Opinion

Ç’a problemi ka ?

Nga Sonila Kapidani

Është një pyetje e artikuluar nga dy persona të ndryshëm publikë që ka pushtuar hapësirat e humorit mediatik kohët e fundit. Pyetje me vend që na shtyn të kërkojmë përgjigjen kur bëhet fjalë për prezantimin e një njeriu publik. Prezantimi i një produkti që është imazh i artificialitetit ka problem se në vend që të bindë audiencën së cilës i drejtohet, e shtyn atë të krijojë humor e të mos marrë seriozisht folësin.

Shumë studiues janë marrë me hulumtimin e mënyrave se si njerëzit komunikojnë mendime dhe ide në komunitet. Albert Mehrabian, një nga pionierët e studimit të gjuhës së trupit dhe aktualisht Profesor Emeritus i Psikologjisë, mbështeste mendimin se impakti total i një mesazhi realizohet 7% vetëm me fjalën, 38% me tingujt dhe 55% me gjestet dhe mimikën. Ky mendim ka përjetuar që atëherë këndvështrime të ndryshme, por rëndësia e gjesteve dhe mimikës në një komunikim publik është edhe shtysa e këtij shkrimi, që ka buruar nga një fotografi e personave publikë gjatë këtyre ditëve e prezantuar në media, ku Kryeministri i vendit z. Edi Rama dhe Drejtoresha e Tatimeve, znj. Briseida Shehaj, tregohen duke përdorur të njëjtat gjeste, duke u bërë kështu objekt për shigjetime. Ky fenomen, i cili nuk haset për herë të parë as në Shqipëri dhe as gjetkë, rrënjët i ka në dëshirën për të kultivuar prezantimin në publik me qëllim që folësi të jetë sa më bindës dhe kjo është ndërmarrje pozitive. Mirëpo, ata që pretendojnë se përdorin teknika dhe metoda me qëllim këtë përmirësim, nuk marrin parasysh individualitetin e personit, por e konsiderojnë qenien njerëzore si “seri” dhe qëndrojnë vetëm te forma dhe jo te përmirësimi i plotë. Kjo vjen nga ritmi mjaft i shpejtë i jetës së sotme dhe dëshira për t’ia dalë mbanë gjithçkaje në një dinamikë ankthioze dhe aspak të rehatshme. Përvoja ime 10-vjeçare në përgatitjen e atyre individëve që duan të përmirësojnë estetikën e komunikimit, por edhe dëshira për të shkuar më tej në dobishmërinë e artit të të folurit përtej funksionit të saj skenik, më kanë shtyrë të jem e vëmendshme dhe të përpiqem të hedh dritë sa herë e kam mundësinë në nevojat që ka shoqëria shqiptare për të shtuar njohuritë dhe për të provuar teknika që ndihmojnë në transformimin e prezantimeve publike, jo vetëm te politikanët, por për të gjithë ata që u nevojitet të folurit në publik, me pak fjalë të përpiqem të komentoj “ç’a problemi ka!”. Ka problem nëse personi që përcjell në publik ide, mendime, synime, përmes fjalës, gjesteve dhe mimikës, nuk synon për nga një prezantim i gjallë, të cilit ia ndien shpirtin edhe kur ajo çfarë bisedohet ka karakter informues dhe nuk është letrare. Ka problem sepse përndryshe do t’i ngjajë një bime të tharë, e cila transmeton vetëm keqardhje. Gjestikulacionet e mësuara nuk mund të përdoren mekanikisht duke imituar. Nëse folësi e ka të qartë kuptimin e asaj për të cilën flet, ia ndien shpirtin tingullit, fjalës, frazës, mendimit, por përdor edhe gjeste të cilat burojnë dhe harmonizohen së bashku me këto, vetëm atëherë transmetimi i ideve, vizioneve, mendimeve, do të jetë efikas. Në të kundërt, një bimë e tharë merr kuptim vetëm si kujtesë e diçkaje që dikur ka pasur jetë e tashmë nuk është e dobishme në asgjë e nuk bind askërkënd.

