Bregdeti i Himarës, fluks në rritje i turistëve të huaj
Andrei Pjestçinski, është një 27 vjeçar nga Polonia, me profesion arkeolog. Së bashku me një grup shokësh, bashkëkombas, të pasionuar pas motorrave, kanë ardhur në bregdetin e Himarës për të kaluar disa ditë nga qëndrimi i tyre në Shqipëri. Ata i përkasin asaj kategorie turistësh, të cilëve u pëlqen t’i kalojnë pushimet në një lëvizje të vazhdueshme, duke zgjedhur për këtë, vende të veçanta dhe të këndshme.
Andrei thotë se, udhëtimi i tyre do të vazhdojë më pas drejt Malit të Zi dhe në vende të tjera si, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia, Austria. Është një intensitet lëvizjeje, që kushtëzohet nga pasioni i tyre për motoçikletat.
Në Shqipëri kanë parë vende mjaft të bukura, por në mënyrë të veçantë, bregdeti i Himarës u ka pëlqyer mjaft. “Është një zonë e veçantë, e virgjër dhe mjaft interesante”, thotë Andrei. Ai veçon plazhet e këndshme, apo resortet e komplekset turistike moderne të cilat mund t’i tërheqin mjaft turistët nga të gjitha vendet. Për Andrein, bregdeti jugor i Shqipërisë është një peizazh befasues, ku mund të kalohet mirë. Madje, në këtë drejtim i riu polak të cilit i pëlqen të eksplorojë vende ku mund të gjejë gjurmë të dukshme të të kaluarës, e vlerëson maksimalisht këtë pjesë të bregdetit të Himarës (Porto Palermon), ku ngrihet kalaja e Ali Pashës, një kishë e vogël, e vjetër, disa dhjetra metra më tej, si dhe objekte të tjera me mjaft interes. Prandaj dhe me grupin e shokëve kanë zgjedhur që të bëjnë një ditë plazh. Kanë “parkuar” motoçikletat diku në breg dhe po shijojnë ujin e kristaltë dhe bregdetin shkëmbor të Porto Palermos.
Në fakt, Andrei Pjestçinski dhe grupi i motoçiklistëve polakë përfaqësojnë atë tendencë mjaft të spikatur dhe pozitive, që po konsolidohet, veçanërisht në vitet e fundit në bregdetin e Himarës, ashtu si edhe në pjesë të tjera të bregdetit shqiptar ku, numri i turistëve të huaj ka ardhur në një rritje befasuese. Gjatë muajve të verës, në këtë pjesë të bregdetit të Shqipërisë pushojnë turistë nga mjaft vende të Evropës, por edhe më gjerë. Anglezë, italianë, zviceranë, francezë, suedezë, malazezë, gjermanë, grekë, maqedonas, këtu i ndesh shpesh. Struktura turistike e këtij bregdeti vlerësohet prej tyre e kënaqshme dhe në standarde të pranueshme.
Punonjës në kështjellën e Ali Pashës, në Porto Palermo, thonë se, gjatë këtij viti numri i turistëve të huaj, vizitorë në kështjellë, ka qenë shumë i madh. “Është një shtim që duket”, thonë ata. Në plazhet e vogla, por mjaft tërheqëse të Porto Palermos, gjen çdo ditë qindra pushues nga rrethe e vende të ndryshme. Klearko, një banor i zonës, thotë se bregdeti i Himarës ka patur gjatë këtij viti një rritje të madhe të pushuesve dhe veçanërisht të turistëve të huaj. “Nga të gjitha vende e Evropës shikon këtu, çdo ditë. Ja, ti i pe vetë polakët. Por, si ata janë të shumtë francezët, zviceranët, anglezët, gjermanët. Ka shumë nga ata që vijnë këtu me rulota dhe i parkojnë, ja, atje, në atë shesh. Por, ka edhe nga ata të rinj të huaj, që kanë ngritur kampingje për të kaluar disa ditë pranë detit”, thotë 58 vjecari.
Në fakt, “boom”-i turistik, është i dukshëm dhe konstatohet fare lehtë në bregdetin e Himarës. Jo vetëm nga frekuentimi maksimal i plazheve të bukura përgjatë tij, por edhe nga tregues të tjerë, sikundër është fluksi i lartë i lëvizjes së automjeteve në rrugën e bregdetit. Përgjatë saj, ndesh autovetura me targa të të gjitha rretheve të vendit dhe të të shumë vendeve të tjera.
Plazhet e vogla dhe shkëmbore të Porto Palermos, plazhet e virgjëra të Llagamit, të Livadhit, të Gjipesë, ato të Potamit, të vetë qytetit etj, kanë qenë një zbulim i vërtetë, për ata që kanë ardhur këtu për herë të parë, ndërkohë që të tjerë që pushojnë këtu prej vitesh, kanë vendosur t’i qëndrojnë besnikë përzgjedhjes.