Bushati: Në shtator, vizita në Beograd. Konfirmohet edhe nga mediat serbe
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në shtator do ta vizitojë zyrtarisht Serbinë. Edhe pse kjo është bërë i ditur pak kohë më parë në muajin qershor nga ana e kreut të qeverisë, këtëlajm e konfirmojnë edhe mediat serbe. Sipas mediave serbe, mësohet se ftesa e Kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, ka mbërritur në kabinetin e Kryeministrisë shqiptare dhe tashmë mbetet vetëm përcaktimi i një date fikse se kur do të kryhet vizita zyrtare.
Rama e ka pranuar edhe më herët ftesën zyrtare, që në një konferencë të përbashkët që ka mbajtur me presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Sipas Ramës, me vizitën që do të kryejë në Beograd, do të synojë normalizimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Aktualisht, midis dy vendeve ka pasur përherë përplasje në lidhje me kushtet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por edhe të pakicës serbe që jeton në Shqipëri, ku pala serbe pretendon se nuk respektohen të drejtat e tyre. “Presidenti është entuziast për një hap të ri të zhvillimit të marrëdhënieve rajonale, për vizitën që unë do të kryej në Beograd, për të marrë një rol të ri, të bashkëpunoj me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, që të bëhemi të vetëdijshëm për rrugën tonë të përbashkët drejt BE-së, që Ballkani ka nevojë për BE-në aq sa BE-ja ka nevojë për Ballkanin dhe se Ballkani nuk mund të kuptohet pa BE-në, ashtu si BE-ja nuk ka kuptim pa përfshirjen e Ballkanit”, ka thënë Rama gjatë konfirmimit të tij për vizitë zyrtare në Serbi. Vizita e Kryeministrit në fakt u përfol që në fillim të vitit 2014, ku flitej se Rama do të vizitonte Serbinë në muajin shkurt. Ka qenë vetë ministri i Jashtëm serb, Ivan Mrkiç, ai që njoftoi për vizitën e Ramës në muajin shkurt, duke zbardhur edhe një pjesë të axhendës së tij për një bashkëpunim dypalësh në shumë sfera. Referuar zërave për vizitën e kreut të qeverisë në Serbi, këtë gjë e konfirmoi dje edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Në qendër të diskutimeve të Ramës në Serbi, pritet që të jetë çështja e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. “Do të trajtojmë një pjesë të disa marrëveshjeve, për të cilat ende nga Serbia nuk kemi marrë përgjigje, ato do të çonin marrëdhënien tonë në një stad më të avancuar, si dhe do të bënin që serbët dhe shqiptarët ta ndiejnë zhvillimin pozitiv. Gjithashtu, raportet tona mendojmë se do të kishin një karakter lehtësues në të ardhmen euroatlantike të rajonit”, tha Bushati.
70 vjet
Vizita e pritshme e Ramës do të jetë e para e një Kryeministri, kjo pas 70 vjetësh në Serbi. Më herët ka qenë Enver Hoxha, i cili u takua me Titon në Beograd. Lajmi për këtë vizitë raportohet edhe nga mediat serbe