Braçe: Ministrat jo vetëm në zyrë. Populizmi i Blushit dëmton të majtën
Deputeti socialist, Erjon Braçe, i bashkohet zërave që mbështesin rikonfirmimin e mandatit të Kryetarit të Partisë, kur ai fiton zgjedhjet dhe qeveris vendin. Në një intervistë ekskulzive për Ora News, Braçe thotë se Kongresi duhet të votëbesojë kryetarin-Kryeministër dhe të votojë përmes parimit një anëtar një votë, kur partia është në opozitë. I zgjedhuri socialist thotë se është e drejtë legjitime, kandididimi për postin e Kreut të partisë, por qëndrimi nuk duhet bazuar në të pavërteta dhe populizëm. Në prononcimin për Ora News ai jep mendimin e tij, nëse duhet apo jo të ketë ndryshime në Qeveri.
I zgjedhur për 6 mandate me radhë si deputet i PS-së, në intervistën për Ora News, deputeti Erjon Braçe nuk eviton dot artikulimin e vazhdueshëm të shqetësimit, që debatet brenda partisë së tij, të mos e dëmtojnë forcën më të madhe të majtë të vendit dhe qeverisjes së saj.
Braçe i bashkohet zërave që mbështesin rikonfirmimin e mandatit të Kryetarit të Partisë, kur ai fiton zgjedhjet dhe qeveris vendin.
Në një intervistë ekskluzive për Ora News, Braçe thotë se debatit për lidershipin e partisë, duhet t’i japin fund ndryshimet statutore.
Braçe: Kryetari i PS është legjitim nga pikëpamja morale, politike dhe çfarë të doni tjetër në krye të PS. Do tu kërkoja që mendimin tim personal ta zhvishni nga debati aktual që po bëhet brenda PS, sepse mua më intereson PS. Kryetari i PS duhet zgjedhur përmes parimit një anëtar një vote. Kur partia fiton zgjedhjet, kryetari i partisë fiton zgjedhjet duhet të rikonfirmohet në forume legale të PS.
Braçe tregohet i kujdesshëm të nënvizojë se qëndrimet e tij janë parimore, edhe kur pyetet drejpërdrejt nga Ora News, mbi shpalljen e kandidaturës për postin e kreut te partisë nga kolegu i tij, Ben Blushi.
Braçe:Natyrisht që është krejt normale që cilido të aspirojë kandidimin.
Mendoni se e ka dëmtuar qeverisjen zoti. Blushi me kritikat e tij?
Braçe: Kritikat e gjithkujt vlejnë, ajo që bën dëm janë të pavërtetat, janë situatat që nuk reflektojnë në kohën kur ka ndodhur ngjarjen ashtu siç ka ndodhur. Dhe natyrisht ajo që bën dëm në këtë moment në Shqipëri është populizmi. Nëse ka një gjë që e vret të majtën, është populizmi.
Deputeti Braçe thotë se 2016 është vit vendimtar që PS të realizojë reforma në shëndetësi, energjitikë, arsim, bujqësi, mbrojtjen sociale dhe në punësim.
I njohur për qëndrimet e tij kritike me ministrat dhe jo vetëm, deputeti Braçe thotë se grupi parlamentar socialist është i legjitimuar në kërkesën për të rritur kontrollin mbi kabinetin.
Dhe pyetjes nëse duhen ndryshime në Qeveri, ai i jep këtë përgjigje:
Braçe: Unë shoh që një pjesë e madhe e reformave që kemi ndërmarrë përthyhen jo në cilësinë dhe në sasinë e duhur poshtë, atje në territor. Ministrat nuk mundet që javën e tyre të punës ta konsumojnë vetëm në zyrat e tyre. Duhet të shkundin një për një vartësit e tyre, të strukturave të tyre atje poshtë tek njerëzit. Në rast se nuk ndodh kjo, atëherë unë nuk e di gjykimin e zotit Rama, por do të kemi probleme me secilin prej tyre në grupin parlamentar të partisë, në Komisionet parlamentare dhe kudo tjetër për të vënë në lëvizje ato struktura të cilat e humbin kohën.