Ka problem nëse të gjithë komponentët që e bëjnë të folurit në publik të suksesshëm nuk ndikojnë dhe nuk gërshetohen. Të njohësh teknikat e artikulimit, diksionit, zërit dhe të pajisesh me dije për “gjeste të suksesshme” është vetëm një pjesë e punës së përgjithshme që siguron të folurit bindës. Kjo nuk mund të arrihet Deus Ex Machina vetëm se dikush imiton gjestet së jashtmi, por duke qenë krijues në atë çfarë zgjedh të përcjellësh, pasi ia ke njohur thellë kuptimin. Transformimet që mëton politika janë të shpejta dhe shpesh i vendosin në pozicion të parehatshëm ata që duhet të përcjellin synimet dhe rezultatet, por kjo është e tejkalueshme. Puna e parë në ndërrimin e kulturës së komunikimit në publik është ndërgjegjësimi i të metave që ka të folurit përgjatë jetës së individit e pastaj të punohet për t’i tjetërsuar apo për t’i përmirësuar ato. Një politikan mund të ketë të metë fuqinë e zërit, sikur kemi parë në tubime të mëdha kryetarin e Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, apo edhe ndonjë tjetër politikan që përballet me publik të gjerë në sheshe. Dikush tjetër mund të ketë artikulimin, apo defekte të tjera ta riparueshme. Dikush mund të mos përdorë frymëmarrje-nxjerrjen në mënyrë efikase, duke krijuar kështu lodhje dhe ndërprerje të mendimit, sikur kemi parë ministren e Integrimit, znj.Klajda Gjosha, e cila në gjeste është e rezervuar, ose ish-zv.ministren e Integrimit, znj. Jorida Tabaku. Apo edhe të përdorë rezonatorë jo të rehatshëm si ai hundor, si ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Arben Ahmetaj, të cilët e bëjnë zërin të tingëllojë i thatë dhe jo i dashur për veshët e dëgjuesve. Intensiteti i fushatave elektorale jo pak herë ka sjellë figura të tjera nga parti të ndryshme politike me zë të ngjirur, pikërisht sepse nuk kanë qenë të stërvitur për të përballuar publikun e gjerë dhe të folurit në ambiente të hapura.

Pasi të jenë identifikuar, atëherë nis puna sa e thjeshtë dhe njëkohësisht e vështirë për rregullimin e tyre. Pastaj duhet njohur karakteri i asaj çfarë është për t’u komunikuar dhe për të përcaktuar nëse të folurit do të ketë karakter informues, të atypëratyshëm apo bindës dhe argumentues. Në qendër të gjithë procesit të të folurit, ajo që nuk duhet harruar asnjëherë është imagjinata. Fjalët e shqiptuara, shoqëruar me gjestet dhe mimikën e përzgjedhur, duhet të përcjellin imazhe, dëshira, mendime, synime. Ndryshe ato mbeten vetëm në muskujt e duarve dhe fytyrës, pa depërtuar në ndërgjegjen e folësit apo dëgjuesit.

“Ç’a problemi ka?”, është fjalia aq e përfolur këto ditë në të gjitha mediat. E në fakt nuk do të kishte asnjë problem, nëse e njëjta fjali do të ishte përdorur sipas dy individualiteteve të ndryshëm, atij të Kryeministrit dhe të Drejtoreshës së Tatimeve, të cilët kanë cilësi të ndryshme, e imagjinojnë secili ndryshe nga tjetri publikun të cilit po i drejtohen, kanë për të përcjellë synime të ndryshme që ndoshta çojnë ujë në një mulli të madh të përbashkët, kanë dije të ndryshme dhe shpirtra të ndryshëm, e për rrjedhojë fjalia do të krijonte ndikim të ndryshëm te dëgjonjësit pa u bërë objekt ironie. Gjestet e përdorura në një fjalim publik janë të diktuara nga tradita apo burojnë si mënyrë të menduari personale duhet të vihen në shërbim të përmbajtjes të asaj çfarë thonë. Synimi i përbashkët i një orkestre muzikore është përcjellja sa më e mirë e veprës që ka shkruar autori, që të provokojë mendimin dhe emocionet e dëgjuesit, por muzikantët bashkohen aty secili me individualitetin e vet dhe kuptueshmërinë e vet për secilën notë të shkruar. Vetëm kur ky gërshetim është i vërtetë dhe i arrirë, atëherë veprimtaria mbetet në kujtesë dhe transformon një komunitet.

Ja pra, “ç’a problemi ka!”: Nëse një lider në konceptin tonë është i suksesshëm, nuk duhet ta imitojmë atë, duhet ta sfidojmë!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button