Bullgari & Co: Tregtia korruptive me nënshtetësitë europiane
Në Bullgari sapo është zbuluar një tregti mashtruese me nënshtetësitë. Ky nuk është i vetmi rast në BE. Shtete të ndryshme bëjnë tregti me pasaportat, edhe zyrtarisht.
Rasti i fundit i zbuluar në këtë tregti vjen nga Bullgaria. Në fillim të javës së kaluar u arrestuan dy duzina zyrtarësh, të cilët për vite me radhë kanë lëshuar ilegalisht certifikata prejardhjeje bullgare për qytetarë të Maqedonisë, Moldavisë dhe Ukrainës, duke marrë si shpërblim mijëra euro.
Ai që zotëron një certifikatë të tillë prejardhjeje mund të marrë, sipas ligjit nënshtetësinë bullgare. Autoriteti përkatës në Bullgari është zyra për bullgarët që jetojnë jashtë vendit, SABA. Shefi i zyrës, i shkarkuar ditën e hënë, Petar Haralampiev, një politikan nacionalist, mendohet të jetë koka e rrjetit të korrupsionit.
Në fakt kjo gjë është e ditur prej vitesh. Që më 2012, Deutsche Welle ka raportuar për shpërdorimet në dhënien e certifikatave nga SABA. Që në vitin 2013, juristja Katja Mateva, ish-drejtoreshë e sektorit të dhënies së nënshtetësisë në Ministrinë e Drejtësisë në Bullgari, i ka dorëzuar informacionet përkatëse shefave të saj në qeveri. Në vitin 2014, ish -zëvendësministri Petko Petkov, i dërgoi një memorandum për këtë çështje kryeministrit të përkohshëm, Georgi Blisnaschki. Por asgjë nuk ndryshoi.
Mateva thotë në bisedë me Deutsche Wellen se politikanët kanë bërë presion për vite me radhë, deri sa më në fund e shkarkuan në vitin 2017. Kurse Petkovit iu desh të dëgjonte nga politikanë të tjerë që i thonë se është tradhëtar. Si Mateva ashtu edhe Petkov, thonë se deri tani ka munguar vullneti politik për t’ i dhënë fund korrupsionit në dhënien e nënshtetësisë. Fakti që tani janë arrestuar njerëzit përgjegjës ka të bëjë me luftërat për pushtet brenda qeverisë, që luhen nga njëra anë nga partnerët në koalicion, partia GERB e kryeministrit Bojko Borissov dhe partia aleate nacionaliste e djathtë, Patriotët e Bashkuar, dhe nga ana jetër brenda Patriotëve të Bashkuar vetë. Disa thonë se me arrestimet e bëra tek SABA, Borissov kërkon të vendosë nën kontroll partinë Patritotët e Bashkuar, dhe t’ i dërgojë një sinjal partnerëve të koalicionit.
Praktika të tilla në disa vende të BE
Duke patur parasysh këtë është e paqartë nëse biznesi korruptiv për dhënien e nënshtetësisë do të marrë fund apo jo, dhe nëse njerëzit përgjegjës do të dënohen. Bullgaria nuk është i vetmi vend me praktika të tilla. Në Rumani dhe Hungari, një certifikatë prejardhjeje e tillë çon po ashtu në marrjen e nënshtetësisë. Në Rumani, nga ajo përfitojnë kryesisht qytetarët nga Moldavia, ku dy të tretat e popullsisë janë me prejardhje rumune. Po ashtu në Ukrainë jetojnë pakica të mëdha rumune dhe hungareze. Po ashtu si në Bullgari, edhe në Rumani dhe Hungari, jepen prej vitesh certifikata prejardhjeje, gjë që është keqpërdorur dhe mijëra rusë dhe ukrainas që kanë marrë nënshtetësinë rumune dhe hungareze.
Dimensione aspak më të vogla ka edhe dhënia zyrtare e nënshtetësisë dhe vendit të rezidencës në Bashkimin Europian, që praktikohet nën emrin “Viza e artë”. Nëpërmjet kësaj, qytetarë jo të BE-së mund të marrin kundrejt pagesës ose investimit milionash, nënshtetësi ose leje të vazhdueshme qëndrimi. Gjysma e vendeve të BE-së, mes të cilave Bullgaria, Greqia, Britania e Madhe, Letonia, Lituania, Malta, Austria, Portugalia, Spanja, Hungaria dhe Qipro ofrojnë programe të tilla.
Dhjetë vitet e fundit janë shitur me këto programe 6 mijë nënshtetësi dhe 100 mijë leje qëndrimi, bën të ditur Transparency International dhe Global Witnes, në një raport të botuar në fillim të tetorit. Të ardhurat nga këto programe kanë qenë 25 miliardë euro. Programet e Vizave të Arta, bëjnë larje parash dhe përdoren për biznese kriminale, prandaj BE duhet t’i japin fund praktikave të tilla, theksojnë OJQ-të.
Një nga rastet më dubioze ka të bëjë me programin hungarez për Vizat e Arta, i cili ka funksionuar deri në vitin 2017, dhe për të cilin nuk ekzistojnë të dhëna. Megjithatë gazetarë të qendrës investigative Direkt36, kanë nxjerrë kush janë përfituesit kryesorë të saj. Sipas të dhënave të botuara tre javë më parë, politikanë rus, anëtarë të shërbimeve të larta sekrete ruse dhe njerëz besnik të diktatorit sirian, Assad, kanë marrë nënshtetësinë dhe leje qëndrimin hungarez. Edhe biznesmeni saudit, Ghaith Pharaon, që kërkohej në SHBA për mashtrime dhe larje parash, ka marrë lejeqëndrimin hungarez dhe ka kërkuar të marrë nënshtetësinë. Ndërkohë ai ka ndërruar jetë në vitin 2017.
„Këto praktika rrisin rreziqet në çështjet e sigurisë, jo vetëm për Hungarinë, por për të gjithë Bashkimin Europian,” thotë redaktori i Direkt36, András Pethö. „Në të ekziston një kontradiktë e madhe. Nga njëra anë qeveria hungareze del kundër migracionit. Por me programin e Vizave të Arta, fut në BE shumë njerëz nga jashtë, të cilët nuk i kontrollon njeri.”