Bujqësia, Rama: Jemi në rrugën e duhur. Hendeku që na ndan me BE, mosdija
Kryeministri Edi Rama ka theksuar se paketa mbështëse për bujqësinë është një hap në rrugën e duhur për këtë sektor.
Gjatë fjalës në konferencën për bujqësinë, Rama ka theksuar se rritja ebuxhetit për këtë sektor tregon mbështetjen e qeverisë për bujqësinë.
“Është e qartë se nëse i referohemi bujqësisë në tërësinë e vet dhe bëjmë një krahasim mes Shqipërisë dhe BE-së, hendeku shumë i madh përcaktohet nga dija. Bujqësia në BE është fusha e inovacionit, specializimit të vazhdueshëm, bazuar mbi dijen. Ndërkohë që në vendin tonë për vite të tëra ka ndodhur e kundërta. Është një fushë që qeveritë e kanë konsideruar si teritor të varfërisë dhe mbijetesës dhe janë mjaftuar me subvencione të paralizimit dhe statukuose dhe ku kanë mundur të ngrihen vetëm ata që kanë mundur të ngrihen duke i besuar dijes dhe konkurrencës. Fshati duhet të kuptojë se nuk duhet t’i drejtohet qeverisë për lëmoshë, por për projekte dhe subvencione të tyre. Është fakt se nëse shohim volumet e mundshme që mund të thithim nga BE-ja dhe kapacitetin aktual njerëzor jemi në një situatë alarmante dhe kjo është sfida jonë, që strukturat tona të jenë përçuese të dijes, mbështetëse të fermerit dhe nga ana tjetër, për të garantuar që kapitali njerëzor në fshatar rritet dhe kapacitetet për t’iu drejtuar strukturave përkatëse, rritet.
“Ne do të bëjmë shumë më shumë për të inkurajuar sipërmarrësit, me kapitale në dispozicin në të tjerë sektorë, që të shohin te sektori i bujqësisë oportunitetet e reja që po krijohen për të investuar kapitalet”- tha Rama
Rama ka thënë se kërkesa për subvencionim në bllok, masiv e pa transparencë të naftës i ka kaluar koha njëherë e mirë.
“Për herë të parë qeveria mbështet një paketë të plotë për bujqësinë dhe zhvillimin e saj dhe rritjen e efektshërisë së sektorëve me 46% krahasuar me një vit më parë për fondet mbeshtetëse”- tha ai.
Sipas Ramës, nafta për bujqësinë është plotësisht e subvencionueshme por përkundër faturës. “Shpërndarje paraprake e naftës me demek se po ndihmojmë fermerin, nuk do ketë më”- tha ai.