Politika

Bushati takon Mogherinin dhe Hahnin

aaGjatë ditës së dytë të vizitës së tij në Bruksel, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi takime me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Sipas njoftimit të Zyrës së Shtypit të Ministrisë së Jashtme, në takimin që pati me Mogherinin, Bushati e njohu mbi ecurinë e reformave shtetndërtuese në Shqipëri dhe me punën e qeverisë për adresimin e 5 prioriteteve kyçe. Angazhimi i qeverisë shqiptare për përmbylljen e reformës në drejtësi, si dhe efekti i drejtpërdrejtë i saj jo vetëm në fushat që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, por edhe në reformat që lidhen me përmirësimin e klimës së biznesit dhe sundimit të së drejtës në ekonomi, ishin në fokus të këtij takimi.
Mogherini shprehu mbështetjen për përpjekjet shtetndërtuese në Shqipëri dhe evidentoi kontributin që kanë këto refoma për një proces dinamik dhe efikas në rrugëtimin evropian të vendit dhe vlerësoi angazhimin për të vijuar me vendosmëri përmbylljen e reformës në drejtësi. Ajo vlerësoi rolin proaktiv dhe konstruktivitetin e Shqipërisë në rajon si dhe linjëzimin e plotë të politikës sonë të jashtme me atë të BE-së.
Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, Ministri Bushati u shpreh se “përpjektjet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nxjerrin në pah nevojën për mbështetjen financiare dhe angazhimin e BE-së për konsolidimin e një zhvillimi të qendrueshëm si dhe për të përmbushur angazhimet në kuadër të Procesit të Berlinit”.
Në takimin me Johannes Hahn, Bushati evidentoi rëndësinë që ka politika e zgjerimit të BE-së për ecurinë e reformave, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të rajonit si një projekt gjeostrategjik dhe politik. Ai theksoi se politika e zgjerimit e BE-së është një instrument që nxit modernizimin, demokratizimin dhe stabilitetin e vendeve të rajonit.
Pasi e njohu Komisionerin Hahn me ecurinë e reformave të ndërmarra në Shqipëri, kryesisht në sundimin e së drejtës, Bushati theksoi gatishmërinë e vendit për të kaluar në një fazë të re, atë të hapjes së negociatave për anëtarësim.
Komisioneri Hahn vlerësoi rolin stabilizues dhe dinamik të Shqipërisë në rajon dhe shprehu besimin se angazhimet në kuadër të Procesit të Berlinit do të mundësojnë një lidhje më të mirë për vendet e Ballkanit. Në kuadër të agjendës integruese, Komisioneri Hahn do të vizitojë Tiranën në fund të muajit mars për takimin e radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE. Gjithashtu, ai do të marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të organizohet në Tiranë me iniciativën e vendit tonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button