Kryeartikull

Bota postibipolare, mes rendit dhe çrregullsisë

isiseuropeNGA ARBEN HOXHA 

Në kujtesën e qytetërimit perëndimor, vitin 2014, do të shënohet për dy zhvillime interesante në fushën e jetës politike dhe të së drejtës ndërkombëtare: agresionin neomesjetar territorial të Rusisë kundër Ukrainës, me qëllim të krijimit të Euro-Azisë, si strukturë e re ndërkombëtare e themeluar sipas modelit të Bashkimit Europian për nevoja të dobësimit të fuqisë ndikuese të tij (Bashkimit Europian); dhe pamjet neomesjetare (të transmetuara përmes teknologjive të komunikimit masiv), të heqjeve me gjakftohtësi të kokave të gazetarëve dhe viktimave të tjera të pafajshme, nga ana e kriminelëve të ISIS.

Mënyrat e shfaqjeve, si dhe brutaliteti i shfaqjes së qëllimeve të këtyre akteve, do të jetë një përplasje cinike me kategoritë dhe sistemin e etikës liberale të shoqërisë perëndimore postindustriale. Pse? Sepse këto akte legjitimitetin e tyre veprues do ta bazojnë, në njërën anë, në konceptime mesjetare të kategorive etike (të së mirës, të së keqes), si përcaktuese të natyrës së mjeteve e të qëllimeve politike dhe marrëdhënieve ndërmjet tyre (rasti i ISIS); dhe, në anën tjetër, në konceptime vestfaliane të kategorive etike, ku fuqia konsiderohet si kategori përcaktuese e përmbajtjes së të mirës dhe të së drejtës; të mjeteve dhe qëllimeve politike e raportit ndërmjet tyre (rasti i Rusisë ndaj Ukrainës).

Si është e mundur të ndodhë kjo në botën tonë të rritjes së densitetit të komunikimeve sociale, kulturore, ekonomike e politike ndërkontinentale? Si është e mundur që, në njërën anë, të shfaqen impulse për mbizotërim pa minimumin e diskrecionit diplomatik, gati duke i shpallur të mosqena mekanizmat që e vendosin rendin politik ndërkombëtar (Rusia në raport me Ukrainën dhe mekanizmat ndërkombëtarë) dhe, nga ana tjetër, si është e mundur që në pikën më të lartë të entuziazmit për shfaqjen e mundësive të njeriut për pushtim të hapësirave të reja të lirisë politike, ekonomike, kulturore, kombëtare, ekzistenciale e njerëzore, të shfaqen metoda neomesjetare për arritje qëllimesh politike (rasti i ISIS)?

Pas rënies së Murit të Berlinit, modeli neoliberal i globalizimit strukturën e shoqërisë botërore do ta vërë para një sfide të re konceptuale-teorike dhe praktike, për krijimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme, ndërmjet “të veçantës” me “të përveçmen”; të “pjesës” me “tërësinë”; “të madhes” me “të voglën”; të “qendrës” me “periferinë”, “të njëshit” me “shumësinë”.

Globalizimi i modelit neoliberal, në njërën anë, do të jetë mundësi për ndërveprim ndërmjet popujve, kulturave, ekonomive të ndryshme sipas parimit të solidarësisë dhe bashkëpjesëmarrjes në bërjen e asaj që është e “mirë e përbashkët” për mirëqenien e individit dhe të shoqërisë botërore në tërësi dhe, nga ana tjetër, ai do të përmbajë e do të prodhojë mundësi realitetesh për vetaktualizim, për bërje dhe vetëbërje të entiteteve të shumta të margjinalizuara (ose të vetëndiera të margjinalizuara në përpjesëtim të drejtë me vetëvlerësimin e dispozitave të brendshme për të mos qenë të tilla – të margjinalizuara) në periudha të gjata kohore. Entitetet e tilla në “të mirën e përgjithshme botërore”, në njërën anë, do të shohin rrezikun e zhbërjes së “të veçantës” (lëvizjet antiglobaliste) dhe, nga ana tjetër, do ta shohin mundësinë e universalizmit të “së mirës së tyre të veçantë” (ISIS). Periudha e re e globalizimit të modelit neoliberal, do të përdoret si një hapësirë për ushtrimin e vullneteve të subjekteve margjinale – pretendentë për bërjen apo ribërjen e vetes së tyre (luftërat antikoloniale, luftërat për pavarësi, krijimi i shteteve të reja kombëtare).

Shumësia e trajtave të shfaqjes së radikalizmit për dominim politik, religjioz, nacional, racor, kulturor etj., ndërmjet aktorëve dhe pretendentëve për të qenë aktorë vendimmarrës në jetën e shoqërisë botërore mund të kuptohen drejt vetëm duke e parë atë në prizmin e tkurrjes së parimit idealist (kantian), përballë agresivitetit progresiv të parimit realist (hobsian), brenda kontekstit të realitetit të globalizimit të modelit neoliberal.

Taktika dhe qëllimet luftarake që po i ndjek Rusia kundër Ukrainës, për ta realizuar qëllimin e saj gjeostrategjik të krijimit të zonës së Euro-Azisë si kundërvënie ndaj Aleancës Veri-Atlantike dhe Bashkimit Europian; metodat terroriste “neomesjetare” që po i përdor ISIS; bombardimet e ushtrisë izraelite mbi popullin e pambrojtur palestinez, në njërën anë dhe, në anën tjetër, organizimi i protestave në shenjë solidarizimi me fatin e popullit palestinez gjithandej Europës, në të cilat do të marrin pjesë, bashkë me myslimanë të prejardhjeve të ndryshme kombëtare, edhe judejtë; janë disa nga treguesit që flasin për përplasje ndërmjet tri parimeve që kërkojnë primatë sundues në situatën e entropisë (çrregullsisë) që po përjeton rendin shoqëror botëror postbipolar: parimit hobsian (parimit realist), parimit grotian dhe parimit kantian (parimit idealist).

