkrete të target grupeve të caktuara dhe janë në linjë me strategjitë zhvillimore të qeverisë shqiptare”.

Thirrjes së tretë për propozime të shpallur i’u përgjigjën 38 projekt-propozime të paraqitura nga ministritë shqiptare, për një total financimesh të kërkuar prej 14 milionë Eurosh. Projektet janë bazuar në prioritetet strategjike të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të përfshira në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe me strategji të përditësuara sektoriale dhe ndërsektoriale, si edhe me Planin Kombëtar të Veprimit për Realizimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Republikës së Shqipërisë.

Pas fazave të vlerësimit teknik të projeKt-propozimeve, Komiteti i Menaxhimit aprovoi financimin e 6 projekteve për një vlerë totale financimi prej 2.5 milionë euro. Në projektet e financuara përfshihen: një projekt ka si qëllim zhvillimin e një projekti pilot për zhvillimin turistik në zonën e Vlorës, nëpërmjet krijimit të qendrave të informacionit turistik dhe infrastrukturës sinjalistike turistike, një projekti i dytë, që ka si qëllim konvertimin e bunkerit të nëndheshëm pranë Ministrisë së Brendshme në një qendër artistike të vizitueshme); një projekt që ka si qëllim krijimin e standardeve për urgjencat në pikat turistike detare dhe pajisjen e ambienteve me aparatura mjekësore të përshtatshme; një projekt për krijimin e 5 shkollave pilot në konceptin e shkollës si Qendër Komunitare; projekt për krijimin e një inkubatori për startup-et teknologjike dhe financimin e disa ideve për t’u shndërruar në biznese inovative; një tjetër projekt për fuqizimin e formimit profesional në sektorin e mekatronikës në Shkodër.

Më pas e mori fjalën edhe ambasadori Gaiani, i cili theksoi rëndësinë e këtij programi që deri tani ka shpallur rreth 24 projekte fituese me një vlerë 11,5 milionë euro.

“Ne jemi shumë të kënaqur për të njoftuar sot se ne kemi filluar kohët e fundit negociatat për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re midis dy qeverive tona për të siguruar kthimin e borxhit të një shtesë 20 milionë eurosh që do të jetë gjithmonë të destinuara për sektorin social. Eshte rënë dakord tashmë në protokollin bilateral të bashkëpunimit, të nënshkruar dhjetorin e kaluar këtu në Tiranë. Si një mjet i mbështetjes dypalëshe të zhvillimit, konvertimi i borxhit është një konfirmim i ri i angazhimit të dy italian për Shqipërinë, si lidhjet miqësore ndërmjet dy vendeve tona”, u shpreh ambasadori Gaiani.

Më pas për përfaqësuesit e ministrive përkatëse u shpërndanë dosjet fituese.

Sikurse dihet, thirrjes së dytë për propozime iu përgjigjën 96 projekte nga e gjithë Shqipëria për një total financimesh të kërkuar prej 20 milionë Eurosh, kryesisht për projekte në fushën e përmirësimit të arsimit bazë në zona me mangësi të theksuara; përforcimin e formimit profesional; përmirësimin e shërbimit shëndetësor bazë dhe atë parandalues; iniciativa për të mbështetur integrimin social të grupeve shoqërore më të rrezikuara dhe punësimin e të rinjve; zhvillimin e integruar rural për të krijuar mundësi të reja punësimi nëpërmjet qasjes LEADER.

Ndërkohë që 92 projekte, me një total financimesh të kërkuar prej 18 milionë Eurosh kanë qenë pjesë e thirrjes së parë të këtij programi të konvertimit të borxhit. Programi i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA), një instrument inovativ për vendin tonë,  deri tani ka rezultuar të jetë një nga programet më të suksesshme italo-shqiptare të viteve të fundit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button