Politika

Bouffier: Jepni siguri, ju duhet drejtësia

Kryeministri i Landit Hesen të Gjermanisë që po viziton Tiranën deklaroi se ka dëgjuar nga kryeministri dhe lideri i opozitës qëndrimet e tyre për zhvillimet më të fundit.

Volker Bouffier tha se u ka kërkuar atyre që të punojnë së bashku për të ardhmen europiane të vendit.

Ai thotë se Shqipëria duhet të ofrojë siguri për investimet e huaja, për të cilat kancelarja Merkel ka shprehur interes, ndaj reforma në drejtësi është me rëndësi.

***

Volker Bouffier: Ne e dimë, jemi këtu në një kohë mjaft interesante, ne po presim zgjedhjet parlamentare. Këtë mëngjes, unë kam takuar liderin e opozitës dhe më pas kam takuar kryeministrin dhe kam dëgjuar të njëjtën histori nga dy anë të ndryshme. Ne jemi të ftuar këtu dhe nuk është detyra ime të them se çfarë ata duhet të bëjnë këtu. Por më lejoni të them kur doni investime nga jashtë, ju mund të krijoni kështu vende të reja pune këtu, ju duhet një reformë e veçantë për drejtësinë, ju duhet t’u jepni siguri investitorëve, që do të nxjerrin përfitim nga investimi. Gjithsesi ne jemi të befasuar për çka ndodhur në vitet e fundit, ndaj të gjithë shpresojmë se opozita dhe qeveria do të merren vesh për të ardhmen e këtij vendi. Për këtë jemi të interesuar, ju e dini që edhe vetë kancelarja Merkel është e interesuar për këtë, të gjithë faktorët janë të interesuar për këtë.

TCH: Cili është opinioni juaj për protestën e opozitës?

Volker Bouffier: Në një demokraci, ju keni qeverinë dhe opozitën, ju duhen të dyja. Opozita, ndërkohë, po përpiqet të ndryshojë situatën. Ata na thanë neve se ne pranojmë kur nuk e kemi mazhorancën, kjo është diçka që votuesit do ta vendosin, por duhet të kemi zgjedhje të ndershme. Unë i thashë kryeministrit se kam shpresë se do ta gjejnë rrugën të dy palët, të punojnë së bashku për procesin. Është normale, në çdo vend që ka njerëz që protestojnë në rrugë, në Parlament, Shqipëria do të ketë një të ardhme të mirë kur të dy palët punojnë së bashku dhe jo në konflikt.

TCH: E shikoni të mundur të përdoret votimi elektronik në zgjedhjet e qershorit 2017?

Volker Bouffier: Nuk mund ta them këtu, nëse është i mundur apo jo, ju e dini. Islanda është i vetmi vend që përdor votimin elektronik. Ne u përpoqëm ta përdorim, por tashmë nuk përdorim votimin elektronik në zgjedhjet kombëtare, por kjo duhet të vendoset këtu. Ne jemi këtu për të dëgjuar për të dhënë ide, por jo për të marrë vendime.

TCH: Ju folët për rëndësinë e reformës në drejtësi, mendoni që procesi i Vettingut duhet të kryhet përpara zgjedhjeve apo pas tyre, kur do të kemi një qeveri të re sepse përbën kusht për të nisur negociatat me BE?

Volker Bouffier: Unë do të preferoja që procesi i Vettingut të fillonte një herë.

TCH: Në takimin me zotin Basha i sugjeruat atij të rikthehet në Parlament?

Volker Bouffier: Ai na shpjegoi shumë qartë pozicionin e tij dhe të partisë së tij. Unë i thashë atij që shpresoja që do të gjejë mënyrën që të punojë së bashku me palën tjetër, të njëjtën që i kam thënë edhe kryeministrit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button