Ashtu sikur sjellja e Rusisë ndaj Ukrainës, si aktorë ndërkombëtarë, ashtu edhe sjellja terroriste – “neomesjetare” e ISIS-it ndaj të gjithë aktorëve kundërshtarë të shtetit islamik, bazohet në parimin hobsian, sipas të cilit shteti (fuqia e tij) e përbën realitetin qendror në marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Synimi për krijimin e shtetit islamik nga ISIS, duke mos përfillur asnjë kufizim moral e ligjor (ndërkombëtar), është manifestim i besimit politik që ka kjo organizatë për përmbushjen e interesave materiale të saj, në të cilën bën pjesë edhe krijimi i shtetit islam, si mekanizëm material për sigurinë e interesave materiale e shpirtërore. Sulmet ajrore të forcës ushtarake izraelite mbi popullin palestinez bazohen në parimin grotian, sipas të cilit nuk ka kufij ndarës ndërmjet të drejtës natyrore, të drejtës hyjnore dhe të drejtës së shteteve kombe.

Përkundër kësaj, organizimi i protestave në shenjë solidarizimi me fatin e popullit palestinez gjithandej Europës dhe distancimi i besimtarëve islamikë të orientimit tradicional ndaj qëllimeve dhe sjelljes terroriste të ISIS, si dhe lufta e popullit kurd me përkatësi myslimane kundër ISIS, e mishëron idenë e ekzistencës së parimit kantian, sipas të cilit realiteti i qenies njerëzore duhet të përbëjë realitetin qendror të marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe të institucioneve ndërkombëtare me shtetet e përfshira në to.

Në qoftë se themi se lufta e ftohtë do të jetë një moment i “ngrirjes” së raportit kundërshtues-pranues ndërmjet parimit hobsian, grotian dhe kantian të rendit të shoqërisë botërore, realiteti i krijuar në botën postbipolare do të jetë një horizont i ri mundësish konfirmuese të njërit apo tjetrit parim për rikonceptimin e marrëdhënies së “njëshit” me shumësinë”.

Në një zonë entropie (çrregullsie) dhe pamundësie funksionimi të një parimi gjithëpërfshirës, që do të vendoste një rend optimalisht të qëndrueshëm, varësisht prej kapaciteteve materiale e shpirtërore, organizative dhe njerëzore; varësisht prej karakterit të fuqisë që do t’i kenë në dispozicion, aktorë të ndryshëm do të veprojnë në bazë të njërit parim apo tjetrit, me qëllim që, përmes tyre, ta legjitimojnë raportin e fuqisë me të drejtën në synimin e tyre për ta bërë apo ribërë veten. Ndërsa Rusia legjitimitetin e sjelljes së vet agresore kundrejt Gjeorgjisë dhe Ukrainës do ta bazojë në fuqinë e vet ekonomike, ushtarake dhe politike, ISIS legjitimitetin e vet do ta bazojë “në fuqinë dhe të drejtën e Allahut”. Përkundër kësaj, aktet e shprehjes së solidarizimit të njerëzve të përkatësive të ndryshme fetare e kombëtare, të organizuar në shoqata të ndryshme civile, për mbrojtjen e popullsisë së pafajshme palestineze dhe të shtetit të pavarur palestinez, aktet e distancimit publik të myslimanëve tradicionalë ndaj mentalitetit terrorist të ISIS në vende të ndryshme të botës, në njërën anë, si dhe, nga ana tjetër, përfshirja e myslimanëve kurd në luftën kundër ISIS; legjitimitetin e vet e bazojnë në idenë e së drejtës së lirisë ekzistenciale të qenies njerëzore, si substancë dhe kusht i lirive të tjera të tij: historike, politike, sociale, fetare, kombëtare, ekonomike etj.

Shfaqja e fundamentalizmave, ekstremizmave dhe radikalizmave të llojeve dhe tipave neomesjetarë në epokën e globalizmit të modelit liberal, është manifestim i gjendjes entropike që po kalon rendi shoqëror botëror, në mungesë të mbizotërimit të një parimi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës, i cili, duke e mohuar përjashtimin, si kategori e të menduarit redukcionist, do të krijonte një strukturë më të hapur dhe më humane për marrëdhëniet e “njëshit” me “shumësin”, të “pjesës” me “tërësinë”, të “lirisë pozitive” me “lirinë negative”, të “lirisë individuale” dhe “lirisë kolektive”.

Arsyeja njerëzore disponon burime të pashtershme energjish për të zgjidhur probleme të prejardhura nga zona e paarsyes dhe arsyeja instrumentale (antihumane) shoviniste, religjioze, politike, ekonomike, kulturore etj. Verdiktin përfundimtar të luftës për mbizotërim ndërmjet tri parimeve të rendit të shoqërisë botërore (me gjithë kohëzgjatjen e saj dhe dëmet e mëdha që ajo do të sjellë për jetën shpirtërore dhe materiale të njëzimit) prapë do ta japë arsyeja.

*Autori është punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës

Related Articles

Nje koment

  1. I nderuar punonjes shkencor e para epoka apo bota qe jemi nuk eshte post bipolare dhe e dyta dhe me e rendesishmja qe nuk ke shpjeguar pse eshte mes rendit dhe crregullsise, nuk ke shpjeguar pse-ne kryesore ne kryeartikullin tend e cila eshte nje teme komplet me vete pervec levizjeve qe jane pasoja te globalizimit qe ke trajtuar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button