Ekonomia

BSH: Investimet mbiçmuan lekun. S’ka pastrim parash në banka

“Investimet e huaja direkte, eksportet dhe turizmi, mbiçmuan lekun kundrejt euros”, deklaroi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i ftuar në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave për të shprehur opinion mbi projektbuxhetin e  vitit 2018 dhe paketën fiskale.

Në përgjigje të interesit të opozitës mbi kursin e këmbimit, ku është vënë re një mbiçmim i lekut kryesisht kundrejt euros, dhe opozita e lidh atë me para që vijnë nga droga, Guvernatori Sejko renditi disa nga burimet e euros në ekonomi gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti.

“Në bazë të analizave tona, forcimi i lekut kundrejt euros kryesisht ka rezultuar se ka ardhur nga rritja e nivelit të investimeve të huaja direkte gjatë 6-mujorit të parë të vitit, nga bilanci pozitiv i shkëmbimeve tregtare me jashtë ku ka patur rritje të eksporteve shqiptare, nga hyrjet dhe flukset e larta të valutës së huaj përmes remitancave dhe aktivitetit të turizmit. Aktiviteti i turizmit dhe remitancat, pavarësisht rënies vitet e fundit, gjatë 6-mujorit të parë të vitit kanë patur një përmirësim dhe shifrat e turizmit kanë qenë pozitive”, deklaroi Sejko

Edhe normat e ulëta të interesit, kanë ndikuar në nivelin e kursit të këmbimit evidentoi Sejko duke shtuar se është rritur huamarrja në monedhë vendase.

Guvernatori po ashtu shpjegoi arsyen e rritjes së sektorit të ndërtimit që sipas opozitës është financuar edhe kjo nga paraja informale në ekonomi. Sipas Sejkos, është e vërtetë që është rritur sektori i ndërtimit ashtu si edhe investimet publike. Sa i takon burimeve alternative, Sejko tha se huadhënia dhe huamarrja individuale është e lejuar me ligj. Kjo sipas tij, në kushtet kur bankat europiane në tregun shqiptar shtrënguan kushtet e kredidhënies si pasojë e krizës globale financiare.

“Ajo që ne kemi patur kujdes ka qenë të mos lejojmë krijimin e një kreditimi nga institucione të caktuara në masë duke qenë të palicencuara të mos kthehen në një fenomen flukse. Kjo nuk ka rezultuar shqetësuese”, deklaroi Sejko. Megjithatë Guvernatori i pyetur nga kreu i komisionit të ekonomisë se a është rritur kredia për strehim, pranoi se kredia e individëve për strehim është rritur gjatë këtyre viteve. Më herët, ai kishte deklaruar se kredidhënia është rritur me rreth 3% vit pas viti, ku pjesën më të madhe e zinte kredia për individët.

Sejko theksoi se projektbuxheti i vitit 2018 merr parasysh rreziqet që burojnë nga zgjerimi i projekteve të partneritetit publik-privat, duke vendosur kufi mbi vlerën totale të këtyre projekteve dhe duke detajuar paraprakisht listën e PPP-ve të reja gjatë vitit.

“Theksojmë nevojën për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon anës ligjore dhe financiare të tyre si dhe zbatimin e standardeve më të mira në fushën e kontabilizimit të ndikimit të tyre në treguesit e borxhit”, deklaroi Sejko.

Ai pohoi se paketa fiskale e qeverisë stimulon investimet e huaja.

Sejko:  Nuk  ka përfshirje të bankave në pastrimin e parave 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko përjashtoi mundësinë që bankat private të përfshihen në pastrim parash përmes financimit të projektit “1 miliardë për rindërtim” të partneritetit publik privat.

“Në këtë kontekst, lidhur me pastrimin e parave ne nuk shikojmë potencial të përfshirjes së bankave në pastrimin e parave në aktivitetin e koncesioneve . Kjo është e qartë pa ekuivoke”, tha ai.

Sistemi bankar, vijoi Sejko, do të jetë pjesërisht financues në këto projekte që do të plotësojnë kriteret e riskut dhe do të jenë të financueshme nga pikëpamja e fizibilitetit. “Kjo është pjesa jonë. Sistemi bankar ka rregulla strikte. Bankat do të japin kredi bazuar në fondet e tyre të likuiditetit që janë depozitat e popullatës. Në këtë pjesë jemi të pastër. Pjesa tjeëtr ka të bëjë me investitorët e projektit. Edhe këtu Banka ka instrumenta për verifikimin e origjinës”, u shpreh Guvernatori.

Por, Sejko shprehet se në këtë mision Banka nuk është e vetme pasi ka edhe institucione të tjera siç është Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

“Nuk janë vetëm bankat, janë edhe institucionet e tjera ligjzbatuese si Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Ka një koordinim të grupit të punës të pastrimit të parave. Ka disa kërkesa ligjore dhe rregullative që në proces kërkohen dhe zbatohen. Duhet deklaruar origjina e parave dhe duhet investiguar paralelisht me projektin. Në rastet e dyshimta duhet filluar investigimi. Kështu funksionon parimisht”, sqaroi Sejko.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button